Kruarja, skuqja, djegia dhe sekrecionet vaginale

Shkruan: Samire Ademi Lutolli

Specialiste-Gjinekologe dhe Obstetre

Specialiste në subspecializim për infertilitet

Phd Candidate

 

Jeni lodhur nga skuqja, djegja, kruarja dhe sekrecionet vaginale

 

Shkaktari më i shpeshtë i infeksioneve vaginale është infeksioni nga kërpudha Candida albicans.

Meqenëse kandida është një banor i zakonshëm fiziologjik në vaginën e një gruaje, ndonjëherë kandidiaza/infeksioni mykotik nuk mund të parandalohet. Sidoqoftë, është e mundur të zvogëlohet rreziku i zhvillimit të një infeksioni mykotik. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është mirëmbajtja e duhur e higjienës së zonës intime, një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar dhe sjellje e përgjegjshme seksuale.

 

Më poshtë janë disa nga këshillat për parandalimin më të mirë të infeksioneve nga kërpudha vaginale:

 

1. Është e rëndësishme të ruani një vlerë paksa acidike të pH të vaginës, sepse është kushti më i përshtatshëm për zhvillimin e florës natyrale (bakterieve të mira) dhe të shëndetshme të vaginës. Ju mund ta bëni këtë duke mbajtur higjienën intime, duke shplarë zonën me ujë të vakët. Pastrimi të bëhet paraprakisht nga para pasataj zonën anale në mënyrë që të mos barten bakteriet nga zorra e trashë për në vaginë dhe fëshikëz urinare.

 

2. Shmangni përdorimin e shampove agresive dhe të papërshtatshme. Përveç kësaj, shmangni larjen e zonës intime shpesh. Rekomandohet të bëni shplarje të zonës deri në maksimum dy herë në ditë. Në rastet tjera fshihuni me peceta të pastra që përdorni vetëm ju personalisht.

 

3. Gjatë menstruacioneve, është më mirë të përdorni peceta sanitare të bëra nga materiale natyrale. Tamponët dhe pecetat duhet të ndërrohen shpesh.

 

4. Shmangni përdorimin e përditshëm të pecetave ditore, përveç kur ju duhen gjatë gjakderdhjes së pakët menstruale ose gjatë ovulimit për shkak të rritjes së shkarkimit të sekrecioneve sepse nuk lejojnë ajrosje të zones dhe bëjne grumbullim të nxehtësisë dhe lagështisë gjë që e favorizon mykun.

5. Përdorni të brendshme pambuku përmes së cilave bëhet e mundur ajrosja dhe shmangni veshjet e brendshme nga materialet sintetike dhe veshjet e ngushta.

 

6. Pini shumë lëngje. Opcionet më të mira janë uji dhe çajrat e pa ëmbëlsuara. Kjo ndihmon për të zbrazur shpesh fshikëzën dhe për të larguar bakteret e pranishme në sistemin urinar. Te gratë, uretra është e vendosur afër hyrjes në vaginë, kështu që bakteret nga uretra mund të hyjnë në vaginë, të shkaktojnë infeksion dhe të favorizojnë zhvillimin e infeksioneve.

 

7. Merrni probiotikë – ato luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e një flore të shëndetshme vaginale dhe parandalimin e infeksioneve të traktit urinar. Ato janë në dispozicion si shtesa dietike, por gjenden gjithashtu në kos probiotik dhe kefir. Ato gjithashtu mund të gjenden në formën e tabletave vaginale.

 

8. Shmangni ushqimet e pasura me sheqer pasi favorizojnë rritjen dhe riprodhimin e tepërt të kandidës. Nëse jeni të prirur ndaj infeksioneve të këpurdhave, ju rekomandojmë që të zvogëloni marrjen e sheqerit, bukës, makaronave dhe të gjitha ushqimeve të përpunuara në mënyrë industriale. Gjithashtu shmangni konsumimin e tepërt të frutave sepse përmbajnë një sasi më të lartë sheqeri. Hani perimet të fermentuara (turshi) e sidomos lakër turshi sepse përmbajnë mikroflorë që ndihmojnë në përmirësimin e sistemit imunitar dhe ta bëjë trupin më pak të ndjeshëm ndaj rritjes së kandidës. Kujdes! Përdorni turshitë që kanë sa më pak krypë.

9. Nëse jeni në terapi me antibiotikë, gjithmonë është e rekomandueshme të përdorni probiotikë në formën e supozitorëve vaginalë ose kapsulave të marra nga goja, për të parandaluar zhvillimin e infeksioni mykotik.

 

10. Jini të përgjegjshëm në sjelljen tuaj seksuale, veçanërisht nëse jeni duke hyrë në një marrëdhënie me një partner të ri. Sigurisht që është e rëndësishme të përdorni prezervativ për t’u mbrojtur nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

 

11. Është e rëndësishme të shkoni rregullisht për një ekzaminim gjinekologjik, Pap test dhe, nëse është e nevojshme, të bëni strisho të vaginës dhe të qafës së mitrës për infeksionet. Duke identifikuar kështu shkaktarin e infeskionit do të përcaktohet terapia adekuate. Në shitje ka vaginaleta të ndryshme që janë të dedikuara për infeksione përkatëse dhe duke marrë vaginaletat jopërkatëse dhe jo të përshtatshme mund të dëmtoni edhe bakteriet e dobishme të vaginës dhe kështu do të krijohet një mjedis edhe më i përshtatshëm për zhvillimin edhe më të madh të mikroorganizmave të huaj dhe kështu krijoni një rreth të mbyllur duke e thelluar edhe më shumë infeksionin nga bakteriet dhe kërpudhat.

 

12. Rregulloni stresin dhe pagjumësinë sepse ulin aftësinë mbrojtëse të sistemit imunitar, si pasojë rrezikoni të prekeni më lehtë nga infeksionet e kërpudhave./natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts