Djali im ka 6 vjet dhe ka shumë frikë sidomos kur të errësohet – çfarë t’i bëjmë?

Pyetje:

Përshëndetje. Djali im ka 6 vjet. Ka shumë frikë sidomos kur të errësohet. Ka shtrëngime në gjoks dhe vetëm qanë. Nuk dëshiron as të flejë. Jemi të shqetësuar dhe nuk po dimë çfarë t’i bëjmë?

Përgjigje:

Një frikë e tillë e tepruar është karakteristikë e fobisë. Fobia është një gjendje frike ose paniku kaq e madhe ndaj një gjëje, një personi ose një situate që konsiderohet e padëmshme nga të tjerët.

Niktofobia është një frikë ekstreme nga errësira. Kjo fobi është shumë e zakonshme tek fëmijët, por mund të prekë njerëz të të gjitha moshave. Njerëzit me këtë çrregullim specifik të ankthit mund të kenë probleme me gjumin, të kenë sulme paniku, mund të shmangin daljen nga shtëpia pas errësirës, manifestohet gjithashtu me protesta para gjumit dhe mosdëshirë për të fjetur me drita të fikur.

Fëmijët dhe të rriturit që kanë pasur një përvojë traumatike ose shqetësuese në errësirë kanë më shumë gjasa të zhvillojnë këtë lloj fobie, veçanërisht nëse ngjarja ka ndodhur në errësirë. Kujtimet e asaj përvoje të frikshme mund të kthehen sa herë që fiken dritat apo edhe kur mendojnë se janë në errësirë.

Frika nga errësira mund të zhvillohet edhe pas shikimit të një filmi të frikshëm ose dëgjimit të një historie shqetësuese. Nëse këto frika nuk trajtohen, ato mund të vazhdojnë dhe të kenë efekte negative në zhvillimin e fëmijës dhe të çojnë në ankth dhe psikopatologji të mëvonshme në fëmijërinë e vonë dhe adoleshencë.

Në rastet e shqetësimit shumë të lartë dhe kur pasojat e fobisë dëmtojnë zhvillimin e fëmijës dhe dinamikën e familjes, rekomandohet trajtimi tek psikologu.

Pukjana Geci – Psikologe dhe Terapiste./natalmedia.com/

 

 

 *Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts