Pyetje:
Përshëndetje. Vajza ime 7 vjeç është në klasën e dytë. Është shumë e zgjuar dhe mësuesja më thotë se është e veçantë nga nxënësit e tjerë, por bëhet shumë nervoz për një gabim të vogël. Pastaj një shqetësim tjetër është se ishim në restaurant në darsëm dhe filloj ta pengoj muzika shumë: thoshte “mam, du me u tranu”, qante në asnjë mënyrë nuk e duronte muzikën derisa e kam dërguar në shtëpi.Dy ditë pastaj ka qenë si e lodhur dhe me marramendje. Kisha dasht një përgjigje a është shqetësuese kjo gjë sepse shumë po e pengon zhurma.
Përgjigje:
Në bazë të asaj që është përshkruar vajza ka një ndjeshmëri ndaj tingujve. Ndjeshmëria ndaj tingujve, ose hiperakuza, është e zakonshme tek fëmijët. Ndërsa për shumicën e fëmijëve, kjo është kalimtare dhe nuk kërkohet ndërhyrja, për disa fëmijë, mund të jetë një problem me një ndikim të theksuar në aktivitetet e fëmijës dhe të familjes në tërësi. Kjo ndjeshmëri dëgjimore karakterizohet nga një ndjesi e dhimbshme ose shqetësuese kur personi është i ekspozuar ndaj zërit. Personat me ndjeshmeri ndaj tingujve ankohen se jetojnë në një botë në të cilën volumi duket të jetë shumë i lartë.
Shpesh tingujt më shqetësues janë zhurmat e papritura, me zë të lartë, si alarmet, frenat e autobusit, britmat dhe duartrokitjet e fëmijëve. Kan një parehati në vesh, dhimbje koke, vështirësi përqendrimi, ndjesia e kërcitjes në vesh kur dëgjon tinguj të lartë, marramendje, frika nga situatat sociale.
Fëmijët mund të ankohen se veshët e tyre dhembin ose mund t’i mbulojnë veshët me duar kur ekspozohen ndaj tingujve të caktuar. Ndjeshmëria ndaj tingujve mund te ndikoj ne ndërveprimet sociale dhe aktivitetet e përditshme.Prandaj është e rëndësishme që hiperakuzës t’i kushtohet vëmendja e duhur, veçanërisht te fëmijët ku ndërhyrja e hershme mund të parandalojë këto pasoja.
Nëse fëmija juaj ka simptomat e mësipërme, rekomandohet një vizitë te psikologu. Është e nevojshme të merren më shumë informacion rreth ndjeshmërisë ndaj zërit.
Pukjana Geci
Psikologe dhe Terapiste./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”