Pyetje:
Me kalimin e moshës na janë shtuar disa probleme bashkëshortore dhe mendoj se arsyeja është se nuk kemi jetë të rregullt intime. Nuk kam dëshirë, ndjej dhimbje dhe kam thatësi vaginale.
Përgjigje:
Dëshira për marëdhëniet intime zvogëlohet me kalimin e viteve dhe marëdhëniet intime në menopauzë mund të jenë të pakëndshme për shkak të rënies së niveleve të estrogjenit te gratë. Gjithashtu dëshira për marrëdhëniet intime mund të përkeqësohet nga kushtet që ndodhin më shpesh në menopauzë – depresioni, simptomat e menopauzës ose stresi.
Si rezultat, mund të ketë probleme me partnerin dhe distancën mes partnerëve.Megjithatë, ka shumë gjëra që mund të bëhen për të reduktuar këto shqetësime dhe për të rikthyer kënaqësinë e marrëdhënieve intime.
Nëse ka thatësi të vaginës, që është një problem shumë i zakonshëm në menopauzë, si pasojë dhe marrëdhënie të pakëndshme dhe të dhimbshme, madje edhe gjakderdhje të pakta (për shkak të një muri më fragjil të vaginës), duhet të shmangni larjen me sapun të zakonshëm dhe të pastroheni vetëm me ujë të vakët ose tretësirë speciale për kujdes intim.
Para marrëdhënies duhet të aplikohet një lubrifikant, i cili do të zvogëlojë tharjen e vaginës dhe do të lehtësojë marrëdhëniet seksuale dhe në të njëjtën kohë do të rrisë kënaqësinë.
Nëse këto solucione nuk ju ndihmojnë, duhet të konsultoheni me gjinekologun dhe të shqyrtoni mundësinë e terapisë zëvendësuese hormonale, e cila mund të jetë në formë tabletash, patchesh, unazash, por nëse nuk dëshironi, mund të aplikohet vetëm në mënyrë lokale, një krem vaginal, i cili do të shtojë lëngjet natyrale të vaginës.
Në rast të shqetësimeve emocionale, depresionit, stresit etj., është e nevojshme të bisedoni me një mjek, nëse është e mundur, që pasi të keni biseduar me një psikolog ose psikoterapist, të merret parasysh mundësia e antidepresantëve, të cilët përmirësojnë gjendjen e përgjithshme psikologjike, dhe rrjedhimisht energjinë dhe vullnetin.
Aktiviteti i rregullt fizik me intensitet të moderuar do të ndihmojë në uljen e ndjenjës së lodhjes, rritjen e niveleve të energjisë dhe zvogëlimin e rrezikut të depresionit.
Dr Samire Ademi Lutolli
Specialiste-Gjinekologe dhe Obstetre/natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”