Shkruan: Jeta Kastrati – Fizioterapeute
Për adoleshentët, aktiviteti fizik dhe fitnesi mund të kenë një ndikim shumë të rëndësishëm në zhvillimin fizik dhe mendor.
Megjithatë, si çdo aktivitet tjetër, ka edhe aspekte që kërkojnë kujdes dhe vëmendje.
Aktiviteti i rregullt fizik ndihmon në forcimin e muskujve, kockave dhe sistemit kardiovaskular. Ai gjithashtu kontribuon në rregullimin e peshës trupore dhe parandalimin e sëmundjeve kronike, përmirësimin e humorit, uljen e stresit dhe ankthit, dhe rritjen e vetëbesimit etj. Shpeshherë adoleshentët mund të angazhohen në aktivitete fizike të tepruara, duke e kaluar kufirin e mundësive të trupit të tyre. Kjo mund të çojë në lodhje të tepruar, humbje peshe të shëndetshme dhe dëmtime të muskujve.
Aktivitetet e tepruara mund të çojnë në dëmtime ose lëndime të kockave dhe ligamenteve.
Është thelbësore që programet të jenë të përshtatshme për moshën dhe nivelin e aftësisë. Në përgjithësi, adoleshentët të cilët dojnë të mirren me ushtrime fizike per të tonifikuar muskujt e tyre, duhet të përdorin pesha të lehta dhe një numër të madh përsëritjesh në vend që të ngrenë një ngarkesë të rëndë një ose dy herë.
Sasia e peshës do të varet nga mosha, madhësia dhe niveli i forcës së fëmijës.
Pa mbikëqyrje të duhur, adoleshentët mund të përdorin pajisje fitnesi ose teknikë të pasigurtë, duke rritur mundësinë e dëmtimeve.
Çfarë mund të bëjnë prindërit?
Siguroni që fëmija juaj të angazhohet në një program fitnesi të përshtatshëm për moshën dhe nivelin e tij të aftësive. Inkurajoni aktivitetet e shumëllojshme që përfshijnë forcë, fleksibilitet dhe kardio, duke e bërë fitnesin të argëtueshëm dhe të qëndrueshëm.
Këshillohuni me një trajner të kualifikuar ose mjek për të siguruar që programi të jetë i sigurt dhe i përshtatshëm. Gjithashtu, sigurohuni që fëmija juaj të pijë shumë lëngje dhe të hajë një dietë të shëndetshme sidomos në kohën kur mirret me aktivitet fizik. Fitnesi dhe aktiviteti fizik mund të jetë një mjet i fuqishëm për shëndetin e adoleshentëve, por është e rëndësishme që të praktikohet me kujdes dhe mbikëqyrje të duhur./natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”