Si ndikojnë ngjarjet traumatike tek fëmijët?

Shkruan: Pukjana Geci – Psikologe dhe terapiste

 

Trauma e fëmijërisë është e lidhur fort me probleme të shëndetit mendor dhe fizik që shfaqen më vonë në jetë. Trauma ndikon negativisht në zhvillimin e trurit, zhvillimin kognitiv, të mësuarit, zhvillimin social-emocional, aftësinë për të zhvilluar marrëdhënie të sigurta me të tjerët dhe sigurisht shëndetin fizik. Ajo shoqërohet gjithashtu me një jetëgjatësi më të shkurtër. Një numër i konsiderueshëm kërkimesh tregojnë se fëmijët vuajnë pasojat më të rënda, më të gjata dhe të dëmshme kur ekspozimi ndaj traumës fillon herët në jetë.

Trauma merr shumë forma dhe nëse është e rëndë dhe përfshin dëme të shkaktuara nga një prind ose kujdestar, atëherë kemi të bëjmë me trauma komplekse. Trauma e përjetuar në fëmijëri ka më shumë gjasa të çojë në çrregullim të stresit post-traumatik sesa trauma e përjetuar në moshën madhore.

Fëmijët që janë të ekspozuar ndaj disa formave të ndryshme të traumës kanë më shumë gjasa të zhvillojnë çrregullime të stresit post-traumatik (p.sh., ankth, depresion, zemërim, agresivitet, tërheqje) sesa fëmijët që janë të ekspozuar kronikisht vetëm ndaj një lloji të traumës. Fëmijët dhe të rinjtë me çrregullim të stresit post-traumatik mund të ripërjetojnë ngjarjen traumatike përmes kujtimeve ndërhyrëse, maktheve dhe rikthimeve. Është e nevojshme të shmangen situatat apo njerëzit që u kujtojnë atyre traumën dhe u shkaktojnë një ndjenjë të fortë ankthi që shkakton çrregullim në jetën e tyre të përditshme.

Efektet si të dhunës psikologjike edhe të asaj fizike, janë të forta tek fëmija dhe lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në vitet më pas.

Kur fëmijët arrijnë adoleshencën, pasojat e abuzimit bëhen pjesë e personalitetit të tyre në shumicën e rasteve. Përdorimi i ndëshkimit fizik shkakton dëmtime, mavijosje, thyerje kockash, fraktura etj. Fëmijët që goditen shpesh rriten me kujtime të zemërimit dhe inatit. Këta fëmijë përjetojnë një nivel të lartë ankthi dhe tregojnë kujdes në mjedisin rrethues, me qëllim që të shmangin çdo rrezik për t’u ndëshkuar.

Për të shpëtuar nga ndëshkimi dhe nga frika mos ndëshkohen këta fëmijë mësojnë sjellje antishoqërore si gënjeshtra, vjedhja, mashtrimi etj. Frika nuk është mënyra e duhur për t’u mësuar fëmijëve të sillen mirë. Fëmijët binden nga frika vetëm kur personi që i godet ata është pranë tyre.

Pasojat psikologjike të dhunës ndikojnë fort në zhvillimin emocional të fëmijës, në rezultatet e tij shkollore dhe edukojnë sjellje të dhunshme. Fëmija shfaq shenja të tilla si: ulje të sensit të orientimit (sillet si i hutuar dhe i frikësuar), reagon më ngadalë ndaj ndikimeve të jashtme (kur dikush e thërret në emër), ka vështirësi për të komunikuar me të tjerët, ka çrregullime të ushqyerit dhe gjumit, është tepër i ndjeshëm ndaj çdo vërejtje ose kritike, përparon dobët në shkollë madje arrin deri në braktisje të shkollës, ka mungesë vetëvlerësimi, ushqen ndjenjën e turpit dhe fajit për veten, kryen veprime që e vetëdëmtojnë dhe në raste ekstreme mund të kryejë edhe tentativë për vetëvrasje. Studimet psikologjike tregojnë se fëmijët e keqtrajtuar nga prindërit bëhen më vonë prindër që keqtrajtojnë fëmijët e tyre.

Jeta në një shtëpi të dhunshme, apo në një komunitet të dhunshëm, mund të krijojë konfuzion tek fëmija, sepse ai beson se prindërit e tij nuk mund ta mbrojnë. Edhe fëmijët e neglizhuar nga prindërit shfaqin shenja të kequshqyerjes, mund të jenë të papastër, kanë zhvillim të dobët fizik dhe gjuhësor, ndihen të lodhur, të përgjumur, të paaftë për të bërë shokë, ndjekin shkollën në mënyrë jo të rregullt etj.

 

Këshilla mbi dhunën ndaj fëmijëve

  • Gjithë goditjet e botës nuk do t’i mësojnë fëmijës se është me rrezik të kryesh disa sjellje të caktuara derisa ai të jetë gati për ta mësuar këtë. Mjaft fëmijë sillen në mënyrë të papërshtatshme dhe me sjelljen e tyre kërkojnë të fitojnë vëmendjen e të rriturve. Në shumë raste në vend të vëmendjes marrin një shuplakë. Kjo nuk është mënyra e përshtatshme për t’iu treguar fëmijëve se po gabojnë.
  • Si prind ose edukator duhet t’u ofrojmë fëmijëve atë model, që do të dëshironim që ata të ishin në të ardhmen e tyre. Nëse duam t’u mësojmë të mos jenë të dhunshëm, me sjelljen tonë kundrejt tyre ne mund t’i mësojmë se si duhet të sillen pa përdorur dhunë.
  • Mendoni se çfarë efekte ka dhuna tek të rriturit për të kuptuar se ç’ndiejnë fëmijët në të tilla raste. Ne (të rriturit) ndihemi të poshtëruar, të inatosur dhe të frikësuar kur na godasin dhe për pasojë nuk jemi aspak të motivuar për të bashkëpunuar me personin që na goditi. Kjo logjikë vlen edhe midis nesh dhe fëmijës, kur dhunojmë fëmijët, ne dëmtojmë marrëdhënien tonë me ta.
  • Fjalët fyese, tallëse, kritikuese i bëjnë dëm vetëvlerësimit të fëmijës. Fëmijët nuk mund të korrigjojnë sjelljet duke u thënë se janë të këqij, të pandreqshëm, të padurueshëm. Në këto raste fëmijëve u duket vetja të pavlerë dhe dështakë, e duke qenë kështu, janë më pak të prirur të përvetësojnë aftësi dhe shprehi të reja.
  • Të gjithë prindërit sillen ndonjëherë me fëmijët në mënyrë të papërshtatshme, dhe për këtë mund të pendohen më vonë.

Nëse kjo ju ndodh juve, mos ngurroni t’u thoni fëmijëve “MË FAL”. Kështu u jepni një mësim të vyer, duke i ndihmuar të kuptojnë se edhe prindërit janë qenie njerëzore, bëjnë gabime dhe kërkojnë të falur.

Fëmijët kanë nevojë për disiplinë që të bëhen të rritur të përgjegjshëm, por disa prindër mendojnë se disiplinim do të thotë t’u flasësh fëmijëve me ton kërcënues apo t’u bërtasësh.

Dhuna ndaj fëmijëve mund të ndalojë sjelljen e keqe vetëm përkohësisht, por nuk ofron modele dhe mënyra pozitive për të mësuar sjelljet e përshtatshme. Fëmijët shpesh goditen për sjellje e cila nuk është “e keqe”, p.sh në raste kur janë kureshtarë dhe pyesin pa pushim për të zbuluar gjëra të reja, kur i bëjnë naze ushqimit etj. Asnjëherë fëmijët nuk mund të mësojnë të sillen mirë nëse ushtroni dhunë.

Dhuna ndëshkohet me ligj dhe është totalisht e patolerueshme për t’u përdorur ndaj fëmijëve në shtëpi, kopsht e shkollë. Ekzistojnë mënyra më të mira për të disiplinuar fëmijët. Ata mësojnë të sillen mirë nga sjellje jo të dhunshme të cilat nuk shkaktojnë pasoja e dëmtime tek fëmijët. Zëvendësimi i kritikës ndaj sjelljeve të papërshtatshme me nxitjen e sjelljeve të dëshiruara, sjell efekte pozitive të fuqishme në edukimin e fëmijëve. Kjo i bën ata më të lumtur dhe prindërit të suksesshëm në disiplinimin e fëmijëve.

Të përpiqemi t’i disiplinojmë fëmijët, por jo t’i traumatizojmë gjatë gjithë jetës së tyre./natalmedia.com/

 

 *Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts