Si të menaxhoj sjelljen e vajzës e cila është shumë nervoz kafshon duart e veta?

Pyetje:

Përshëndetje!

Kam një shqetësim për vajzën. Ajo është 5 vjeçe, kohët e fundit është shumë nervozë, kur bëhet nervozë, nuk mundem me qetësu. Qan po kafshon durtë e veta, nëse ka diçka në dorë, e gjuan. Edhe po i ngel hatri pak dicka me i than, vec qysh do vetë. Edhe prej një diçka thjeshtë, bëhet diçka më e madhe. Ndonjëherë ja kam hi mendojsha qe ma din tuten edhe nalet nuk e kafshon se smujsha me pa qashtu, kam provuar edhe me te mirë ajo ma hin mu. Ndonjëherë po mendoj se mund të ketë nga lazdrimi, pasi e kam vetëm të ketë vajzë pas 5 vjetësh martese. Me babin e vet është shumë e lidhur ai e ka lazdu ma shumë ai ska qef me ja prish për kurgjo. Këtë shqetësim e kam, ky nervozizëm si ndodh shpesh, por unë jam bërë merak, mos po i ndodh diçka më keq.

 

Përgjigje:

Përshëndetje!

E kuptoj shqetësimin tuaj, ju keni një vajzë dhe e gjithë vemendja familjare ka kaluar tek ajo. Momentet kur ju nuk i plotësoni kërkesat e saj, ajo shpërthen me sjellje agresive dhe vetlënduese. Është shqetësuese për prindërit të shohin fëmijën kur bën sjellje të tilla. Fëmijët shpesh bëjnë sjellje agresive për tërhequr vëmendjen e prindërve. Prindërit kanë tendencën të përforcojnë sjelljen negative pa vetëdije, duke plotësuar kërkesën e tyre. Kjo bën që sjellja të shpështohet në të ardhmen. Vazhdimisht inkurajoj prindërit për dashuri dhe kohë kushtuar fëmijës, por patjetër që edhe kufijtë duhet të ekzistojnë. Jo çdo gjë që thotë fëmija duhet të bëhet. Unë ju ftoj që të reflektoni mbi mënyrat tuaja të disiplinimit: çfarë mënyrash keni përdorur për ta disiplinuar (për t’i thënë “Stop” në momente të caktuara, kur ka bërë një gabim ose kur ka dëshiruar diçka të pamundur). Hulumtimet thonë se bërtitja dhe goditja thjesht nuk funksionojnë dhe mund të bëjnë më shumë dëm sesa dobi në planin afatgjatë.

Prindërit duhet të hulumtojnë qasjen e duhur me fëmijën, por asnjëherë të mos përdorin dhunën si zgjidhje alternative. Prindërit në situata të tilla, kur duan të mësojnë fëmijën për një sjellje të caktuar, duhet të menaxhojnë emocionet dhe sjelljen e tyre. Nuk mund të largojmë sjelljen agresive kur vetë e modelojmë atë. Momentin që vajza bën sjellje agresive si më lartë bllokoni sjelljen. Është mirë pasi të qetësoheni, të uleni dhe të bisedoni pse ndodhi ajo sjellje dhe cilat janë pasojat e saj. Kjo lënë hapësirë që të dyja të kontrolloni emocionet tuaja.

Momentin kur fëmija bën sjellje agresive, sigurohuni që mos të lendohet, mos jepni shumë vëmendje, mos u largoni nga ambiente ku po ndodhet fëmija, pasi fëmija më vonë mund të kuptojë që kur unë jam keq, prindi im nuk është afër meje. Është sfiduese kur strategjitë e disiplinimit nuk janë të njejta ndërmjet prindërve, pasi fëmija kupton që kur dy persona primarë në jetën e tij nuk janë dakord, kjo e bënë me insistuese dhe çdo herë shkon tek prindi i cili është më tolerat. Ju duhët te bisedoni për këtë sepse kjo mund të ndikoj tek fëmija. Kjo tek ne është shumë prezente kur njëri prind me shumë mund është duke i mësuar fëmijës një sjellje prindi tjetër ose dikush nga familjarët i rrëzon të gjithë mundin duke plotësuar kërkesën e fëmijës pa nevojë. Nëse shqetësimet vazhdojnë ose përkeqësohen, është e rëndësishme të konsultohemi nga afër. Gjithë të mirat! Pukjana Geci: Psikologe dhe terapiste./natalmedia.com/

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts