Shkruan:
Dr.Ismail Lutolli spec Pediater
Subspecialist Hemtalog-Onkolog
-Veza është një ushqim shumë i rëndësishëm dhe i shëndetshëm edhe për fëmijën, mjafton që të jetë e gatuar në mënyrën e duhur si edhe e prezantuar tek fëmija në moshën e duhur. Nuk ka arsye pse të nxitoni, çdo ushqim ka kohën e vet!
*Vlerat e vezës për bebet
Veza është e pasur me proteina, dhe kryesisht e verdha e vezës përmban shumë minerale si hekuri, kalciumi, fosfori si edhe vitamina të tjera të grupit A, B dhe D. Ajo gjithashtu është e pasur edhe me yndyrna të shëndetshme të cilat e ngopin fëmijën.
Kujdes! Mos e teproni me sasinë, kjo pasi veza përmban edhe shumë kolesterol.
*Sa herë në javë një fëmijë duhet të hajë vezë?
Do t’ju këshillonim të mos ja jepnit më shumë se 1 herë në javë.
*Kur një fëmijë mund të hajë vezë?
Duke filluar nga muaji i 7-8-të i jetës ju mund të filloni t’i jepni atij të verdhën e vëzës, gjysëm të gjallë. Disa mjekë mund të këshillojnë që prezantimi i vezës të bëhet edhe në moshën 1-vjeçare. Pas muajit të 12-të mund t’ja jepni fëmijës edhe të bardhën, sigurisht që të zier dhe asnjëherë të gjallë (të pagatuar)!
*Pse veza nuk duhet të konsumohet e gjallë?
Nëse është e zier është më e tretshme për fëmijën, pa përmenduar këtu rrezikun e shfaqjes së salmonelës.
*Pse fëmijët nuk duhet ta hanë të bardhën e vezës para muajit të 12-të?
Sepse albumina mund të shkaktojë alergji tek fëmija, ndërsa e verdha është një faktor jo shumë i lartë rreziku. Nëse veza jep alergji tek fëmija duhet të këshilloheni me mjekun pediatër si edhe të eleminoni nga dieta e fëmijës të gjitha ushqimet që përmbajnë vezë./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”