Në vijim mund të lexoni këshillat e pediatrit se si të veproni në një rast të tillë.
Foshnjat dinë të befasojnë prindërit e tyre me rënie nga lartësia, qoftë e vogël apo e madhe, dhe kjo zakonisht ndodh në një situatë:
“Ndodhi sa hap e mbyll sytë, momentin kur u ktheva për të marrë diçka”. Pason një britmë e fëmijës, dhe më pas e prindit, të cilëve sigurisht të shqetësuar, menjëherë iu shkon mendja në thyerje të kockave të kafkës dhe dëmtim të rëndë të trurit.
Për fat të mirë, kjo ndodh jashtëzakonisht rrallë. Shumica e foshnjave kalojnë pa pasoja serioze, por le të sqarojmë këtë më në detaje…
Cila është lartësia kritike e rënies së bebit
Mund të themi se nuk ka lartësi të sigurt për rënie të fëmijës, prandaj e mira e së mirës është që të kujdesemi maksimalisht që deri te rënia të mos vie. Sidoqoftë, duhet të dallohen dy situata të rëndësishme sa i përket lartësisë: rënia nga një lartësi e vogël, dmth. nga një shtrat i zakonshëm në të cilin ndërrohen pelenat e foshnjës (zakonisht 40 deri 60 centimetra nga dyshemeja) dhe rënia nga një lartësi më e madhe, më shumë se një metër – këto janë ato vendet për ndërrimin e pelenave që ndodhen zakonisht në zgjatimin e krevatit.
Për fat të mirë, rëniet nga lartësitë më të mëdha janë jashtëzakonisht të rralla, ndoshta sepse prindërit janë shumë më të kujdesshëm kur bëjnë ndërrimin e pelenave të fëmijës në një lartësi e tillë.
Si duket një fëmijë që sapo ka rënë nga lartësia?
Bebi menjëherë qan me të madhe – ankohet se është në dysheme, dhe për dhjetë minutat e para pas rënies qan dhe është i shqetësuar. Kjo është plotësisht e zakonshme, sepse rënia dhemb, por edhe për faktin se ajo gjithashtu është e frikësuar për shkak të ndërrimit të papritur dhe të pakëndshëm të pozitës së saj.
Nëse edhe babai dhe nëna janë të frikësuar, fillojnë të bërtasin, edhe më keq të shpërthejnë në vaj (sidomos nënat) – krijohet një panik, zakonisht e panevojshme. Pas rreth dhjetë minutash, shumica e foshnjave bëhen me humor të mirë dhe sillen normalisht, prandaj edhe nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar.
Çfraë duhet të bëjnë prindërit nëse bie foshnja në dysheme?
- Lehtësisht dhe pa panik, ngrini fëmijën nga dyshemeja dhe përqafojeni ashtu që koka e saj të jetë paksa e kthyer përpara. Kjo do të shmangë që në rast të vjelljes, përmbajtja e stomakut të mos thithet në rrugët e frymëmarrjes.
- Pastaj foshnja duhet të kthehet drejt vetes dhe të shikojmë me kujdes dëmtime ose gjakderdhje në kokë, buzë ose gojë. Nuk ka nevojë të shtypni kokën me gishtërinj në kërkim të kockave të thyera (kjo është plotësisht e pakuptimtë).
- Mos i jepni fëmijës tuaj ushqim ose pije për të paktën njëzet minuta. Gjatë asaj kohe, luani me të, përpiquni të harroni traumën nëpër të cilën ka kaluar.
- Nëse foshnja sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë pas 20 deri në 30 minuta, asaj duhet t’i jepet ushqim për të ngrënë, dhe nëse dëshiron të fle, lereni të pushojë lirshëm.
Çfarë mund të dëmtohet pas rënies në dysheme?
Nëse foshnjat bien nga një pozicion i shtrirë, pa pasur mundësi që të zgjasin në mënyrë refleksive duart në drejtim të dyshemesë, dhe në atë mënyrë që koka thjesht anon dhe “përplaset” në dysheme. Ndonjëherë, pas disa minutash, mund të shihet një “gungë” – e cila, në fakt, është një hematomë e padëmshme (rrjedhje e një sasie të vogël gjaku nën pjesën sipërfaqësore të kockave në vendin e goditjes).
Madhësia e gungës nuk është e thënë të jetë proporcionale me peshën e rënies, kështu që nuk duhet t’i jepet shumë rëndësi.
Kockat e kokës së foshnjës janë jashtëzakonisht elastike, kështu që dëmtimet më serioze të kockave janë jashtëzakonisht të rralla. Zakonisht pëson balli ose zverku (pjesa e prapme e qafës), dhe foshnjat rrallë bien në fytyrë ose në “anë”.
Dëmtimet e gojës dhe dhëmbëve
Nëse foshnja ka dhëmbë, ndonjëherë mund të ndodhin dëmtime të vogla në gjuhë ose në mukozën e zgavrës së gojës, kështu që nuk është e pazakontë të shihet pak gjak në gojë.
Kjo është shumë e frikshme për nënat dhe baballarët. Sepse, posa të shihet gjaku, kjo çon në dyshime për dëmtime të rënda. Sidoqoftë, kjo pothuajse nuk ndodh kurrë në këto situata!
Pas vetëm pesë deri dhjetë minuta, kjo gjakderdhje e vogël ndalet, kështu që nuk keni nevojë të bëni panik.
Çfarë duhet të bëni nëse shfaqen të vjella?
Te foshnjat, të vjellat nuk ndodhin shumë shpesh pas rënies. Është e pritshme nëse ka ngrënë një vakt tridhjetë minuta para rënies, dhe nganjëherë kjo ndodh kur goditja ka qenë me të vërtetë e fortë. Kjo është arsyeja pse nuk ka asnjë vend për panik nëse ai vjell dy herë pas rënies – kjo është mjaft e zakonshme.
Nuk është mirë kur foshnja vjell vazhdimisht dhe kur ajo shoqërohet me ndonjë sjellje të saj të çuditshme.
Sa kohë duhet për tu rikuperuar?
Me kalimin e kohës, foshnja kthehet në aktivitetet normale, kërkon të hajë dhe të pijë, kështu që ajo nuk duhet të privohet nga ushqimi. Sigurisht, ai nuk duhet ta teprojë me ushqim – sepse, siç e kemi shpjeguar tashmë, është e mundur të vjellë, dhe kjo mund të jetë edhe një arsye shtesë për panik.
Shumica dërrmuese e foshnjave e marrin veten shpejt, zakonisht janë të mjaftueshme 30 deri në 60 minuta. Kjo merr më pak kohë sesa të shkosh te mjeku – andaj nuk është çudi që kur të shkoni tek pediatri, fëmija është mirë, sikur asgjë nuk ka ndodhur. Prandaj, te këto rënie të padëmshme, nuk është e nevojshme ta çoni fëmijën te mjeku, sepse është traumë më e madhe shkuarja në një institucion shëndetësor dhe për vizitë te mjeku, sesa rënia e përshkruar.
Kur duhet të telefononi menjëherë mjekun?
Këto janë situata shumë të rralla, por duhet t’i dini. Në ato raste, duke ruajtur gjatë gjithë kohës qetësinë, duhet të shkoni te ambulanca ku ka një pediatër.
Të vjellat e vazhdueshme që lodhin fëmijën
Nuk është e pazakontë që një foshnjë me një tronditje të lehtë të vjellë një ose dy herë. Por, nëse kjo ndodh në seri – foshnja duhet të ekzaminohet. Nëse ndodh që bebi të goditet në ndonjë mjet të mprehtë ose të fortë kur bie dhe vie deri te një gjakderdhje e rëndë
Atëherë është e nevojshme të shkoni te mjeku, por gjatë transportit, vendi i gjakderdhjes duhet të shtypet me gazë sterile (nëse nuk keni në dispozicion, atëherë një pelenë e pastër pambuku është gjithashtu e mirë) për të ndaluar gjakderdhjen.
Përgjumje e pazakontë ose ankth i shprehur herë pas here
Ekzaminimi ka për qëllim të studiojë sjelljen neurologjike të fëmijës dhe mjeku ka për detyrë të përjashtojë ose të dyshojë në komplikacionin më serioz të rënies së rëndë në kokë – gjakderdhje në tru ose nga arteriet në brendësi të kockave.
Këto gjakderdhje (të quajtura profesionalisht hemorragji intrakraniale) janë vërtet të rrezikshme për foshnjën, por ato janë jashtëzakonisht të rralla. Ato janë më të zakonshme tek të porsalindurit, megjithëse numri i rasteve të tilla është shumë i vogël, pasi foshnjat rrallë bien aksidentalisht, pasi ato ende nuk janë shumë të lëvizshme. Prandaj, prindërit nuk duhet të kenë frikë paraprakisht.
Ka edhe situata të rralla kur prindërit këshillohen të telefojnë Shërbimin e Urgjencës Mjekësore. Ky skenar përfshin humbjen e vetëdijes, dëmtim të dukshëm të kokës ose pjesës tjetër të trupit, gjakderdhje nga goja, hunda ose veshi, të vjella me vrull dhe një sulm të ngjashëm me atë epileptik.
Në këto raste, telefononi urgjencën dhe ndiqni udhëzimet që do të merrni me telefon derisa ekipi të arrijë tek ju.
Dhe në fund, është e qartë se shumica e rënieve të vogla te fëmijët nuk janë të rrezikshme. Por kjo nuk do të thotë që fëmijët, veçanërisht foshnjat, duhet të lihen të rrotullohen vetë në shtrat. Pasi fillon të ecë, ka një periudhë rëniesh të pashmangshme – të cilat janë pjesë e fëmijërisë, kështu që fëmijët duhet të kursehen nga dëmtimet e panevojshme para kësaj periudhe, për aq sa është e mundur.
Nuk ka asnjë fëmijë që nuk ka rënë në tokë, por duhet bërë gjithçka që është e mundur që deri te rrëzimi të vie sa më rrallë që është e mundur./natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”