PSE FËMIJA JUAJ GËNJEN DHE SI DUHET TË REAGONI

Shumica e prindërve do të ballafaqohen në një situatë ku e kapin fëmijën e tyre në gënjeshtër. Psikologia Julija Kroka tregon pse fëmijët gënjejnë në mosha të ndryshme dhe si është më mirë të reagoni në përputhje me moshën e fëmijës.

 

Nga tre deri në pesë vjet: Arsyeja e gënjeshtrës është imagjinata

Detyra kryesore e një fëmije në këtë moshë është të zbulojë botën përmes lojës. Fëmija është “qendra e Universit”, dhe nëna, babi, gjyshja, gjyshi dhe të gjithë përreth lëvizin në orbitën e tij. Arsyeja më e zakonshme pse fëmijët në këtë moshë gënjejnë është imagjinata. Ata ende nuk mund të bëjnë dallimin midis asaj që është realitet dhe asaj që nuk është, kështu që ata mund të besojnë sinqerisht se kanë parë, të themi, një qen vjollcë ose një qilim fluturues.

Çfarë duhet bërë

Mos e akuzoni fëmijën për gënjeshtër. Nga ana tjetër, as mos e inkurajoni duke mbështetur pamjen e imagjinuar të realitetit. Nëse fëmija këmbëngul që ajo që thotë është e vërtetë, me butësi, por me këmbëngulje sqarojini se kjo nuk po ndodh në realitet.

 

Nga shtatë deri në dhjetë vjet: Gënjeshtra për të shmangur dënimin

Kjo është një periudhë shumë e qëndrueshme në zhvillimin e fëmijëve, kur energjia e tyre mendore përqendrohet në të kuptuarit e botës që i rrethon. Detyra e tyre kryesore është të fitojnë njohuri. Në thelb, në këtë moshë, fëmijët gënjejnë ose nga frika se mos ndëshkohen ose për të mos i zhgënjyer prindërit e tyre.

Çfarë duhet bërë

Nëse fëmija juaj gënjen nga frika e ndëshkimit, mund t’ju duhet të rishikoni strategjinë tuaj të prindërimit. Ndëshkimi mund të ketë një efekt të keq në vetëbesimin e fëmijës dhe ekspertët theksojnë vazhdimisht se disiplina funksionon shumë më mirë sesa ndëshkimi.

Nëse arsyeja e gënjeshtrave të fëmijës është se ai nuk dëshiron t’i zhgënjejë prindërit, atëherë duhet t’i përgjigjeni pyetjeve: pse ju duhen arritjet e fëmijës, çfarë do të ndodhë nëse fëmija nuk ka sukses, a do të ndryshojë sjellja juaj ndaj tij?

 

Nga 10 deri në 13 vjeç: Gënjejnë për të tërhequr vëmendjen

Në këtë periudhë të rritjes, fëmija ndryshon si nga pamja fizike ashtu edhe të asaj emocionale. Detyra e tij kryesore në këtë moshë është të gjejë aktivitete që i interesojnë, prandaj shpesh ndryshojnë hobi. Kjo në fakt do të jetë e dobishme më vonë, sepse fëmija do të dijë saktësisht se çfarë i intereson dhe çfarë jo. Në këtë moshë, fëmijët më shpesh gënjejnë për të tërhequr vëmendjen.

Çfarë duhet bërë

Në këtë fazë të rritjes, fëmija pjesërisht sillet si i rritur, por ende ka nevojë për mamin dhe babin. Epo, nëse ai ju thotë se i dhemb barku, ndoshta arsyeja nuk është se nuk dëshiron të shkojë në shkollë, por se ka nevojë që mami dhe babi t’i kushtojnë pak vëmendje.

 

Nga 14 deri në 17 vjeç: Gënjeshtra për t’u larguar nga prindërit

Në adoleshencën e hershme, hormonet “egërsohen”, fëmija duket i rritur plotësisht, por ai ende nuk është aq i fortë mendërisht për t’i bërë ballë të gjitha përvojave emocionale.

Kjo moshë karakterizohet nga rritja e komunikimit me bashkëmoshatarët, interesi për gjinin e kundërt, ndarja nga prindërit. Më shpesh, fëmijët në këtë fazë të rritjes gënjejnë për hir të mirëqenies së tyre ose sepse nuk duan t’i lënë prindërit në botën e tyre, duan të distancohen.

Çfarë duhet bërë

Nëse fëmija gënjen sepse nuk do që t’i lërë prindërit në botën e tij, atëherë ka vetëm një zgjidhje – “hiqni dorë” pak, domethënë mos u përpiqni të kontrolloni adoleshentin tuaj gjatë gjithë kohës.

Në këtë periudhë është më e rëndësishme që fëmija të mos humbasë besimin tek ju. Flisni me të për faktin se ai ka të drejtë të bëjë gabime, se ju jeni aty për ta ndihmuar dhe mbështetur në çdo situatë.

Cilado qoftë mosha e fëmijës, detyra më e rëndësishme e prindit është të kuptojë pse fëmija gënjen, sepse vetëm kështu keni një shans për të mbajtur situatën nën kontroll./natalmedia.com/

 

 

 *Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts