Shenjat e hershme paralajmëruese të kancerit tek fëmijët

Shkruan: Dr Ismail Lutolli specialist pediatër,
Subspecialist hematolog dhe onkolog
Organizmi i fëmijëve gjithmonë do të paralajmërojë për një sëmundje e cila ka filluar. Shenjat apo paralajmërimet mund të jenë me vite, muaj, javë apo ditë para se të shfaqet një sëmundje kanceroze (leukemia).

Ankthi i çdo prindi është mjaft i madh në një situatë ku një fëmijë është i sëmurë rëndë, dhe prindërit nuk e gjejnë dot se çfarë e mundon e çfarë problemesh ka.

Tek një fëmijë i vogël, në fakt, ankesat e tyre nuk mund të shprehen, dhe nisur nga kjo, ekziston rreziku që shenjat e disa sëmundjeve të rënda të shkojnë pa u vënë re, ose të mendohet se ato janë shenja të zakonshme, por në të vërtetë jemi duke folur për shenjat e para të sëmundjes së rëndë.

Dështimi për të njohur simptomat e para të sëmundjes serioze qoftë nga familjarët apo mjeku, mund të kërcënojë jetën e një fëmije.

Në mënyrë të veçantë, në rastin e sëmundjeve kanceroze (leukemisë apo llojeve tjera të kancerit), nëse shenjat nuk njihen mund te kemi vonesë në diagnostifikim dhe e tërë kjo zvogëlon gjasat për një shërim të suksesshëm.

Një proces malinj që mbetet i panjohur me ditë, javë apo muaj zakonisht avanson dhe gjasat e shërimit zvogëlohen.
Diagnostikimi i hershëm është mënyra më efikase edhe e shërimit. Çdo diagnostifikim i hershëm mund të shpëtojë jetën e fëmijëve tuaj.

Në vazhdim do japim disa këshilla rreth simptomave tek fëmijët tuaj, të cilat ju si prindërit nuk duhet t’i injoroni.

15 shenjat e mundshme të një sëmundjeje kanceroze 
1. Lodhje e theksuar, humbje e oreksit e pa shpjeguar me probleme tjera. Deri para një kohe ishte një fëmijë aktiv, e tani kohën e fundit nuk luan, është i përgjumur dhe ka lodhje e këputje të përgjithshme.
2. Infeksionet e shpeshta, të tilla si ftohjet, fyt i skuqur dhe pneumoni mund të jenë shenja të leukemisë, një sëmundje për fat të keq, mund të mbeten të pazbuluara për muaj.
3. Një anemi e përcjellë edhe me gjendje të përgjithshme jo të mirë të fëmijës.
4. Humbje të pashpjegueshme në peshë e shoqëruar shpesh edhe me djersitje natën dhe kollë.
5. Ndryshimet në zonën e syve – maviosje dhe formimi i rrathëve të zbehtë nën sy, humbja e shikimit.
6. Njolla në lëkurë, për shkak të trombociteve të ulëta mund të shfaqen në trupin e fëmijut pa pësuar ndonjë lëndim.
7. Imazhi i dyfishtë apo shiqimi i dyfishtë i gjërave përreth, mund të jetë shenja e parë e një rritje tumorale e cila po komprimon/shtyp pjesë të caktuara të sistemit nervor qëndror.
8. Çregullimet e ekuilibrit mund të jenë shenjë e tumorit të trurit.
9. Çrregullimi apo humbja e ndjeshmërië së procesit të nuhatjes si dhe shijes.
10. Dhimbje koke të shoqëruara me të vjella tek një fëmijë, gjithmonë paraqesin gjendje alarmante dhe mundësinë e një tumori në kokë.
11. Dhimbja e kockave tek fëmijët gjithmonë duhet kuptuar si serioze, pasi mund të jetë shenja e parë e një sëmundje malinje, sidomos kur këto dhimbje vazhdojnë për një kohë më të gjatë.
12. Dhimbja e abdomenit e përcjellë edhe me ënjtje për disa ditë me radhë gjithashtu duhet egzaminuar me ultrazë patjetër pasi mund të jetë një nga shenjat.
13. Gjakderdhja nga pjesë të trupit si mishi i dhëmbëve, jashtëqitja apo nga hunda mund të jenë shenjat e para të leukemisë.
14. Testisë të rritur dhe të dhimbshëm, pa pasur ndonjë lëndim.
15. Kollitje e vazhdueshme e cila zgjatë përkundër marrjes së terapisë.
Per fund prindër të dashur, do ju rikujtoj se tek çdo femijë mund të gjeni diçka nga këto simptome por kjo jodomosdoshmerisht nënkupton sëmundje kanceroze, malinje.
Këto simptoma janë ato që duhet t’i përcillni me kujdes ju si prindër dhe mjeku juaj pasi mund të jenë sinjalet e para të një semundje malinje. /www.natalmedia.com

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts