Shkruan: Dr Samire Ademi Lutolli
Specialiste-Gjinekologe dhe Obstetre,
Specialiste në subspecializim për infertilitet
Kalimi nga fëmijëria në pubertet është një proces i rëndësishëm, i rregulluar në mënyrë të mrekullueshme. Me arritjen e moshës së adoleshencës nisin të shfaqen edhe ndryshimet e para në zhvillimin psikofizik. Hormonet seksuale, estrogjeni dhe progesteroni, që deri në atë fazë janë si të “fjetura”, jo aktive, jo vetëm që e ndërrojnë pamjen e jashtme të vajzës së re, por ndërrojnë edhe në brendësi organet e saj.
Pjekuria fizike te femrat në pubertet karakterizohet nga rritja e gjinjve dhe mbirja e qimeve pubike dhe të nënsqetullës, si dhe nga një nxitje e rritjes, që rezulton me rritje në gjatësi dhe peshë të ndjekur nga mbarimi i rritjes së kockës.
Ovulimi (pjekja e vezës) dhe menstruacioni (gjakrrjedhja) fillojnë afër fundit të pubertetit, në përgjithësi rreth 12 e ½ vjeç, megjithëse shfaqja në çdo moshë nga 9-18 vjeç është normale.
Fjala menstruacion vjen nga latinishtja “mensis” që do të thotë muaj. Ardhja e të përmuajshmes së parë shënon fillimin e prodhimit të vezëve në vezore.
Gjatë ciklit mitra e femrës përgatitet për shtatzëni, në qoftë se veza ka arritur të pllenohet nga qeliza mashkullore. Në qoftë se kjo nuk ndodh, cipa e brendshme e mitrës shkolitet, duke dhënë gjakrrjedhje në formë fluksi (fazë e të përmuajshmes që zgjat 3-7 ditë). Gjatë këtij fluksi humbet rreth 36 mililitra gjak në ditë. Humbjet normale të gjakut sillen rreth 10 dhe 200 mililitra.
Zakonisht një femër me cikël të rregullt ka 8 cikle në vit.
Kohëzgjatja e ciklit zakonisht lëviz nga 20 deri në 36 ditë, me një mesatare rreth 28 ditë.
Disa femra, që në fillim kanë cikle që alternohen në kohë dhe sasi të gjakrrjedhjes. Megjithatë do të kalojë edhe një kohë derisa menstruacionet të marrin formën e tyre të vërtetë. Në fillim nuk janë të rregullta, vonohen apo “vijnë” të pakta në sasi e ndonjëherë edhe të “shumta”.
Por, megjithëse menstruimi është një ngjarje normale e shëndetshme për shumë vite në jetën e gruas, ato provojnë probleme menstruale, të cilat mund të radhiten nga shqetësime të lehta e të durueshme deri në shqetësime vërtet serioze që vështirësojnë aktivitetin e saj.
Secila femër është unike dhe mund të provojë një shumëllojshmëri ndjenjash dhe përvojash dhe të reagojë krejt në mënyrë të veçantë.
Është shumë e vështirë të gjendet një kuptim i bashkëveprimit të gjendjes fizike dhe emocionale me ambientin e jashtëm (fizik dhe social) dhe ambientin e brendshëm (duke përfshirë ndryshimin ciklik të kimisë së trupit dhe trashëgiminë) për të mësuar se përse disa gra kanë probleme dhe disa të tjera nuk kanë.
Për ato që kanë këto probleme është e rëndësishme që t’i kuptojnë problemet për të mësuar si t’i përballojnë ato.
Sindromi paramenstrual (SPM) dhe dismenorea
Sindromi paramenstrual është një seri shenjash apo ankesash psikologjike dhe fizike, të cilat fillojnë rreth një javë para menstruacionit dhe zgjasin deri në fillimin e tij. Shqetësimet fillojnë 7-10 ditë përpara menstruacionit dhe me ardhjen e tij pakësohen derisa humbasin. Rreth 80% e femrave kanë shqetësime të tilla. Shqetësimet e SPM nganjëherë mund të jenë aq të mëdha, saqë ndikojnë direkt tek jeta sociale e femrës.
‘Dismenorea (angl. dysmenorrhea) do të thotë “dhembje gjatë periodës”, pavarësisht nga shkaku. Menstruacionet e dhimbshme janë mjaft të shpeshta dhe përfshin dhembjet në formë të krampeve në pjesën poshtë stomakut dhe fundin e barkut, e cila shtrihet drejt rrëzës së kofshëve dhe shpinës. Dhembjet apo krampet muskulare nuk janë të njëjta me diskomfortin gjatë SPM, edhe pse simptomat e të dyja mund të jenë si një proces i vazhdueshëm. Shumë femra vuajnë nga të dyja nga SPM dhe krampet menstruale.
Dhembjet menstruale mund të jenë nga mesatare deri shumë të rënda, sa mund të ndikojnë në aktivitetin e femrës për disa ditë. Statistikat tregojnë se rreth 50 % e femrave dhe në mesin e tyre më shumë se 15 % i përshkruajnë dhembjet e tyre shumë të rënda. Studimet te vajzat adoleshente tregojnë se mbi 90% e vajzave raportojnë për dhembje menstruale.
Dismenorea mund të jetë primare dhe sekondare.
Në dismenorenë primare nuk ka ndonjë shkak gjinekologjik të dukshëm që shkakton dhembjen. Ky tip i dhembjeve mund të fillojë brenda 6 muajve deri një vit të fillimit të menstruimit të vajzës. Dhembjet menstruale tipike nuk fillojnë derisa ciklet ovulatore menstruale (kur veza është liruar nga ovaret) të ndodhin, dhe ky menstruim fillon përpara fillimit të ovulacionit. Kështu,vajza adoleshente mund të mos ketë dismenore disa muaj deri një vit që nga fillimi i menstruimit.
Dismenorea sekondare vjen si pasojë e disa sëmundjeve të organeve të legenit. Zakonisht shfaqet te femrat që kanë pasur periudha normale të menstruacioneve, kurse menstruacionet e dhimbshme janë shfaqur si pasojë e sëmundjes së mitrës apo vezoreve. Dhembja zakonisht fillon disa ditë para menstruacioneve. Mund të jetë e njëjtë si në dismenorenë primare, por, në ndryshim nga ajo, mund të zgjasë edhe gjatë tërë periudhës së menstruacioneve dhe mund të shfaqet edhe gjatë ditëve të tjera gjatë muajit.
Cilat janë shqetësimet SPM dhe shenjat tjera shoqëruese të dismenoresë?
Prej shqetësimeve psikologjike janë: depresioni, nervozizmi, lodhja, humbja e dëshirës seksuale, paniku, ankthi, humbja e përqendrimit, të qarët për një gjë më të vogël, irritabilitet,agresivitet, humbje e vetëkontrollit, urrejtje pa arsye, humbje kujtese, mos pëlqimi i vetvetes etj.
Prej shqetësimeve fizike janë: dhembje koke, migrenë, ndjenjë dobësie-këputje trupore, ënjtje e duarve apo e fytyrës, fryrje të gjirit dhe rritja e ndjeshmërisë së tyre, fryrje e barkut, rritje e oreksit, nauze, të vjella, diarre, kapsllëk, urinim më i shpeshtë, rritja e interesit për disa ushqime të veçanta (p.sh çokollatë apo ëmbëlsira), marrje mendsh, rrahje të shpeshta të zemrës, kapsllëku, dhembje muskujsh, puçrra në fytyrë, etj.
Të mos harrojmë se nuk është e thënë se të gjitha këto shqetësime duhet të gjenden në të njëjtën kohë apo të gjitha tek një femër.
Gjithashtu, nëse këto shqetësime zgjasin gjatë gjithë periudhës së menstruacioneve dhe ju nuk qetësoheni me ardhjen e menstruacioneve, duhet ta dini se mund të keni një problem tjetër, pasi shumica e grave, me fillimin e menstruacioneve, qetësohen.
Megjithatë, femrat, pavarësisht nga dhembjet dhe shqetësimet e menstruacioneve, i kryejnë obligimet e veta dhe rregullisht shkojnë në shkollë, punë, duke balancuar punën, familjen dhe shqetësimet menstruale.
Kur të kuptojmë që një dhembje nuk është normale?
Kontrollohuni patjetër tek gjinekologia nëse:
Dhembjen nuk e shoqëron një menstruacion i zakontë në kohë, nëse dhembja është shumë më e fortë se zakonisht, nëse zgjat më shumë se 2-3 ditë, nëse vini re ndonjë ndryshim nga herët e tjera. Duhet bërë një vizitë e plotë gjinekologjike për të hedhur poshtë ekzistencën e ndonjë sëmundjeje. Duhet bërë një analizë urine dhe gjaku bashkë me një eko, për të hedhur poshtë ekzistencën e një infeksioni, kisti, apo mase. Sipas rekomandimit të mjekut bëhen dhe teste të tjera më të hollësishme.
Kura shtëpiake për problemet menstruale
Dismenoreja me disa këshilla mund të parandalohet deri diku. P.sh para menstruacioneve dhe gjatë tyre të qëndrohet larg nga kafeja (ngushton enët e gjakut dhe rrit tensionin), çaji, çokollata, pra, lëndët që përmbajnë kafeinë. Ti bëhet masazh zonës së barkut dhe të mos qëndrohet gjatë në këmbë apo të mos lëvizet gjatë. Tek femrat, që janë nervoze apo të lodhura, dhembjet shtohen, kështu që gjatë dhembjeve është e mirë çlodhja. Po ashtu edhe kapsllëku rrit dhembjet. Duhet pirë shumë ujë dhe duhet qëndruar larg duhanit apo alkoolit.
Megjithatë, shumë femra duhet të gjejnë trajtimin që funksionon për të. Ndoshta trajtimi më i zakonshëm, sidomos në të kaluarën ka qenë të shtrihen që në shenjën e parë të dhembjes.
Rekomandimet e sotme nuk përfshijnë vetëm pushimin dhe gjumin, por gjithashtu ushtrime të rregullta (veçanërisht ecjen) bashkë me dietën e shumëllojshme, të mjaftueshme dhe të balancuar janë tri nga kurat e zakonshme shtëpiake.
Shumë gra zbulojnë që një dietë me disa vakte të vogla në ditë dhe të shpeshta, në krahasim me dy ose tre vakte të mëdha, të pasur në drithëra, fruta, zarzavate dhe peshk dhe me pak ose aspak kripë, sheqer dhe ushqime me yndyrë. Aspak duhan, alkool, pije me gaz dhe kafeinë (që gjendet në kafe, çaj, çokollatë dhe pijet e buta) ndihmon në reduktimin e fryrjes paramenstruale dhe lodhjes.
Ushqimet më të rekomandueshme janë ato që përmbajnë karbohidrate komplekse: drithërat, makaronat, orizi, buka e zezë, etj.
Ushqimi duhet të përmbajë sasi të mjaftueshme të kalciumit, vitaminën B6, B12, E, magnez, selenium, hekur, etj.
Këto elemente ndihmojnë në parandalimin, lehtësimin e kontraktimeve muskulare dhe krampeve, funksionimin më të mirë të fibrave nervore, në rregullimin e gjendjes shpirtërore dhe krijimin e rruazave të gjakut.
Mos harroni vajin e peshkut, ndihmon në parandalimin e simptomave menstruale.
Në rast moskujdesi për dietën ju mund të bini në anemi nga humbjet e gjakut.
Ato femra, të cilat janë anemike dhe të zbehta është e preferuar të marrin hekur nga farmacia. Ka edhe prodhime me hekur dhe acid folik bashkë, që janë akoma më të mira. Kujdes, hekurin mos e merr me stomak bosh, se do të të rëndojë shumë.
Konsumoni ushqime që përmbajnë shumë hekur: mish viçi është më mirë, sepse përmban më shumë hekur se mishi i deles apo i pulës, vezë dhe fasule. Trupi nuk e thith hekurin e tyre aq lehtë sa thith hekurin e mishit.
Pini një gotë lëng portokalli të shtrydhur, para se të merrni hekurin apo para se të hani një ushqim që përmban shumë hekur. Portokalli ka shumë vitaminë C, e cila është e domosdoshme për thithjen e hekurit nga trupi ose të përdorni vitaminë C tableta tri herë në ditë para buke.
Gjithashtu, duhet të hani perime jeshile, sepse përmbajnë acit folik, i cili gjithashtu ndihmon në thithjen e hekurit nga trupi.
Preferohet që të hani edhe fistek, rrush të thatë, fiq të thatë, hurma, mandarina, luleshtrydhe, boronica, manaferra.
Të mos hani në të njëjtin vakt një ushqim të pasur me hekur (p.sh. mish) me një ushqim të pasur me kalcium (p.sh. qumësht, djathë ose kos). N.q.s. i ka te dyja në të njëjtën kohë, nuk thith asnjërën plotësisht, kemi fryerje barku dhe vonohet tretja.
Është e preferuar të hani çokollatë me rrush ose lajthi, sepse përmban hekur dhe magnezium, ato gjëra që trupi i humb me gjakun e rrjedhur.
Magnezi ndihmon në zbutjen e ngërçeve në muskuj.
Shumë femra para menstruacionit kanë dëshirë të madhe për çokollata pasi që ato përmbajnë shumë magnez. Mjekët thonë se çokollata pa qumësht (bitter) është shumë më e ushqyeshme se ajo me qumësht. Sa më e errët të jetë, aq më shumë magnez përmban.
Por, çokollatat përmbajnë edhe shumë sheqer, i cili, nga ana tjetër, e zvogëlon shfrytëzimin e materieve minerale. Domethënë, më mirë është të shfrytëzoni burime të shëndetshme magnezi, si për shembull: lloje të ndryshme të perimeve që kanë gjethe të gjelbra, peshk dhe prodhime qumështore.
Gjatë ciklit menstrual preferohet të pini edhe ujë, lëngje, çaj, por jo më shumë se 2.5 litra në ditë,
Gjethet e bimëve mund t’ju ndihmojnë. Çaji me gjethe boronice, rozmarine, kamomili dhe mentja gjithashtu janë të mira për një qetësim të përgjithshëm. Rregullojnë sistemin e qarkullimit te gjakut, për pasojë, bëjnë ta ndieni më pak lodhjen dhe ndalojnë dhembjen e kokës, qetësojnë nervat kur ndiheni të mërzitura dhe qetësojnë muskujt dhe mitrën.
Ushtrimet lehtësojnë dhimbjet menstruale
Në rastet akute ndihmojnë disa nga preparatet kundër dhembjes, të cilat i lehtësojnë spazmat. Mirëpo të njëjtin efekt mund ta kenë edhe ushtrimet. Ato rregullojnë qarkullimin e gjakut, oksigjenimin e trupit dhe qetësojnë muskujt.
Aktiviteti fizik gjithashtu nxit krijimin e endorfinës, materie që e zvogëlon dhembjen, e me këtë lirohen muskujt e barkut dhe të shpinës, të cilat ato ditë janë të shtrënguara.
Gjatë këtyre ushtrimeve është me rëndësi të mbahet ritmi i frymëmarrjes, ndërsa më shumë duhet t’i kushtohet rëndësi ushtrimeve me këmbë në pozicion shtrirë në shpinë.
Ngrohja e pjesës së poshtme të stomakut dhe shpinës, p.sh një shishe me ujë të ngrohtë ose jastëk me korrent do të bënte mirë.
Mjekimet
Dismenoreja e lehtë dhe mesatare, në shumicën e rasteve, përmirësohet me qetësues të lehtë. Nëse koha e menstruacioneve është fikse, atëherë mund të merrni analgjezikun një ditë para menstruacione dhe kjo do të lehtësojë shumë.
Shumë gra përdorin medikamente që merren pa recetë, si: aspirinë, paracetamol ose paracetamol plus një diuretik (p.sh.Diurex MPR) mund të jenë të dobishëm. Marrja e tepërt e aspirinës mund t’ju hollojë gjakun dhe ta bëjë hemorragjinë më të rëndë.
Analgjezikët mund të merren edhe nga zorra e trashë si p.sh. Diklofeni. Nëse dhembjet janë shumë të forta, mund të përdoren analgjezikët intravenoz.
Agjentët kryesorë për trajtimin e dhembjeve të moderuara menstruale janë antiinflamatorët josteroidë (AIJS), të cilët zvogëlojnë prodhimin e prostaglandinave (shkaktarë të dhimbjeve) e jepen pa recetë: ibuprofen (Advil,etj), naproxen sodium dhe ketoprofen.
Çfarë të përdoret për higjienë gjatë rrjedhjes menstruale dhe higjiena intime
Tamponët dhe pecetat komerciale ngrenë disa probleme domethënëse shëndetësore.
Sindroma e shokut toksik (SShT) është një infeksion i rrallë gjaku, por kërcënues për jetën, i cili është i lidhur me përdorimin e tamponëve, në mënyrë të veçantë të atyre me absorbim të lartë, që janë të përbërë nga materiale sintetike (tamponët e përbërë vetëm nga materiale pambuku nuk janë lidhur me SShT).
Për të shmangur SShT mos përdorni tamponë ndërmjet periudhave tuaja menstruale ose mos përdorni ato tamponë që janë më absorbues që ju keni nevoje gjatë menstruacioneve tuaja. Shmangni përdorimin e tamponëve gjatë natës. Përveç rrezikut të SShT, disa gra, ndërsa janë duke përdorur tamponë, mund të pësojnë irritim vaginal, kruajtje, lëndim, erë të pazakonshme ose në raste të rralla hemorragji me gjak shumë të kuq. Në qoftë se ju vini re ndonjë prej këtyre problemeve, ndaloni së përdoruri tamponët, përdorni tamponë me absorbim më të ulët ose ndryshoni llojin e tamponit për të parë nëse kjo mund t’ju ndihmojë. Gjithashtu mjekët janë unik në rekomandimin e mbajtjes se pecetave të pastra prej pambuku duke iu shmangur përdorimit të pecetave të fabrikuara në kuti për arsye kontaminimi të tyre që nga prodhimi, magazanimi dhe shperndarja e tyre. Përpara se të hidhen në treg nuk bëhet ndonjë prove sigurie për tamponët dhe pecetat.
Takimi me gjinekologen
Ndryshimet në eksperiencën e dhembjeve menstruale, si në gravitetin, kohëzgjatjen apo kohëparaqitjen e tyre ose lokalizimin, duhet të konsultoheni me mjekun. Shpeshherë dhembjet e padurueshme dhe cikle të çrregullta, që nuk përmirësohen, bëjnë t’ju çojnë të gjinekologia. Një vendim i tillë nuk është i lehtë. Është mirë që të bisedohet me mjeken haptazi, pa turp, për gjithçka që i intereson një femre në moshë të re dhe pa përvojë apo një femre të shqetësuar. Që nga mosha 20-vjeçare, femra duhet të konsultohet rregullisht me gjinekologen. Me këtë mund të shmangen shumë sëmundje. Vizita tek gjinekologia është mirë të kryhet një herë në vit, në kohën mes dy menstruacioneve. Gjatë secilës vizitë duhet kontrolluar edhe gjendja e gjinjve. Një herë në dy vjet duhet bërë ultrazëri i abdomenit për të konstatuar strukturën e mitrës, të vezoreve, vepruesve dhe të zbulohen trashjet eventuale të indeve dhe të gjendet shkaku i mundshëm i problemeve. Para një ekzaminimi të tillë fshikëza urinare duhet të jetë e mbushur, që të krijojë pamje më të lehtë.
Është e këshillueshme që të bëhet ekzaminimi i qafës së mitrës, Pap-testi (pasi të keni filluar marrëdhëniet seksuale), në mënyrë që të zbulohen tumoret e hershme. Pap-testin është mirë ta bëjnë femrat një herë në vit.
Në praktikë, për ta dalluar mirë së kur fillojnë dhe kur mbarojnë dhembjet e shqetësimet e tjera, femrat këshillohen të mbajnë ditar, ku të shënojnë ditët e dhembjeve dhe ditët e menstruacioneve.
Sa më shumë të mësojnë femrat rreth trupit të tyre, si ta mbajnë sa më mirë shëndetin, dhembjet menstruale po bëhen një shqetësim gjithnjë e më i vogël mujor./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kompjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forne tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”