Pyetje:
Përshëndetje!
Kam djalin, 3 vjeç e 2 muaj, ende nuk flet.
A ka mundësi me pas autizem?
Kur e thërras, ndonjëherë nuk kthen shikimin, veçanërisht kur është i përqendruar në lojëra ose televizor. Anëtarët e tjerë të familjes më thonë çdoherë se është ende i vogël, do të flas. Shpesh herë duket se nuk më kupton kur i flas. Ju lutem për ndonjë këshillë se si të veproj.
Përgjigje:
Ka shumë arsye pse një fëmijë mund të mos zhvillojë aftësinë e të folurit, dhe një prej tyre mund të jetë çrregullimi në spektrin e autizmit. Fëmijët që janë në spektrin e autizmit mund të kenë të dëmtuar gjuhën, por vonesa në të folur nuk percakton se një fëmijë ka autizëm, pasi që ekzistojnë shumë faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në vonesën e të folurit tek fëmijët.
Për të diagnostikuar autizmin te një fëmijë, specialistët përdorin një serë kritesh dhe shenjash për të vlerësuar zhvillimin dhe sjelljen e fëmijës. Disa nga shenjat dhe deficitet që shfaqen zakonisht tek fëmijët me autizëm përfshijnë: vështirësi në ndërveprime sociale, sjellje repetitive (steriotipi), interesa të veçanta dhe të kufizuara, vështirësi në komunikim verbal dhe jo-verbal.
Është e rëndësishme të bëhet vlerësimi i djalit dhe të merret historia zhvillimore në mënyrë që të arrijmë në një perfundim se pse djali nuk flet ende. Pas vlerësimit të kujtdo që dyshohet se mund të ketë autizëm, është shumë e rëndësishme të krijohet një plan terapeutik që të përcaktojë se si mund të mbështetet fëmija dhe të fillojë trajtimi sa më herët.
Prandaj, ju rekomandoj që të dërgoni fëmijën për një vlerësim të hollësishëm tek një psikolog. Si dhe ju inkurajoj të merrni masa për të kufizuar kohën e përdorimit të ekraneve televizive, sepse, bazuar në hulumtime, përdorimi i tepërt i tyre ka lidhje me shumë sfida në zhvillim, sidomos tek fëmijët. Pukjana Geci Psikologe dhe terapiste
/natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjoh en, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”