Jam duke menduar ta dërgoj djalin tim në kopsht, është 1 vjeç e 9 muaj, por më dhimbset sepse më duket ende i vogël. Çfarë më këshilloni të bëj?

Pyetje:

Përshëndetje!

Kam një pyetje për psikologen.

Jam duke menduar ta dërgoj djalin tim në kopsht, është 1 vjeç e 9 muaj, por më dhimbset sepse më duket ende i vogël.

Çfarë më këshilloni të bëj?

 

Përgjigje:

Përshëndetje!

E kuptoj shumë mirë shqetësimin tuaj.

Në moshën 1 vjeç e 9 muaj, shumë fëmijë fillojnë të frekuentojnë çerdhen. Bazuar në hulumtime, është e preferueshme nëse është e mundur, fëmija të qëndrojë pranë prindërve deri në moshën 2 vjeç, pasi kjo ndihmon në krijimin e një lidhjeje të fortë emocionale, që është baza për sigurinë dhe pavarësinë e tij në të ardhmen.

Gjithsesi, çdo familje ka rrethana dhe nevoja të ndryshme, dhe vendimi për të nisur çerdhen varet nga këto faktorë.

Mos ndjeni faj për këtë vendim, nëse merret me kujdes dhe dashuri, ai është gjithmonë për të mirën e fëmijës.

Ja disa këshilla për ta lehtësuar këtë proces:

Ditët e para, filloni me qëndrime të shkurtra në kopsht, derisa fëmija të mësohet pak nga pak me ambientin e ri. Gradualisht shtoni kohën që ai kalon në çerdhe, duke e lejuar të adaptohet me ritmin e tij.

Flisni me edukatorët për të ndarë informacione rreth nevojave dhe preferencave të fëmijës.

Çdo fëmijë adaptohet ndryshe, por me durim dhe mbështetje, shumica e fëmijëve arrijnë të ndihen të sigurt dhe të lumtur në çerdhe.

Mos harroni, ky proces mund të jetë i vështirë në fillim, por fëmijët mësojnë të përshtaten me ambientet e reja dhe fitojnë aftësi të rëndësishme sociale dhe emocionale. Për çdo pyetje tjetër, mund të me shkruash.

Pukjana Geci, Psikologe klinike./natalmedia.com/

 

 

       *Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime      përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts