Djali 4 vjeçar po belbëzon, cilët janë hapat që duhet ndërmarrur?

Pyetje:

Përshëndetje, desha të shprehja me ju një shqetësim. Kam djalin 4  vjeç e 6 muajsh deri para dy muajsh djali fliste shumë mirë dhe qartë mirëpor ka dy muaj që belbëzon kur flet dhe kjo gjë po i bëhet dhe me e theksuar. Nuk ka kaluar ndonjë emocion gjatë asaj kohe dhe nuk e di pse ju shkaktua kjo gjë. Kam shumë merak sepse djali fliste shumë mirë, ju lutem mund të më këshilloni ndonjë gjë?

Përgjigje:

Përshëndetje dhe për ju, uroj të jeni mirë! Në qoftë se nuk ka ndonjë arsye neurogjenike apo psikogjene atëherë mund të kemi të bëjme me belbëzimin zhvillimor i cili ndodh gjatë moshës 2 deri në 5 vjeç, lidhet me aftësitë e të folurit të një fëmije që përpiqet të vazhdojë me aftësitë e tyre gjuhësore – fëmija ka idenë që dëshiron të shprehë, por ende po mëson se si ta shprehë atë me fjalë.

Meqenëse ata nuk janë në gjendje të verbalizojnë idenë me të njëjtin ritëm me të cilin po e mendojnë kjo mund të shfaqet si belbëzim. Por pasi ky belbëzim është shfaqur pas moshës 4 vjeçare dhe ju po e vëreni që po shtohet intensiteti i belbëzimit, iu rekomandoj që të konsultoheni nga afër me një logoped që të merrni informatat e duhura se si të menaxhoni belbëzimin në këtë moshë sidomos nëse vëreni që ka sjellje dytësore si: lëvizje të syve, duarve, trupit, tensionim, shmang bisedat,etj. Disa këshilla të përgjithshme se si të ndërhyni ju në shtëpi janë këto:

-Mundohuni të siguroni një mjedis të relaksuar.

-Lini kohë fëmijës të flas.

-Inkurajoni fëmijën tuaj të flasë me ju për tema argëtuese dhe të lehta,

-Mundohuni të mos reagoni në mënyrë negative, në vend të kësaj, lavdëroni për fjalimin e duhur.

-Mos e ndërprisni ndërsa ai është duke folur.

-Flisni ngadalë me fëmijën tuaj, të jeni ju si model se si duhet të flas, kjo mund ta ndihmojë atë që të flasë ngadalë.

-Kushtojini vëmendje fëmijës kur ai flet. -Prisni që të thotë fjalë ose fjali pa i thënë ato për të.

Logopede, Egzona Maloku

/natalmedia/

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kompjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forne tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts