A e dini çfarë i ndodh fëmijës kur e vendosni në dubak-rrethore?

Shkruan: Dr Ismail Lutolli
Specialist Pediater
Subspecialist Dietelog -Nutricionist

 

 

Pse është më mirë të mos përdorni dubak-rrethore?

Që nga momenti i lindjes së foshnjës, shumica e prindërve presin me padurim kur fëmija do të filloj ecjen. Aq shpesh mund të dëgjojmë komente të natyrës “Vetëm te ec, pjesa tjetër nuk ka rëndësi”. Këtu lindë edhe dëshira shumë e paarsyeshme e prindërve që të bëjnë gjithçka që kjo të ndodhë sa më shpejt.

Në tërë këtë ngjarje një rol negativ japin edhe familjarët e fqinjët të cilët nuk hezitojnë me pretendimet se kanë ecur shumë herët vet, shumë përpara ditëlindjes së tyre të parë, ose e krahasojnë vazhdimisht me disa fëmijë të tjerë që tashmë kanë ecur.

Prodhuesit e pajisjeve për fëmijë, me ndihmën e reklamave dhe pa pjesëmarrjen kritike të ekspertëve, i mbështesin këto përpjekje me mjete të ndryshme ndihmëse, të cilat fatkeqësisht i sjellin më shumë dëm sesa dobi  fëmijës. Këtu bëhet fjalë ekskluzivisht për dubakun-rrethorren

 

Çfarë është në të vertetë ecja me rrethorre-dubak?

Bëhet fjalë kryesisht për një ecje të thjeshtë në një rrethorre me rrota, një pajisje që jo vetëm nuk do ta ndihmojë fëmijën të ecë, por në shumë mënyra do të ndikojë negativisht në zhvillimin e tij psiko-motor.

Vendosja e parakohshme e një fëmije në një pozicion vertikal është e padobishme dhe mund të jetë e rrezikshme. Këmbët e foshnjës nuk janë zhvilluar plotësisht në lindje, kërci i butë në vend të kockave dhe muskujve që ende formohen, mund të dëmtohet dhe shtrembërohet duke vepruar nga jashtë, gjë që ndodh nga vendosja e parakohshme në këmbë dhe ecja e detyruar.

Qëndrueshmëria e pamjaftueshme mund të çojë në deformime të këmbëve dhe gjunjëve, dhe nën peshën e trupit, këmbët e poshtme përkulen, gjë që përfundimisht çon në deformime të shtyllës kurrizore.

 

Pasojat negative të përdorimit të rrethorres

Duke përdorur pajisje të tilla si rrethorre-dubak, në i privojmë fëmijës përvojat e nevojshme që duhet të kalojë në procesin e ecjes. Fëmija duhet të mësojë të ngrihet vetëm në një pozicion të drejtë dhe të zotërojë ekuilibrin në të. Fëmija duhet të ngritet e të rrëzohet herë pas here që të zotëroj  ekuilibrin.

Fëmijët që kanë kaluar kohë më të gjatë në rrethorre, kur ecin, shpesh bien për shkak të humbjes së ekuilibrit dhe kanë vështirësi në ngritjen. Nëse nuk e kanë kaluar fazën e zvarritjes, problemi do të jetë tejkalimi i pengesave, ngecin në bordurë dhe pragje dhe më së shpeshti bien me kokë sepse nuk kanë mësuar të rrëzohen e ngriten si dhe të kenë kujdes gjatë rrëzimit. Ecja e tyre në shumicen e rasteve më vonë do të zhvillohet në majet e gishtërinjëve dhe kjo mund të zgjasë për muaj e vite.

Këto janë pasojat dhe problemet e dukshme me të cilat do të përballen prindërit e fëmijëve që kanë përdorur mjete ndihmëse në ecje, por dëmtimi i tyre është shumë më i madh, sepse ato shtypin dëshirën e natyrshme të fëmijëve për të lëvizur, gjë që pengon zhvillimin e duhur psiko-motor.

 

 

Para se fëmija të ecë…

Në muajin e tetë  apo edhe më herët fëmija  do të mësojë të kthehet nga barku në shpinë, gjë që do të praktikojë plotësisht automatizmin e ecjes. Në të njëjtën kohë, duke u kthyer nga shpina në bark dhe anasjelltas, angazhohen të gjithë muskujt që marrin pjesë më vonë në ecje, domethënë forcohen, gjë që është e nevojshme për një pozicion të qëndrueshëm vertikal. Vetëm kur ai zotëron të gjithë elementët e nevojshëm për një pozicion të drejtë në një pozicion të shtrirë, fëmija do të fillojë të ngrihet.

Deformimet dhe çrregullimet shëndetësore për shkak të një skeme zhvillimi motorik të miratuar keq, duke përdorur një rrethorre-dubak ose qëndrimi i parakohshëm  i një fëmije në këmbë, shihen më së shumti në jetën e mëvonshme, megjithëse shumë prej tyre janë të dukshme që në fillim.

Për shkak të mbingarkesës së parakohshme të këmbëve, të cilat ende nuk janë “pjekur” mjaftueshëm, mund të shkaktohet deformim i ijeve, shtyllës kurrizore dhe këmbëve (skoliozë, kifozë, këmbë të sheshta, e më vonë edhe probleme me shtyllën kurrizore).

Asnjë pediatër, ortoped apo fiziatër nuk do të duhej ta rekomandojë ose miratojë përdorimin e një rrethorre-dubaku për fëmijë!

 

Rrethorret-dubakët një zgjedhje e gabuar:

  • Ato parandalojnë dhe pengojnë zhvillimin e duhur psiko-motor të fëmijëve.
  • Fëmijët që kanë qenë në këmbë nuk kanë zhvilluar reagime mbështetëse dhe nuk kanë zotëruar ekuilibrin, kështu që kur bien ata bien direkt në kokë.
  • Fëmijët nuk kanë mësuar të balancojnë trupin e tyre
  • Fëmijët e kanë të vështirë të ngrihen sepse nuk e kanë mësuar vet këtë detyrë
  • Fëmijët ngecin në pengesa dhe bien përsëri me kokë, sepse e kanë kapërcyer fazën e zvarritjes
  • Rrethorret çojnë në deformime të këmbëve, gjunjëve dhe shtyllës kurrizore
  • Fëmijët zhvillojnë modelin e gabuar të ecjes – në gishtat e këmbëve, me boshtin e trupit të zhvendosur përpara
  • Rrethorret mund të shkaktojnë lëndime të rënda, që më së shpeshti përfundojnë me lëndime të shtyllës kurrizore si dhe të qafës së fëmijëve  në rast të rënies – rrotullimit./natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts