Dobitë shëndetësore të agjërimit, tri gjëra të rëndësishme që i ndodhin organizmit

Shkruan: Dr Ismail Lutolli
Specialist Pediater Subspecialist Dietolog -Nutricionist Subspecialist Hematolog;Onkolog

Çfarë të hajmë dhe të pijmë gjatë këtij muaji?

 

Gjatë Muajit Ramazan, agjëruesit agjërojnë nga lindja e deri në përendim të diellit, duke u përmbajtur nga ushqimi dhe pijet.

Shpeshherë kemi njerëz që nga frika e urisë apo gjendjes shëndetësore të përgjithshme gjatë agjërimit, heqin dorë edhe nga vetë agjërimi si proces. Megjithatë, shumë studime mjekësore të realizuara, kanë konstatuar se rëndësia e agjërimit për organizmin është e jashtëzakonshme dhe dobitë shëndetësore janë të konsiderueshme.

Njeriu ka nevojë për një nisje të re në jetën e tij. Organizmi ka nevojë për ripërtëritje dhe regjenerim të përgjithshëm. Muaji Ramazan është rasti ideal për një nisje të re.
Agjërimi për organizmin është një pushim dhe ripërtrirje nga niveli qelizor e tutje. Pra, është një shërim i heshtur i tërë organizmit duke eliminuar toksinat e tepricat tjera të krijuara gjatë një viti.

 

Shpeshherë ne e teprojmë në shumë gjëra gjatë jetës, kështu ndodhë edhe me ushqimin që marrim. E tërë kjo tendencë sjellë deri te pesha e tepërt (obeziteti) dhe çrregullimet tjera me shëndetin. Përfshirë sëmundjet e ndryshe (kardiovaskulare, malinje etj ).

Në këtë gjendje vazhdojmë me tendencat tjera që me dieta të shpejta dhe sforcimin e skajshëm fizik, të rikthejmë peshën dhe e tërë kjo e thellon edhe me shumë çrregullimet e shëndetit. Në këtë gjendje shpeshherë edhe të pashpresë, vie një muaj, muaji Ramazan kur ndryshimet janë të mundshme, me pak vullnet dhe angazhimin tonë.

Agjërimi i muajit Ramazan, është rasti ideal që më një dietë të ekuilibruar të arrijmë të largojmë tepricat e grumbulluara, të shtojmë vetëkontrollin në ushqim dhe të ndodhin tri gjëra shumë të rëndësishme në organizëm:

1.detoksikimi
2.regjenerimi dhe
3.mjekimi i përgjithshëm

 

Cilat janë gjendjet shëndetësore që lirohen nga agjërimi?

Eksistojnë gjendje shëndetësore në të cilat nuk preferohet agjërimi apo edhe është i ndaluar në disa raste. Kur flasim për sëmundjet, duhet të theksojmë se janë disa sëmundje kur nuk preferohet agjërimi si:

• Sëmundjet malinje të përcjellura me lodhje të theksuar apo komplikime gjatë vetë procesit të kimioterapisë,

• Anemi e theksuar, sëmundjet të cilat shërimi i tyre varet direkt nga ushqyeshmëria cilësore dhe e rregullt, një formë e rëndë e diabetit,

• Probleme të zemrës sidomos pas infarktit të miokardit,

• Infeksione serioze që janë trajtuar me antibiotikë që duhet të merren pikërisht në kohë të caktuar edhe serume intravenoze dhe në përgjithësi të gjitha kushtet në të cilat një person është i varur nga barnat disa herë në ditë.

• Gjithashtu, në një gjendje të shtatzanisë dhe ushqyerjes me gji duhet të bëjë një vlerësim të mirë të situatës edhe pse nuk ka ndalesë absolute, megjithatë preferohet të mos agjërohet. Shëndeti i nënës dhe fetusit apo fëmijës në këto raste është prioritar.

• Agjëruesit të cilët çdo ditë marrin terapi të rregullt gjithashtu duhet të harmonizojnë marrjen e barnave me agjërimin, ashtu që barnat t’i merrni në syfyr dhe në iftar.

• Nëse pacienti patjetër duhet të marrë barna dy herë gjate ditës, atëherë nuk i rekomandohet agjërimi.

 

Megjithatë, shpesh ndodh që njerëzit që janë të sëmurë, për shembull nga diabeti agjërojnë dhe përmes agjërimit ndjehen shumë më mirë se në ditët kur nuk agjërojnë. Ka edhe disa sëmundje të tensionit të lartë apo të zemrës që ndodhë e njejta gjë. Sidoqoftë, tërë këtë duhet bërë në konsultim të ngushtë më mjekun tuaj.

Përpos rasteve të përmendura sipër, në shumicën e sëmundjeve tjera agjërimi shkakton përmirësime apo edhe shërime të caktuara.

Agjërimi ndihmon në mënyrë të konsideruar te: sëmundjet kardiovaskulare, të sistemit nervor qendror, sëmundjet gastrointestinale (të traktit tretës), sëmunjdet imunitare, alergjike, depresionit, sëmundjet dermatologjike etj.

Çfarë është më e pëlqyer të hajmë dhe të pijmë në muajin Ramazan?

Këshilla të përgjithshme

• Ajo që duhet të kemi kujdes është që vaktet duhet ti organizojmë mirë dhe të marrim sasi të mjaftueshme të ujit apo lëngjeve.

• Kjo arrihet duke mos e tepruar me sasi të mëdha të ushqimit, por të kujdesemi që ushimi që marrim ti përmbajë të gjithë përbërësit e nevojshëm si proteinat, karbohidratet si dhe yndyrat e shëndetshme si dhe të kemi prezencë të vitaminave dhe mineraleve.

• Gjatë periudhës së agjërimit, të gjithë ata që mbajnë Ramazan, ushqehen në dy vaktet kryesore, siç janë iftari dhe syfyri, por është shumë e rëndësishme rritja e numrit të vakteve, për të mos përjetuar probleme metabolike. Për këtë arsye, mundohuni të konsumoni edhe një vakt pas iftarit ose para gjumit së paku 1 orë.

• Muaji Ramazan është muaj i shëndetit dhe nuk duhet të ndalojmë veprimtarinë, punën dhe aktivitetet tjera ku kërkohet edhe angazhim fizik.

• Muaji Ramazan është muaj i shëndetit dhe aktiviteti në fushën intelektuale si mësimi, studimet duhet të jetë i plotë.

Ushqimi që duhet të përdorim për iftar, syfyr dhe një vakt të ndërmjetëm.

 

Ushqimi për iftar

• Duhet të përdorim ushqim që tretet lehtë dhe shpejtë, ndërsa për syfyr ushqim që përpunohet ngadalë.

• Duhet patjetër të kemi edhe një vakt në mes iftarit dhe syfyrit.

• Nuk kemi nevojë të konsumojmë në iftar sasi të dyfishuar të ushqimit, pasi në këtë mënyrë do të ngarkojmë tërë organizmin duke filluar nga lukthi, mëlqinë, zemrën etj. Pra, sasia e ushqimit duhet të jetë sa për një vakt normal.

• Ushqimin duhet ngrënë ngadalë dhe duhet përtypur mjaftueshëm.

• Duhet të konsumojmë ushqime të pasura me vitamina dhe minerale, pemë dhe perime, në veqanti ato sezonale.

• Ka shumë rëndesi marrja e sasive të mjaftuehsme të ujit por jo përnjeherë, pra herë pas here pasi kjo është mënyra me e drejtë e përthithjes nga organizmi, qelizat.

• Agjërimi duhet të ndërpritet në iftar me hurma dhe një gotë ujë në të cilën do ishte mire të kishte të shtrydhur disa pika nga lëngu i limonit.

• Ata që praktikojnë ritualin e faljes së namazit, do të ishte mire që pasi kanë ngrënë dy hurme dhe kanë pirë një gotë ujë, të vazhdojnë me faljen (namazin) e pastaj të rikthehen për ushqim. Të tjerët që nuk praktikojnë faljen, është mirë që pasi të kenë ngrënë hurmen dhe një gotë ujë të pushojnë për pak min dhe pastaj vazhdojnë me ndonjë pemë (por pa kore).

• Pastaj mund të vazhdojnë me supë, e këshilluar do ishte që supa të përgaditej në shtëpi.

• Pas një pauze mund të hanë ushqimin kryesor (mish i zier mirë apo lehtësisht i përpunuar, peshk, patate, oriz, sallatë e freskët, perime.

• Mund të përdoren edhe ndonjë nga frutat e thata si kumbulla, fiq, kajsi, rrush pasi kanë fibrat dhe nutrientë të ndryshëm në përmbajtje.

• Pas ngrënies së iftarit dhe pushimit do të ishte mire të praktikoni ecjen në natyrë për së paku 45 min. Ata që falen nuk kanë nevojë për këtë ecje pasi rituali i faljes së namazit (teravive) përmban përpos anës shpirtërore edhe aktivitet fizik të theksuar.

Vakti i ndërmjetëm mes iftarit dhe syfyrit

• Në mes iftarit dhe syfyrit duhet të merrni nje vakt apo një racion të lehtë.

• Ushqimet që preferohen për këtë vakt janë: sallatë të pemëve, sallatë me mish pule, mund të përdorni edhe kafe me embëlsira të përgaditur në mënyrë të shëndetshme.

Ushqimi për syfyr

• Syfyri nuk duhet neglizhuar asnjëherë, pra duhet ngrënë në kohën e caktuar dhe duhet respektuar si një vakt i rëndësishëm i ushqimit.

• Syfyri duhet të jetë ushqim cilësor si : drithërat dhe makarona integrale, arra, fruta me misër, fruta të thata, perime, ushqime bishtajore, peshk, mish, kos me fruta të ndryshme, supë me thjerrëza ose bizele, djathë, vezë, vajra me cilësi të lartë.

• Pas mbarimit të syfyrit pihet edhe një apo dy gota ujë dhe ju jeni të përgaditur për agjërimin e ditës në vijim.

Ushqimet që duhet të evitohen gjatë Muajit Ramazan

• Përdorimi i shpeshtë i kafes dhe dhe çajit të zi;

• Ushqime të skuqura, ushqime të përgaditura shpejt dhe në mikrovalë;

• Ushqime me përmbajtje të lartë të yndyrave, ushqimet shumë aromatike;

• Ëmbëlsirat e shumta si bakllava, torte dhe ngjashëm;

• Pijet e gazuara apo edhe ato të ëmbëlsuara me sheqer duhet të shmangen (në vend të hidratimit, ata bëjnë të kundërtën)./natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts