Marëdhëniet e dhimbshme intime

Nga: Dr Samire Ademi Lutoll

Specialiste-Gjinekologe dhe Obstetre

Specialiste në subspecializim për infertilitet

Marëdhëniet e dhimbshme nuk janë të rralla. Pothuajse të gjitha grate së paku një herë në jetë kanë pasur dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale.
Për disa një marrëdhënie e dhimbshme është vetëm një dukuri momentale, ndërsa për të tjerat është një problem i vazhdueshëm.
Ndonjëherë marrëdhëniet e dhimbshme mund të jenë shenjë e ndonjë problemi gjinekologjik, siç janë cistat në vezore, endometrioza, ndryshime në vulvë, thatësi vaginale, por edhe probleme me seksualitetin – mungesë dëshire për marrëdhënie apo mungesë eksitimi seksual.

Problemet seksuale ndonjëherë mund të jenë rezultat i problemeve në marrëdhënie, por edhe pasojë e marrjes së medikamenteve të caktuara, të tilla si kontraceptivë, disa ilaqe kundër depresionit dhe analgjezikëve, si dhe gjendje të tilla si artriti, diabeti, kanceri dhe çrregullimet e tiroides (rritje e funksionit të tiroides ose ulje e funksionit të tiroides ).
Vendet më të zakonshme ku ndihet dhimbja gjatë aktit seksual janë buzët e mëdha, hyrja në vaginë ose pjesa e brendshme e vaginës.

 

Gjendjet gjinekologjike që mund të shkaktojnë marrëdhënie të dhimbshme janë:
Sëmundjet e lëkurës – dermatiti i kontaktit si pasojë e reagimit ndaj sapunëve, dezinfektuesve, lubrifikantëve, që rezulton me djegie dhe kruajtje. Pas shërimit të gjendjes bazë, marrëdhëniet e dhimbshme ndërpriten.
Vulvodinia – një gjendje kur dhimbja në formë djegieje dhe thumbimi shfaqet vetëm në hyrje të vaginës, dhe shkaku nuk është i dukshëm – nuk ka ndryshime në lëkurë ose shenja infeksioni dhe strishot e asaj zone janë sterile. Ndonjëherë, në varësi të shkakut, nevojitet terapi medikamentoze apo dhe intervenim kirurgjik për ta kuruar atë.
Shkaqet hormonale – Ulja e nivelit të hormonit estrogjen gjatë menopauzës dhe perimenopauzës mund të çojë në thatësi vaginale. Në këto raste ndihmon terapia lokale hormonale ose përdorimi i lubrifikantëve gjatë marrëdhënieve seksuale, po ashtu shumë efektive është edhe terapia me laser e thatësisë vaginale.
Vaginiti – shfaqja e një infeksioni vaginal, më së shpeshti i shkaktuar nga kërpudhat dhe vaginoza bakteriale. Simptomat përfshijnë një ndjesi djegieje, kruajtje dhe dhimbje, dhe ndonjëherë dhimbje gjatë urinimit dhe gjatë marrëdhënieve seksuale. Vaginiti trajtohet me pë rdorimin lokal të vaginaletave, e në disa raste edhe me antibiotikë dhe ekzistimi i infeksionit përcaktohet me strisho të vaginës.
Vaginismus – tkurrje refleksive e muskujve të vaginës. Terapia përfshin medikamente dhe ushtrime e teknika relaksimi.
Gjendja pas lindjes – nëse lindja ka qenë e vështirë, ka pasur një çarje në perineum ose brenda vaginës, mund të ketë dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale. Trajtohet me fizioterapi, medikamente apo ndërhyrje kirurgjikale.
-Endometrioza
Adhesionet (ngjitjet) dhe plagët – trajtohen me sukses me terapi lazer.
Nëse keni një problem të dhimbshëm në marrëdhënie, sigurohuni që të kontaktoni gjinekologun tuaj për të gjetur shkakun.

Sidoqoftë disa nga gjërat që mund të provoni edhe vetë janë:
Përdorimi i lubrifikantëve – Ka lubrifikantë me bazë ujore (që përdoren në rastet e ndjeshmërisë së vaginës apo acarimit të saj) dhe me bazë silikoni, të cilët qëndrojnë më gjatë dhe janë më “rrëshqitës”. Nëse përdorni prezervativë si metodë kontracepsioni, mos përdorni solucione vajore pasi ato mund të shkaktojnë plasjen e prezervativit.
Ndani kohë të mjaftueshme për marrëdhënie intime, në mënyrë që të mund të relaksoheni mjaftueshëm.
Flisni me partnerin tuaj dhe tregoni kur raporti ju lëndon, në mënyrë që të përshtateni.
Përpara marrëdhënies, provoni teknika relaksimi – shtrihuni në një banjë të ngrohtë, urinoni, mund të merrni paracetamol para marrëdhënies seksuale./natalmedia/

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts