Vajza nuk po luan me fëmijët në shkollë, çfarë më këshilloni?

Pyetje:

Përshëndetje!

Kam vajzën 6 vjeçare, tani sapo ka filluar klasën e parë. Ne jetojmë në Gjermani. Kopshtin e ka përfunduar në një shkollë tjetër, ndërsa tani është në një shkollë të re, ku nuk ka asnjë shok apo shoqe nga më parë. Gjatë pushimit më thotë që rri vetëm dhe i shikon fëmijët e tjerë çfarë bëjnë, pastaj fillon mësimi dhe futet brenda. Kur e pyes pse nuk afrohet të luajë me fëmijët e tjerë, më thotë që ata nuk duan të luajnë me të. Kjo ndodh edhe në parkun e lojërave. Theksoj që është një fëmijë i urtë dhe i zgjuar, ndoshta pak e turpshme. Me fëmijët që i njeh, luan shumë mirë. Nuk dimë si ta ndihmojmë që të jetë më sociale. Nuk e di sa e qartë isha, por do të doja një mendim nga ju se çfarë mund të bëjmë. Faleminderit shumë!

Përgjigje:

Përshëndetje!

Për mua është e rëndësishme të di se prej sa kohësh jetoni në gjermani? A e njeh fëmija gjuhën gjermane? Vështirësitë në komunikim mund të ndikojnë në aftësinë e saj për të vendosur marrëdhënie me fëmijët e tjerë. Fakti që vajza ka ndryshuar shkollë, është një faktor që ndikon në krijimin e marrëdhënieve të reja me shokët dhe shoqet.

Sa herë që kemi të bëjmë me ndryshime ambientesh kjo shoqërohet me vështirësi në përshtatje me mjedisin, mësuesit, shokët dhe shoqet, vështirësi në adaptimin me grupet e krijuara më parë. Duke qenë se fëmijët e tjerë e njohin njëri-tjetrin që nga kopshti, e bën pak më të vështirë për vajzën tuaj që të përfshihet në lojë me ata.

Ky është vetëm një faktor.

Ju gjithashtu pohoni që është fëmijë i turpshëm.

Duhet të kuptohet se çfarë e bën atë që të ndjej turp?

A ngacmohet ajo nga fëmijët e tjerë? Nëse po, për çfarë?

Ngacmimet ndikojnë negativisht tek fëmijët, duke ulur vetëbesimin. Në disa raste krijojnë stepje dhe distancim social. Duhet bërë një diferencim midis të qenit jo sociale dhe të mos luajturit me shokë që nuk i njeh. Për këtë duhet kuptuar nëse fëmija preferon të luaj vetëm, apo fëmija ka dëshirë që të luajë me fëmijët e tjerë, por për shkak të diferencimit që ata i bëjnë (mos pranimit në grup) ajo tërhiqet? Ju konstatuat që me fëmijët që njeh ajo vendos kontakt dhe përfshihet në lojë.

Ju gjithashtu pohuat që kjo situatë nuk ndodh vetëm në shkollë por gjithashtu edhe kur ju shkoni në kendet e lojrave, në të cilat fëmijët gjithashtu janë të panjohur për të.

Duhet vëzhguar nëse vajza nuk tenton që të vendos marrëdhënie me këta fëmijë të panjohur për të, pasi mund të ketë frikën e refuzimit nga ata, njësoj siç ndodh edhe në shkollë? Këto pyetje janë të rëndësishme për të kuptuar si mund ta ndihmoni fëmijën tuaj. Kaloni kohë duke luajtur dhe lexuar së bashku tregime që flasin për miqësinë dhe sfidimin e frikës. Pas tregimit, bisedoni se si personazhi e përballoi situatën dhe si vajza juaj mund të bëjë të njëjtën gjë. Gjithashtu, komunikioni me mësuesen. Psikologia e shkollës mund tju udheheq në këtë proces. Pukjana Geci Psikologe klinike/natalmedia.com/

 

 

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts