Shëndeti oral dhe trajtimi i dhëmbëve gjatë muajit të Ramazanit

Shkruan: Spec.Dr.Manushaqe Veliu

Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, muslimanët në mbarë botën agjërojnë gjatë ditës, duke u përmbajtur nga ushqimi dhe pijet nga agimi deri në perëndim të diellit. Shumë besimtarë, por edhe vetë stomatologët, janë në mëdyshje nëse trajtimi i dhëmbëve do ta prishë agjërimin, cilat procedura mund të kryhen dhe cilat duhet të shtyhen.

A lejohet marrja e barnave gjatë agjërimit ?

Gjatë muajit të Ramazanit, besimtarët agjërues lejohen të lajnë dhëmbët dhe të përdorin pastën e dhëmbëve dhe shpëlarës goje, me kusht qe të mos gëlltiten. Patjetër që rekomandohet larja e dhëmbëve pas vaktit. Gjatë ditës, kur agjërojmë, nuk ka aq shumë nevojë për higjienë orale, sepse nuk konsumohet ushqim. Halitoza është shpesh e pranishme në agjërim.

Ndodh për shkak të tharjes së mukozës së gojës,për shkak të zvogëlimit të sasisë së pështymes. Gjatë orëve të agjërimit lejohen edhe marrja e anestezionit lokal dhe medikamenteve të tjera injektuese. Nuk lejohet injektimi i barnave që kanë vlera ushqyese. Gjithashtu nuk lejohet marrja e barnave që gëlltiten, gjë që është problem i shpeshtë kur dentisti përshkruan antibiotikë që merren çdo 6, 8 ose 12 orë.

Kur marrja e antibiotikëve dhe analgjezikëve është e pashmangshme, në marrëveshje me stomatologun, koha e marrjes së medikamenteve duhet të përshtatet me orët në të cilat lejohet ngrënia dhe pirja, ose të ndërpritet agjërimi.Kur bëhet fjalë për procedurat dentare, është e qartë se besimtarët kanë frikë se gëlltitja aksidentale e ujit mund të prish agjerimin.

Megjithatë, me punë të kujdesshme me ndihmë të mirë, me pushime për nxjerrjen e lëngjeve të tepërta dhe përdorimin e thithëses, trajtimet dentare mund të jenë plotësisht të sigurta për agjëruesin. Pastrimi i gurëve, kiretazhi i xhepit, përgatitja dhe vendosja e mbushjes së dhëmbëve, nxjerrja e dhëmbëve, prerjet dhe drenimi, trajtimi i kanalit të rrënjës, punimet protetikore nuk e prishin agjërimin.

Fluorizimi , si një trajtim parandalues ​​që sigurisht nuk është urgjent, duhet të shtyhet për periudhën pas Ramazanit./natalmedia.com/

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

 

SHPËRNDAJE:

Related posts