Shkruan: Dr Ismail Lutolli,
specialist Pediatër, subspecialist Dietolog – Nutricionist
Bashkautore: Samire Ademi Lutolli
Specialiste Gjinekologji/ Obstetrikë
Nëse agjëroj, a ka rrezik për foshnjen time?
Ushqimi gjatë shtatzanisë
Jam shtatzënë për herë të parë, dua të agjëroj, a mund t’ ja dal?
Problemet shëndetësore gjatë shtatzanisë dhe evitimi i tyre
Procesi i ngeljes shtatzënë është një ndër mrekullitë më të mëdha apo ngjarjet më të gëzuara në jetën e një çifti. Kujdesi për mbajtjen dhe realizimin me sukses të shtatzanisë, ngelet një ndër detyrat më të rëndësishme për çiftin por edhe për familjarët e tyre.
Me ardhjen e Muajit Ramazan fillojnë edhe dilemat rreth agjërimit, dilemat se a do t’ ja dilni nëse e provoni agjërimin apo duhet shtyrë agjërimi pas shtatzanisë për shkak të shëndetit tuaj dhe të foshnjës. Për shumicen e grave shtatëzëna lind pyetja :
A mund të agjërojnë apo jo?
Nëse agjërojnë. A ka rrezik për foshnjat e tyre ?
Ka interpretime të sakta teologjike që nënën shtatzënë dhe gjidhënëse e lirojnë nga ky obligim, deri në përfundimin e këtyre proceseve dhe i mundesojnë kompensimin e këtyre ditëve pasi të keni kaluar fazën e shtatzanisë dhe gjidhënjes.
Megjithatë dëshira e shumë nënave për të realizuar agjërimin, i shtyen ato drejt këtij hapi.
Pa pretenduar të sjellim përgjigje definitive, sidoqoftë do hudhim dritë në aspektin mjekësor e dijetologjik të procesit të shtatzanisë dhe agjërimit.
Në këtë shkrim do të gjejnë përgjigje rreth kësaj çështjeje, duke shpresuar se do të lehtësojmë diç për nënat shtatzëna, të cilat sapo kanë filluar shtatzëninë, por edhe ato që i janë afruar terminit të lindjes.
Ushqimi gjatë shtatzanisë
Shtatzania është një gjendje e veçantë dhe kerkon një dietë më të kompletuar sa i përket vlerave ushqyese. Një grua shtatzënë duhet të përpiqet ti marrë të gjitha grupet e ushqimeve gjatë ditës, për të marrë tërë nutrientët që ju nevojiten, në mënyrë që të kemi rritje normale të foshnjes por edhe gjendje shëndetësore të mirë të nënës.
Ushqimi gjatë ditës duhet të përmbajë :
• 5 -9 porcione drithëra, 3-4 fruta ,3-5 porcione zarzavate, 3 porcione bylmet dhe 3 porcione proteina (vezë,mish,peshk,fasule).
• Ushqimet e pasura me fibra bimore si drithëra të plota (bukë e zezë, oriz apo makarona integrale ).
• Ushqimet me permbajtje bylmeti në mënyrë të mjaftueshme (3-4 racione) si dhe ushqime tjera të pasura me kalcium si spinaq, majdanoz, bajame, peshku etj.
• Një rëndësi të veçantë gjatë shtatzanisë kanë edhe ushqimet e pasura me hekur si :mishi (viçit ,qengjit), thjerrëzat, frutat e thata etj, të cilat do ishte mirë të shoqërohen me fruta të pasur me vitaminë C si : domatja, brokoli, kivi etj.
• Duhet marrë çdo ditë ushqime të pasura me acid folik si ushqime jeshile, fasule dhe mish viçi (mishi i viçit mund të përdoret deri 3 herë në javë, jo më shumë ). Acidi folik ka nje rol shumë të rëndësishëm në parandalimin e defekteve të tubit neural të embrionit.
• Kuptohet edhe ushqime te pasura me vitaminë A duhet marrë tre herë në javë si : karrotat, kajsitë, patatet e ëmbla dhe gjethet e panxharit.
• Keni kujdes me frutat e freskëta, perimet ose sallatat të cilat nuk janë shpërlarë si duhet, sepse këto mund të kenë parazitin toksoplazma ose bakterien e quajtur listeria.
Keni pasur histori aborti me herët dhe dëshironi të agjëroni..!
Abort është humbja e një shtatzënie në 20 javët e para. Rreth 10 deri në 20 për qind të shtatzanive të njohura përfundojnë në dështim. Studimet kanë gjetur se 30 deri 50 përqind e vezëve të fekonduara, humbin para ose gjatë procesit të implantimit- shumëherë më herët sesa një gruaje t’i vijnë periodat në kohën e pritshme.
Përpos shumë faktorëve tjerë, një ndër faktorët nxitës, merret edhe stresi i theksuar.
Një nënë që ka kaluar një abort apo edhe më shumë, do duhej të kalonte një periudhë të qetë dhe të pasur me ushqime dijetologjike përkatëse për periudhën e shtatzanisë.
Vetëm mendimi edhe dilema tek nje grua shtatzënë në pyetjen : agjërimi a do të ketë efekt në çrregullime që sjellin abort, do jetë mjaft domethënëse për ecurinë e mëtejme të shtatzanisë.
Në këto raste me histori familjare pozitive për abort, apo të kaluar të nënës me abort, nuk preferohet agjërimi gjatë shtatzanisë. Ushqimi dijetologjik i pasur me nutrientët e nevojshëm është i rëndësisë së veçantë në këtë fazë të fillimit të shtatzanisë dhe nuk do duhej rrezikuar me procesin e agjërimit. Duke qenë agjërueshëm, kjo do jetë në mungesë të madhe dhe e tëra do të ndikojë në gjendjen e përgjithshme shëndetësore të nënës dhe embrionit që ka filluar. Këshilla më e drejtë për nje grua që ka ngelur shtatzënë, që është në fillimin e saj por që më herët ka kaluar aborte do të ishte të mos agjëronte.
Duhet përsëritur faktin se agjërimi bëhet me qëllim që të jeni më afër Zotit në lutje e adhurime. Pikërisht në bazë të interpretimeve teologjike islame, një nënë shtatëzënë është e liruar nga procesi i agjërimit, me kusht që në të ardhmen do t’i kompensojë ditët e lëna.
Tani agjërimi nuk është një proces që konkurohet se kush mund t’ia dalë.
Nëse jeni një grua shtatzënë për herë të parë, kjo është e një rëndësie të veçantë dhe kujdesi duhet të jetë maksimal.
Agjërimi në këtë fazë mund të komplikojë simptomet edhe ashtu të shprehura gjatë shtatzanisë si: marramendje, lodhje, plogështi e përgjithshme, vjelljet dhe humbja e oreksit, kapsllëku. Të gjitha këto simptome apo probleme do të jenë edhe më të theksuara nëse jeni duke agjëruar për orë të tëra.
E tërë kjo gjendje do të ndikojë që ju të keni rritje të stresit, i cili do të ndikojë direkt në gjendjen e përgjithshme. Vjelljet e shpeshta në fillimin e shtatzanisë nëse nuk kompenzohen me lëngje të marra gjatë ditës, rrezikojnë direkt shëndetin e nënës, duke sjellë deri në dehidrim të theksuar. Nëse angazhoheni shumë apo edhe jeni në marrëdhënie pune dhe nuk hani e pini, kjo mund t’ju bëjë të jeni e lodhur dhe të mos ndjeheni mirë apo të fillojnë çrregullimet të cilat, me kalimin e kohës bëhen edhe më të theksuara.
Këshilla edhe në këto raste është të mos provohet procesi i agjërimit.
Agjërimi në tremujorin e parë dhe tremujorin e fundit të shtatzanisë është më i rrezikshëm sesa përiudha tjetër.
Nëse i keni kuptuar të gjitha por megjithatë prapë keni vendosur të agjëroni, provoni për një ose për disa ditë dhe shihni se si e përballoni këtë gjë. Nëse ndjeni vështirësi, jeni e lodhur, ndjeni turbullira, ju merren mend, keni pengesa në të pamuar, keni probleme me traktin digjestiv si vjellje, diare apo kapsllëk apo edhe ndonjë simptomë tjetër, ndërprejeni mënjeherë agjërimin. Gjatë tërë kësaj kohe bëni kujdes të shtuar për aktivitetet të cilat ju japin lodhje dhe stres të theksuar, duke mos harruar se ndryshimi i rutinës së përditshme të marrjes së ushqimit dhe ujit por edhe gjumit, mund të shkaktojë çrregullime të gjendjes shëndetësore për nënën shtatzënë./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”