Infeksionet urinare tek të rriturit

Nga Dr. Ismail Lutolli.

Specialist Pediatër

Subspecialist Dietolog-Nutricionist

 

A mund të parandalohen?

 

Infeksionet urinare tek të rriturit, bëjnë pjesë në grupin e infeksioneve më të shpeshta bakteriale tek njerëzit. Infeksioni mund të jetë i pranishëm në veshka, në rrugët urinare dhe në prostatë tek meshkujt.

Shumica e simptomeve të këtyre infeksioneve janë:

 

– Urgjencë e vazhdueshme dhe e fortë për të urinuar;

– Urinim shumë i shpeshtë;

– Dhimbje dhe djegie gjatë procesit të urinimit;

– Dhimbje në pjesën e poshtë të stomakut;

– Kokëdhimbje të shpeshta;

– Temperaturë të larta;

– Dridhje dhe ndjenjë jo komoditeti;

– Vjellje dhe diarre në raste më të rralla.

 

A mund të parandalohen infeksionet urinare?

Rregullat e arta për parandalimin e infeksioneve urinare janë:

 

Pastrim i rregullt i organeve gjenitale me ujë dhe me sapun të lëngshëm me pH 5,5 dhe pastrimi i pjesës anale nga përpara prapa.

 

Asnjëherë nuk guxoni të bëni pastrim nga prapa përpara, pasiqë në këtë mënyrë ju keni ndihmuar në infeksionin urinar. Pra, pastrimi i pjesës anale bëhet gjithmonë nga përpara prapa.

Para çdo akti seksual konsumoni një gotë me ujë

Urinoni para dhe pas marrëdhënies seksuale

Mos e shtyni asnjëherë nevojën që keni për të urinuar. Kur kjo ndodhë shkoni dhe kryeni aktin e urinimit. Çdo shtyrje shërben në fillimin e infeksioneve urinare

Mos shpejtoni gjatë urinimit por zbrazeni komplet fshikëzen urinare

Mos përdorni tampone vaginale

Nëse gratë përdorin dijafragmën, spiralet dhe metodat e tjera kontraceptive, këshillohuni me mjekun tuaj për ndryshimin e kontracepsionit

Rekomandohet dushi por jo mbushja e vaskës dhe larja në vaskë të mbushur me ujë

Evitoni përdorimin e sapunëve aromatizues, parfumeve apo gjërave tjera të parfumosura për higjienën e pjesëve intime. Të gjitha këto mund të nxisin infeksione urinare

Evitoni mbajtjen për kohë të gjatë të kostumeve të larjes nëse janë të lagura, sepse një mjedis i lagësht është i përshtatshëm për zhvillimin e mikroorganizmave, dhe më e mira do të jetë që të zhvisheni nga rrobat e larjes posa të keni përfunduar larjen apo dushin dhe të visheni me rroba tjera të thara

Patjetër të bëni dush pas larjes në pishina apo deti

Largohuni nga qëndrimi në vende të ftohta si beton, pllaka etj

Evitoni përdorimin e rrobave të brendshme (brekët) shumë të ngushta dhe të shkurtra

Vishni rroba intime pambuku e jo sintetike

Rrobat intime ndërroni së paku një herë në ditë

Mbathjet intime ti zieni në temperaturë të lartë dhe me detergjentë të butë, evitoni përdorimin e zbutësve dhe aromatizuesve si dhe para përdorimit patjetër t’i hekurosni

Merrni rreth tetë gota ujë të pastër ose lëngje në ditë. Rekomandohet: çaji i pastruar nga limoni, uvin çaj dhe çaj prej brusnice

Largohuni apo evitoni ushqimin e fërguar, ushqimin e konservuar pastaj pijet e gazuara, pijet alkoolike si dhe përdorimin e duhanit

Evitoni përdorimin për kohë të gjatë të vozitjes në biçikletë sidomos për meshkujt

Të mjekojë vatra të tjera infeksioni kudo që mund të ketë si: dhëmbë të prishur, grykët, infeksione të veshit, hundës dhe të rrugëve të frymëmarrjes

Perdorni sa me shume ushqimet e pasura me vitaminë C.

Vitamina C është një aleat i fuqishëm i sistemit imunitar për të luftuar sëmundjet, shumë e rëndesishme në parandalimin e infeksioneve urinare (një i rritur ka nevojë për 60 mg vitaminë C në ditë.)

Ushqimet e pasura më vitaminë C janë: agrumet, domatet, spinaqi, brokoli, asparagët, papaja, kivi, frutat e pyllit, specat jeshilë.

Mos përdorni asnjë mjekim pa ndonjë pajtim paraprak me mjekun përkatës!/natalmedia.com/

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts