Pse fëmija im po kafshon fëmijët e tjerë në kopsht?

Shkruan: Pukjana Geci – Psikologe klinike

Kafshimi te fëmijët është një sjellje shqetësuese, e cila mund të frikësojë viktimën dhe të shqetësojë prindërit e të dy palëve.

Kur kjo ndodh te fëmijët e vegjël, është e rëndësishme të mos injorohet.

Nevojitet vlerësimi i situatës për të kuptuar se kur filloi dhe arsyet pse ndodhi. Fëmijët kafshojnë për shumë arsye.

Kur fëmija ende nuk ka zhvilluar mjaftueshëm aftësitë gjuhësore për të shprehur emocionet, si zemërimin, frustrimin ose gëzimin, ai mund të përdorë kafshimin si një mënyrë për t’i shprehur këto ndjenja.

Disa fëmijë ndihen të frustruar ose të kërcënuar dhe e përdorin kafshimin si një mënyrë për të reaguar. Në raste të tjera, kafshimi mund të jetë një formë për të treguar fuqinë ose për të tërhequr vëmendjen, sidomos nëse fëmija ndihet i anashkaluar. Është thelbësore t’i ndihmojmë fëmijët të njohin dhe të shprehin ndjenjat e tyre në mënyra më të përshtatshme.

Fëmijës duhet t’i thuhet qartë se kafshimi është sjellje e papranueshme dhe t’i shpjegohet pse. Për shembull, mund të thuhet:

“Kafshimi i lëndon fëmijët e tjerë. Unë nuk do të lejoj që dikush të të lëndojë, por as ti nuk mund të lëndosh të tjerët.”

Nëse kafshimi përsëritet, mund të përdoret një qasje ku fëmija të ndahet përkohësisht nga grupi i fëmijëve për një periudhë reflektimi mbi sjelljen e tij. Kjo i jep fëmijës mundësinë të kuptojë se sjelljet e tilla kanë pasoja. Gjatë kësaj kohe, mund t’i shpjegohet se do të mund të kthehet të luajë me fëmijët e tjerë vetëm kur të tregojë që është gati të ndalë kafshimin. Kjo ndihmon jo vetëm në parandalimin e lëndimeve të tjera, por gjithashtu dekurajon përsëritjen e kafshimit në të ardhmen./natalmedia.com/

 

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts