INTERVISTË me Dr Samire Ademi Lutolli
Specialiste-Gjinekologe dhe Obstetre,
Specialiste në subspecializim për infertilitet
A mund t’i shtyejmë menstruacionet dhe a është e dëmshme për shëndetin?
Kur planifikojmë një pushim në plazh, nuk jemi gjithmonë në gjendje të përcaktojmë datën sipas ciklit menstrual. Në situata të tilla, shumë gra dëshirojnë të shtyjnë menstruacionet derisa të kthehen nga pushimet.
NATAL: A është e dëmshme të shtyejmë menstruacionet?
Dr Samire Ademi Lutolli: Menstruacionet janë një gjakderdhje normale mujore nga mitra që gratë kanë në periudhën riprodhuese në cikle prej 28 + /- 7 ditë – duke llogaritur nga dita e parë e menstruacioneve deri në ditën e parë të menstruacioneve të ardhshme.
Kjo gjakderdhje në të vërtetë nënkupton hedhjen e mukozës së mitrës e cila krijohet duke u trashur çdo muaj nga fillimi i ciklit. Qëllimi i kësaj mukoze të transformuar të mitrës është të jetë e përgatitur që të pranojë embrionin nëse gruaja ngelet shtatzënë dhe të formojë më vonë placentën përmes së cilës do të ushqehet fetusi në mitër.
Në rastet kur gruaja nuk dëshiron ose nuk arrin të ngelet shtatzënë, mukoza e formuar e mitrës hidhet dhe largohet në fund të ciklit në formën e gjakderdhjes menstruale mujore. Dhe kështu cikli përsëritet çdo muaj nga e para.
Por, kjo hedhje e mukozës së formuar nuk është vërtetë e domosdoshme në raste të veçanta si p.sh. shkuarja në plazh, shfaqje balerinash, apo raste tjera.
Kështu, sot në raste mund të rekomandohen pilulat kontraceptive. Zakonisht pilulat kontraceptive përdoren për parandalimin e shtatëzanisë së padëshiruar dhe rekomandohen në regjime më të zgjatura. Kjo do të thotë që pilula kontraceptive merret pa ndërprerje midis kutive.
Është e rëndësishme të theksohet se duke ndaluar gjakderdhjen mujore, asgjë nuk grumbullohet ose trashet, por thjesht mukoza e mitrës nuk krijohet në formën e saj të natyrshme mujore.
Kjo mënyrë e përdorimit të pilulave madje ndonjëherë përdoret për qëllime terapeutike – për trajtimin e anemisë në gratë që kanë anemi për shkak të menstruacioneve të rënda, endometriozës, cisteve të vezoreve dhe të ngjashme.
Prandaj shtyerja e mestruacioneve nuk është e thënë të jetë dëmshme dhe kjo është edhe arsyeja pse shtyerja e menstruacioneve ndonjëherë mund të jetë edhe e dobishme për shëndetin.
NATAL: Në cilat mënyra mund ti shtyjmë menstruacionet?
Dr Samire Ademi Lutolli: Menstruacionet mund të shtyhen duke përdorur dy lloje të pilulave hormonale: -Tabletat e kombinuara hormonale që përmbajnë hormonin estrogjen dhe progestin, që përdoren më shpesh për kontracepcion – parandalimin e shtatzënisë së padëshiruar. Ato zakonisht pihen çdo ditë për 21 ditë (një kuti), e ndjekur nga një pushim 7-ditor kur ndodh gjakderdhja dhe pas atyre 7 ditëve merret kutia tjetër. Kur dëshirohet të shtyhet menstruacioni, ato përdoren pa pushim midis dy kutive, dhe sipas rastit mund të merren dy, tre ose katër kuti. Gjatë kohës që përdoren këto pilula, një grua mbrohet nga shtatzënia vazhdimisht, pavarësisht nëse bën pushime apo jo.
Tabletat me progestin përmbajnë vetëm hormonin sintetik progesteron – ato nuk kanë efekt kontraceptiv, pra nuk mbrojnë nga shtatëzania.
NATAL: A mund të marrë çdo grua pilula kontraceptive?
Dr Samire Ademi Lutolli: Para se gruaja të përdorë ndonjë pilulë, është e detyrueshme të konsultohet me gjinekologun për të përcaktuar se çfarë lloji të pilulave janë të këshillueshme për të, si t’i marrë ato, kur të fillojë dhe kur të ndalojë. Gjinekologu duhet të përcaktojë nëse ka ndonjë rrezik në përdorimin pilulave të kombinuara dhe për të shpjeguar efektet e mundshme anësore të mundshme. Sigurisht ekzistojnë kategoritë e caktuara të grave që kanë rrezik të lartë nga përdorimi i kontraceptivëve si ato me histori për trombozë të venave, duhanpirëset etj.
Në asnjë mënyrë tabletat kontraceptive nuk duhen të merren pa përshkrimin e mjekut gjinekolog. Dhe sigurisht, para se të fillojë kutinë duhet të lexojë fletëudhëzimin nga kutia.
NATAL: Si ti shtyjmë menstruacionet në rast se tashmë jemi duke marrë pilula kontraceptive?
Dr Samire Ademi Lutolli: Nëse një grua tashmë është duke marrë pilula me hormone të kombinuara nën kontrollin e gjinekologut të saj, mjafton të mos bëjë pushim midis dy kutive ose të “kalojë” 4 pilulat e fundit “të zbrazëta” nëse merr ato kuti që përmbajnë të 28 pilula në paketim.
NATAL: Në rast se megjithatë nuk duam të shtyjmë menstruacionet, a mund të ekspozohemi në diell dhe të notojmë në det përderisa gruaja është me menstruacione?
Dr Samire Ademi Lutolli: Në rast se gruaja është me menstruacion derisa është në det, liqen, lumë, apo kudo në pushime, ajo mund të lahet normalisht dhe rekomandimet për ekspozimin në diell janë të njëjtat si për të gjithë njerëzit – shmangni diellin më të fortë, mos e ekspozoni veten në diell për më gjatë, mbrojeni lëkurën …. Sigurisht larja në ujëra të pastra rekomandohet për të gjitha gratë jo vetëm për ato që janë me menstruacione.
Në dy ditët e para, kur menstruacioni është më i hovshëm larja në ujë është më e sikletshme dhe për këtë arsye gratë në përgjithësi i shmangen larjes në ujë.
NATAL: A e rekomandoni përdorimin e tamponëve?
Dr Samire Ademi Lutolli: Tamponët janë mjet i përshtatshëm në rastet e veçanta kur gruaja është me menstruacione si në rastin kur gruaja bën plazh sepse kështu i mundësohet gruas të lahet ndërsa është me menstruacione, me kusht që t’i ndërrojë ato rregullisht, çdo 6-8 orë, në varësi të sasisë së gjakderdhjes.
NATAL: Po vajzat e virgjëra?
Dr Samire Ademi Lutolli: Vajzat që nuk kanë kryer marrëdhënie seksuale gjithashtu mund të përdorin mini tampona nëse himeni i tyre i virgjër është elastik dhe ka një kalueshmëri mesatare. Vajzat zakonisht kanë shumë dilemë në lidhje me këtë dhe për këtë ajo mund të konsultohet me një gjinekolog që do ta ekzaminojë dhe vlerësojë nëse mund të përdorë tamponë.
Shpresojmë që të kemi hequr disa nga dilemat për gratë dhe se ky informacion do të thotë që ju do të shijoni detin edhe gjatë menstruacioneve./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”