Shkruan: Jeta Kastrati – Fizioterapeute
Rëndësia e trajtimit të hershëm fizioterapeutik Sindroma Guillain-Barre (GBS) te fëmijët është një çrregullim i rrallë ku sistemi imunitar i trupit sulmon qelizat nervore duke shkaktuar dobësim muskulor dhe në raste të rënda, paralizë të përkohshme.
Simptomet mund të ndryshojnë nga fëmija në fëmijë dhe mund të përfshijnë:
Humbje të ndjeshmërisë apo edhe dhimbje në gishtërinjë të duarve dhe të këmbëve
Dobësi muskulare të kembëve dhe të duarve
Vështirësi gjatë ecjes
Vështirësi me frymëmarrje etj.
Fizioterapia është një pjesë kyçe e rehabilitimit për fëmijët që preken nga kjo sëmundje, duke i ndihmuar ata të rikthehen në funksionin e plotë.
Pas periudhës akute të sëmundjes, e cila mund të kërkojë trajtim intensiv, fizioterapia është jetike për të ndihmuar pacientët të rikthehen në funksionet e tyre të përditshme dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës.
Efektiviteti i fizioterapisë varet nga disa faktorë si mosha,shëndeti i përgjithshëm, shkalla e dëmtimit të nervave, koha e nisjes së trajtimit etj.
Sa më herët të fillojë fizioterapia pas periudhës akute të sëmundjes, aq më efektive do të jetë. Fillimi i hershëm i fizioterapisë, ndihmon në ruajtjen e mobilitetit dhe parandalimin e atrofisë muskulore dhe parandalimin e kontrakturave.
Nëpërmjet një programi të rregullt dhe të personalizuar, fëmijët mund të arrijnë përmirësime të konsiderueshme dhe të rikthehen në aktivitete të zakonshme, duke mundësuar një rikthim sa më të mirë.
Duhet pasur parasysh që rehabilitimi është një proces gradual dhe mund të kërkojë muaj, ose edhe më shumë për disa pacientë.
Prandaj një plan trajtimi adekuat individual si dhe edukimi i prindërve për aktivitete të caktuara në shtëpi, janë gjithashtu të rëndësishme për suksesin në procesin e rehabilitimit./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”