Ngërçe dhe dhimbje stomaku gjatë shtatzënisë: Çfarë është normale dhe kur duhet të shkoni urgjentisht te mjeku

Ngërçet ndodhin relativisht shpesh gjatë shtatzënisë, dhe nënat në pritje ndonjëherë janë të frikësuara për shkak të kësaj, gjë që është mjaft e kuptueshme. Për të mos u futur në një situatë ku ju kap paniku në çdo ngërç në stomak, do t’ju ndihmojmë të dini se çfarë të prisni në çdo tremujor.

 

Tremujori i parë

NORMAL: Gjakderdhje nga implantimi dhe zgjerimi i mitrës

Trupi juaj kalon nëpër shumë ndryshime, mos u çuditni nëse papritmas bëheni të fryrë, të ndjeshëm dhe të lodhur dhe gjithashtu keni një ndjenjë të çuditshme në stomak. Gjegjësisht, studimet shkencore kanë treguar se rreth 20 për qind e grave ndjejnë ngërçe, dhimbje dhe gjakderdhje në fillim të shtatzanisë.

Përveç kësaj, fetusi kalon nëpër ndryshime të mëdha në javët e para, kështu që nga një qelizë e vogël bëhet një qenie e vogël njerëzore në dhjetë javë. Kjo gjithashtu do të thotë se gjatë kësaj kohe mitra juaj rritet nga madhësia e një arre në madhësinë e një portokalli, madje edhe pas kësaj ajo do të vazhdojë të zgjerohet dhe të zmadhohet.

Gjithashtu, ndryshimet hormonale që janë shumë intensive gjatë shtatzënisë mund të shkaktojnë gazra, fryrje dhe kapsllëk,  dhe pasojat mund të jenë dhimbje stomaku ose ngërçe.

 

PARALAJMËRIM: dhimbja e mprehtë, e papritur e përcjellur me gjakderdhje

Pra, ngërçet në vetvete nuk janë shenjë aborti, siç mendojnë shumë gra shtatzëna, por një dhimbje e mprehtë, e vazhdueshme në fund të barkut, e shoqëruar me gjakderdhje, është një shenjë se duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

 

Tremujori i dytë

NORMAL: Dhimbje në ligamentet tuaja

Në tremujorin e dytë, shanset për abort zvogëlohen shumëfish dhe përveç kësaj do të ndihen më rehat sepse kanë kaluar shumë simptoma disi të pakëndshme të shtatzënisë.

Megjithatë, disa gra përjetojnë dhimbje dhe ngërçe më të lehta midis javës së 15-të dhe 26-të, dhe arsyeja për këtë zakonisht është zgjerimi i ligamenteve. Ligamenti i rrumbullakët është një muskul që mbështet mitrën dhe kur ajo shtrëngohet mund të ndjeni një dhimbje të mprehtë si një goditje me thikë ose një dhimbje të lehtë në pjesën e poshtme të barkut. Ajo tremb shumë gra shtatzëna, por është një dhimbje që zgjat për një kohë të shkurtër, jo më shumë se dy minuta.

Ju mund të përpiqeni t’i zvogëloni këto dhimbje duke marrë frymë thellë dhe duke u shtrirë në anën e majtë. Dhimbje të shtuara mund të shfaqen në njërën anë të barkut pasi mitra vazhdon të rritet, dhe megjithëse nuk është e këndshme, është krejtësisht normale.

PARALAJMËRIM: Dhimbje të vazhdueshme ose gjakderdhje të bollshme

Nëse ndjeni një dhimbje të fortë që nuk ndalet në pjesën e poshtme të stomakut, së bashku me dhimbje në shpatulla dhe qafë, marramendje dhe disa probleme me tretjen, rekomandohet të shkoni te mjeku.

Gjithashtu, gjakderdhja e bollshme e shoqëruar me dhimbje duhet marrë seriozisht sepse mund të tregojë shkëputje të placentës, pra ndarje të saj. Lajmi i mirë është se kjo ndodh rrallë, në rreth një për qind të shtatzënive.

 

Tremujori i tretë

NORMAL: Kontraksionet Braxton-Hicks

Dhimbjet false të lindjes ose kontraktimet Braxton-Hicks janë krejtësisht normale gjatë shtatzënisë. Ato janë mjaft të ngjashme me kontraktimet reale, por janë të parregullta, zgjasin rreth njëzet sekonda dhe nuk janë shenjë se lindja ka filluar.

Ato mund të shkaktohen nga ushtrimet e rënda, marrëdhëniet intime ose ngritja e diçkaje të rëndë. Sigurisht, nëse ndjeni ndonjë dhimbje të çuditshme ose ngërç në zonën e stomakut, është mirë të shkoni te mjeku për t’u siguruar se gjithçka është në rregull.

PARALAJMËRIM: Kontraksione të zgjatura ose gjakderdhje spontane

Ndërsa shtatzënia përparon, duhet t’i kushtoni vëmendje çdo dhimbjeje ose tkurrjeje pasi ato mund të tregojnë lindje të parakohshme. Nëse ndjeni dhimbje që nuk largohet ose keni kontraktime që ndodhin për disa minuta, kontaktoni menjëherë mjekun tuaj./natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

 

 

SHPËRNDAJE:

Related posts