Postura (qëndrimi jo i drejtë) dhe ndikimi në zhvillimin fizik te fëmijët

Shkruan: Jeta Kastrati – Fizioterapeute

Viteve të fundit përdorimi i teknologjisë nga ana e fëmijëve është dukuri në rritje, gjë që po ndikon negativisht në posturën e fëmijëve dhe në shëndetin e përgjithshëm muskuloskeletal.

Mbajtja e posturës së rregullt apo korrekte është shumë e rëndësishme për shëndetin e shtyllës kurrizore dhe mirëqenien e përgjithshme, sidomos te fëmijët të cilët janë ende në fazën e rritjes.

Kur fëmijët qëndrojnë në një pozicion jo të mirë për një kohë të gjatë, ushtrohet stres në muskujt, ligamentet dhe në shtyllën kurrizore. Ky qëndrim për një kohë të gjatë, bën që lakesat fiziologjike të shtyllës kurrizore të pësojnë devijim apo ndryshim dhe fëmijët pastaj kanë predispozita të zhvillojnë skoliozë apo kifozë. Prindërit duhet të kuptojnë që është shumë me rëndësi mbajtja e posturës së rregullt te fëmijet, në të kundërtën, një posturë e dobët mund të shkaktojë çekuilibër të muskujve, duke dëmtuar shtyllën kurrizore dhe duke rritur rrezikun e problemeve si skolioza, kifoza etj.

Mbatja e një posturës korrekte, ndihmon në vendosjen e duhur të shtyllës kurrizore, ul tendosjen e muskujve, ligamenteve dhe mbështet lakesat fiziologjike të shtyllës kurrizore.

Prindërit duhet të inkurajojnë fëmijët që të qëndrojnë drejtë, të përdorin muskujt e barkut dhe të mbajnë kokën lartë gjë që mund të ndihmojë në mbështetjen e një shtylle kurrizore të shëndetshme. Nëse fëmijët tuaj përdorin teknologjinë, duhet të ngrenë ekranet e tyre në nivelin e syve kur përdorin telefona ose tableta dhe sugjeroni ata që ta mbajnë pajisjen në nivelin e syve sa më shumë që të jetë e mundur, për të minimizuar tendosjen në qafë dhe pjesën e sipërme të shtyllës kurrizore.

Këshillojini ata të bëjnë pushime të rregullta kur përdorin teknologjinë, për të parandaluar periudha të gjata të qëndrimit të dobët. Fëmijët të cilët kanë një posturë jo korrekte përpos problemeve të lartëcekura, mund të kenë probleme me dhimbje të shpinës, dhimbje të qafës, tendosje të muskujve etj. Dhe nëse nuk i kushtohet vëmendje shëndetit të shtyllës kurrizore në fëmijëri, kjo mund të rrisë rreziqet e artritit, osteoporozës dhe problemeve të tjera të shtyllës kurrizore në moshë madhore. Kontrollet e rregullta intervenimi i hershëm te fëmijët, janë të rëndësishme për zbulimin dhe korrigjimin në kohë të qëndrimit jo korrekt./natalmedia.com/

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts