Kur janë të panevojshëm antibiotikët?

Dr.Ismail Lutolli Spec Pediater
Subspecialist Dietolog-Hematolog
Subspecialist Pediater Hematolog-Onkolog.

 

Në trajtimin e infeksioneve virale, antibiotikët sigurisht që nuk ndihmojnë madje mund të përkeqësojnë gjendjen në përgjithësi.
Antibiotikët mund të përdoren vetëm kundër infeksioneve të shkaktuara nga bakteriet kur kjo konstatohet me analizat përkatëse ose kur gjendja klinike është e qartë.

Të paktën 90% e të gjithë infeksioneve të frymëmarrjes shkaktohen nga virusët dhe në këto raste nuk është e nevojshme përdorimi i antibiotikëve.
Ne praktikën e përditshme është e qartë që infeksionet virale shpesh deklarohen bakteriale dhe shumica e këtyre infeksioneve te fëmijët gabimisht trajtohen me antibiotikë.
Të dy llojet e infeksioneve kanë të njëjtat simptoma.

Një rregull i thjeshtë për t’u dalluar:

1. Te infeksionet virale sekretimi nga hunda ose fyti është i pastër, i trashë, i rrallë.

2. Te infeksionet bakteriale sekretimi nga hunda është i trashë, ngjitës, shpesh me erë dhe të bardhë, i verdhë apo i gjelbërt.

Është shumë e rëndësishme që mjeku por edhe prindërit të dinë se në shfaqjen e këtij lloji të sekretimit, antibiotiku nuk duhet të merret menjëherë, por fëmija duhet të vëzhgohet.
Vetëm nëse gjendja e fëmijës përkeqësohet dhe kemi shfaqjen e nje infeksioni bakterial, atëherë mund të merret një antibiotik, natyrisht pas kontrollës dhe konsultimit paraprak me mjekun për llojin, dozën dhe kohëzgjatjen e trajtimit me antibiotikë.
Një fëmijë që merr një antibiotik,do të ishte mirë të mos shkonte në ambiente kolektive (kopësht, shkollë) në ato ditë kur është i sëmurë dhe gjatë marrjes së terapisë, por të qëndrojë në shtëpi, nëse është e mundur, sepse trupit i duhet kohë të shërohet nga sëmundja.

Një nga problemet më të mëdha në përdorimin e nxituar dhe te pajustifikuar te antibiotikëve është zhvillimi i shtameve rezistente të mikroorganizmave, duke i bërë ato rezistente ndaj veprimit të antibiotikëve. Kjo në raste të caktuar në të ardhmen mund te komplikoj e rrezikoj direkt jetën e këtyre pacientëve pas sëmundjeve serioze që mund të kenë e kur është i domosdoshëm përdorimi i këtyre antibiotikëve./natalmedia.com/

 

 

 *Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts