Këshilla dietologjike për festën e Bajramit

Shkruan: Dr.Ismail Lutolli
Subspecialist Dietolog-Nutricionist

 

Festo duke ngrënë shëndetshëm

 

Festa e bajramit për shumicën nga ne përbën momente gëzimi, festimi e vizitash të ndërsjella familjare e shoqërore, që në shumicën e rasteve përcillen edhe me shtrimin për të ngrënë e për të pirë ushqime e pije të ndryshme.

Festimi i bajramit dhe tradita e ushqyerjes për të gjithë ata që festojnë, e posaçërisht për ata që kanë agjëruar muajin ramazan, përbën një kthesë të madhe sa i përket ushqyeshmërisë.
Një kujdes i veçantë duhet ti kushtohet kësaj feste, në mënyrë që të kaloni sa më mirë duke festuar, por pa kaluar komplikime shëndetësore. Për agjëruesit nuk duhet të harrojnë se organizmi i agjëruesve për një muaj me radhë është ambientuar që për 18 orë me radhë të mos ha dhe pijë.
E tërë kjo ka ndikuar që organizmi të pastrohet nga toksinat e shumta dhe të ripërtërihet shumë nga qelizat e sistemeve të organizmit.
Gjatë tërë kësaj kohe, organizmi ka përjetuar një “pushim vjetor ” dhe është adaptuar në këtë mënyrë jetese dhe duke hequr dorë nga teprimet.

 

Kujdes me ushqimin gjatë festës së Bajramit

 

Me hyrje të festës së bajramit, një organizëm i tillë përjeton një shok të jashtëzakonshëm nëse nuk kemi kujdes dhe fillojmë të ushqehemi siç e do “tradita” : nga mëngjesi, kafeja, bakllava dhe shumë ëmbëlsira tjera, të cilat që të gjitha duhet provuar, lëngje nga më të ndryshmet përfshirë të gazuara etj, etj.
Po të ndalej me kaq nuk do ishte problem, por me fillimin e vizitave e që janë sigurisht mbi 10 apo 15 në ditën e parë të bajramit, fillon prapë rutina e njëjtë. Të festojmë këtë radhë në shtëpitë tona, që nesër të festojmë të gjithë së bashku do ishte këshilla kryesore ne mënyrë që te luftojmë sukseshëm COVID 19.
Bakllava nuk është problem një kockë por nëse provojmë me shumë kocka e disa pjesë torte gjithashtu ,kjo jo vetëm që është shok për organizmin por rrezikon direkt shëndetin.

• Asgjë nuk mund të jetë e dëmshme nëse merret në sasi të pakta

Asgjë nuk mund të jetë e dëmshme nëse merret në sasi të pakta, as bakllava por jo “gjysmën e tepsisë” së gatuar që shpeshherë ndodhë për festën e Bajramit.

 

 

Në vazhdim ju ofrojmë disa këshilla dietologjike – nutricioniste për festën e bajramit:

 

• Provoni që ditën e parë e bajramit të hani në sasi më të pakta, pra mund të hani më shpesh por sasia të jetë më e vogël.

• Filloni mëngjesin me dy hurme dhe një gotë ujë.

• Pasi keni pushuar konsumoni një nga pemët ose perimet (qershi, mollë, pjeshkë).

• Pas një ore mund të hani mëngjesin, por duke qenë një mëngjes i lehtë ( supë, thjerrëza etj, etj).

• Në mes mëngjesit dhe drekës merrni përsëri një nga pemët e përmendura më lartë.

• Dreka gjithashtu nuk duhet të jetë e rëndë dhe me shumë kalori. Përdorni patjetër supë para ushqimit dhe gjellën kryesore. Mirë do ishte që dreka gjithsesi të shoqërohej me sallata ekzistuese.

• Në vizitat që eventualisht mund të realizoni të të afërmit apo familjarët nuk është e thënë të përdorni të gjitha që ju ofrohen. Kërkoni ti përgjysmojnë dhe mund vetëm ti provoni shijen.Do të ju keshilloja ti evitoni vizitat ne mënyrë që luftes ndaj Covid 19 ti vie fundi.

• Mos përdorni pije të gazuara, nuk është e turpshme të kërkoni ujë.

• Numëroni numrin e kafesë dhe mos përdorni më shumë sesa 2 apo 3 kafe tërë ditën.

• Darka gjithashtu të jetë e lehtë e cila mund të shoqërohet edhe me ndonjë nga pemët.
• Mos e teproni me gatime të gjellëve me përmbajtje të mishrave të dhjamosura pa masë, zëvendësoni sa të mundeni me gjella me perime.

• Sa herë të keni mundësi evitoni ëmbëlsirat dhe zëvendësoni ato me pemë, jogurtë ose sallata.

Ditët e bajramit pas një muaj agjërimi do të duhej të ishin ditët e adoptimit të serishëm të organizmit, tani me një regjim të ri të ushqimit, e jo ditët e kompensimit të tërë asaj që nuk kemi arritur të hamë gjatë agjërimit.

Organizmi përmes agjërimit është adaptuar me një sistem të shëndetshëm të ushqimit dhe jetës dhe do të ishte mirë që e tërë kjo të mos rrënohej pikërisht me fillimin e festës së bajramit.

Çdo kapërcim të këtyre këshillave dhe ngrënia pa kontroll, mund të sjellë probleme të traktit tretë s(vjellje, jashtëqitje, mundime e dhimbje stomaku, sistemit kardiorespirator, lodhje, përgjumje e në raste më të rralla edhe ndonjë krizë kardiake, të gjitha këto janë shenja të qarta që e keni ngarkuar organizmin në mënyrën që nuk duhet.

• Për fund, mos harroni festa e Bajramit është një festë e paqes e solidaritetit andaj mos kurseni te shpërndani dashuri, ngrohtësi, ripërtërije të lidhjeve familjare e shoqërore.
Lumturoni jetërat e juaja duke lumturuar te varfërit, jetimët, familjarët, shoqërinë.
Nëse keni kujdes me ushqimin, ju mund të shpërndani urata e gëzime pa pasur nevojë të keni kujdes fare, pasi ato vetëm sa do e përmirësojnë gjendjen tuaj shpirtërore dhe do sjellin gëzim tek të tjerët.

Urime dhe gëzofshi e pritshi shumë festa të Bajramit në paqe e lumturi me rrethin tuaj familjar e shoqëror./natalmedia.com/

 

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts