Shkruan: Egzona Maloku – Logopede
Faji dhe ndjenjat e zhgënjimit të nënës janë krejtësisht normale kur kemi të bëjmë me një fëmijë që është diagnostikuar me një çrregullim komunikimi ose ndonjë çrregullim në lidhje me këtë çështje.
Ky lloj faji mund të kuptohet si një ndjenjë që nuk po bëni mjaftueshëm si prind. Ju mund të keni një ndjenjë që prindërimi juaj nuk po plotëson nevojat e fëmijës suaj, se ju nuk po përballeni ose se veprimet tuaja po ndikojnë negativisht në fëmijën tuaj në planin afatgjatë.
Si logopedë, kur japim lajmin për një vonesë gjuhësore apo të të folurit prindërit shpesh pyesin: “A e shkaktova unë vonesën e të folurit të fëmijës tim? Çfarë mund të kisha bërë ndryshe?” Nëse e keni ndjerë ose pyetur veten këtë ose po e ndjeni tani ju themi se vonesa e të folurit të fëmijës suaj nuk është absolutisht faji juaj. Mundohuni të mbani në mend se nuk jeni vetëm që ndiheni në këtë mënyrë. Ju po ecni këtë rrugë së bashku me shumë prindër të tjerë (të mrekullueshëm) që i kuptojnë përvojat tuaja. Disa nga prindërit më të mrekullueshëm që njohim janë ulur në dhomat tona të terapisë logopedike dhe po punojmë së bashku që të arrijmë qëllimin për zhvillimin e gjuhës dhe të folurit për të vegjëlit e tyre.
Nëse vonesat e të folurit dhe të gjuhës do të shkaktoheshin nga prindërit nuk do të kishte logoped që do të kishin fëmijët e tyre me vonesa gjuhësore. Nuk do të kishte gjithashtu kuptim që prindërit të cilët nuk e bënë kurrë prioritet të folurin dhe gjuhën të kenë fëmijë që kalojnë pa asnjë vështirësi zhvillimin gjuhësor.
Nuk është ndonjë gjë që keni bërë apo nuk keni bërë ju, ka shumë arsye pse ndodhin vonesa në të folur dhe në gjuhën si:
Autizmi, Humbja e dëgjimit, Trauma, Çrregullime të përpunimit fonologjik, Infeksionet kronike të veshit, Vështirësi orale-motorike, Prematuriteti, Vonesa konjitive, Shfaqja e vonshme e gjuhës (“folës të vonshëm”), etj.
Asnjë nga këto nuk është nën kontrollin tuaj si prind 💛, Asnjë!
Vonesat mund të shkaktohen gjithashtu nga neglizhenca, abuzimi, mos stimulimi i duhur ose një ngjarje ose rrethanë që ishte vërtet shkatërruese për zhvillimin. Këta janë skenarë atipikë edhe pse rrallë i hasim. Ju mund të bëni të gjitha gjërat e duhura për të voglin tuaj dhe gjithsesi të keni një folës të vonë ose një fëmijë me vonesë. Për një mori arsyesh, disa fëmijë thjesht kanë nevojë për më shumë ndihmë se të tjerët për disa gjëra.
PERSONI MË I MIRË PËR TË NDIHMUAR FËMIJËN TUAJ JENI JU!
Nuk jeni ju shkaku i vonesës së fëmijës suaj, por ju mund të jeni një pjesë e madhe e enigmës kur bëhet fjalë për përmirësimin e aftësive të tyre të komunikimit në vijimësi!
Si logopedë, ne nuk ndërhyjmë dhe “rregullojmë” një vonesë gjatë një sërë seancash terapie. (Edhe pse ndonjëherë dëshirojmë që ne të mund ta bëjmë këtë për ju dhe fëmijën tuaj). Ju jeni me fëmijën tuaj më shumë seç mund të ishim ne ndonjëherë. Pra, në vend që të jemi “pronarët” e planit të terapisë së fëmijës suaj, ne do të bashkëpunojmë me ju dhe familjen tuaj, duke ju mësuar t’i ndihmoni ata të përparojnë. Ka absolutisht gjëra që mund të bëni për të mbështetur fëmijën tuaj në zhvillimin e tij gjuhësor. Këta janë hapat e parë që ju rekomandojmë të ndërmerrni: kaloni kohë me fëmijën tuaj, bashkëbisedoni me ta, simuloni të folurit, këndoni dhe luani së bashku, lexojuni përralla, bëni aktivitete së bashku, mos lejoni që fëmija të kaloj kohë më shumë para ekraneve sesa me ju! Kontaktoni një logoped që të mund të i dilni në ndihmë fëmijëve tuaj dhe punoni së bashku rreth qëllimeve!
Është e pazakontë që një prind të bëjë diçka që shkakton në mënyrë aktive një vonesë në të folur. Por me një prind të angazhuar të trajnuar nga një logoped të aftë, fëmijët me vonesë të të folurit bëjnë përmirësime të mëdha!/natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”