Çfarë mund të bëj për të ndihmuar fëmijën tim për të kaluar frikërat e natës?

Shkruan:

Pukjana Geci – Psikologe dhe Terapiste.

Fëmijët  kanë fantazi të pasur dhe imagjinatë aktive të cilat bëhen pjesë e maktheve të tyre gjatë natës kur ata kan frikë. Nuk duhet harruar që fëmija e lidh gjumin me errësirën, një tjetër burim frike për ta. Frikërat e natës nga errësira, mbetja vetëm, zhurmat etj. janë të zakonshme në këtë moshë, kur ata mund të mendojnë gjëra të frikshme nga të cilat mund të tremben. Një pjesë e ditës së tyre kalon në shoqëri me dragonj e dinozaur, me lojën imagjinative, çka e bën të vështirë të shkëputen menjëherë nga fantazia e lojërave dhe të përgatiten për të fjetur.

Ndoshta ju nuk mund ta ndihmoni atë të zgjidhë tërësisht frikën, por mund ta ndihmoni që ta përballojë këtë frikë. Para kohës së gjumit, këshillohet që fëmijët të mos shohin/dëgjojnë histori të frikshme, akte të dhunës në familje apo edhe të luajnë me video që përçojnë mesazhe force. Të mos lejohet shikimi i filmave të frikshëm apo të mos ju lexojmë tregime që mund të ngjallin frikë tek fëmija.

Koha e gjumit do të thotë ndarje dhe kjo mund të bëhet më e thjeshtë me një objekt- loder, si p.sh. kukull, arush prej gëzoi, batanije ose diçka e tillë. Këto objekte ofrojnë një ndjesi sigurie dhe kontrolli që rehaton dhe siguron fëmijën tuaj. Lënia e derës së dhomës pak hapur, veshja komforte, ngjyrat qetësuese të dhomës ndihmojnë gjithashtu. Ju mund t’i parandaloni makthet e natës duke inkurajuar fëmijën të bisedojë me ju në lidhje me ngjarjet e përditshme.

Nëse ju keni bërë gjithçka për të qetësuar fëmijën, por ai përsëri frikësohet, ju duhet të kërkoni ndihmë të specializuar, sepse kjo frikë mund të jetë shenjë e një fobie ose problemeve të ankthit. Gjithashtu, frikërat ekstreme dhe të vazhdueshme gjatë natës, mund të rezultojnë nga një ngjarje traumatike në familje, në kopsht ose më gjerë. Edhe fëmijët më të vegjël janë të vetëdijshëm dhe të ndjeshëm lidhur me stresin që mund të shkaktojë një divorc, vdekje në familje, humbja e punës të njërit prej prindërve, lëvizjen në një shtëpi të re, ndryshimin e një edukatori ose mësuesi, akte të dhunës etj dhe nëse është vërtet i shqetësuar, ai mund të ketë një problem emocional i cili duhet të adresohet.

Gjatë kohës që anëtarët e familjes janë në shtëpi, bëjnë detyrat e shtëpisë, hanë darkë e kështu me radhë, gjumi mund të mbetet një element i “harruar”. Ose ndodh që ju ta largoni kohën e gjumit për të shmangur betejat me shpresën se fëmija do të përgjumet vetë. Mos prisni që fëmija juaj të fërkojë sytë apo të ankohet për gjumë.

  • Vendosni një orë ekzakte gjumi dhe zgjimi. Kjo ndihmon që fëmija të ruajë kohën e brendshme trupore dhe dhe fiziku do të mësohët më një ritëm te caktuar dhe do ta ketë me të lehtë ta zërë gjumi. Nuk ka një kohë ideale se kur duhet të flejë çdo fëmijë, sepse nevojat e gjumit dhe regjimi i fjetjes ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme.
  • Për ta çuar në shtrat më me lehtësi fëmijën, prindërit mund të ndihmojnë që lëvizjet para gjumit të kthehen në një lloj ceremonie, të përbërë nga veprime të lidhura mes tyre. Kur të filloni me veprimet e mbrëmjes, larjen e dhëmbëve, apo të lexoni një tregim, më pas vjen përqafimi dhe puthja e natën e mirës, fëmija do ta kuptojë që është koha e gjumit dhe nuk do të largohet më nga shtrati. Fëmijët gjithmonë do të lënë diçka për në fund: puthjen, përqafimin, apo një gotë me ujë. Ata fantazojnë shumë gjëra. Bëni maksimumin që t’i paraprini këto kërkesa përpara se të shtrihen në shtrat.

Sasia dhe cilësia e gjumit të fëmijës ndikon në mirëqenien e të gjithë anëtarëve në familje. Sigurohuni që jeni duke vëzhguar rutinat që ju drejtojnë tek regjimi ideal i gjumit dhe bëni vetëm ndryshime të vogla, kështu që ju e kuptoni se çfarë efekte kanë këto ndryshime në regjimin e gjumit të fëmijës tuaj./natalmedia.com/

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts