Jeni shtatzënë dhe pyesni a mund të bëni plazh Po apo jo? A është e sigurtë dhe ku?

Shkruan: Dr.Samire Ademi Lutolli
Gjinekologe dhe Obstetre

 

Shumë gra shtatzëna në këto ditë vape pyesin nëse u lejohet të lahen në vaskë, det, lumë apo liqen gjatë shtatëzanisë.
Duke qenë se shtatzënia është një gjendje tjetër fiziologjike dhe nuk është sëmundje, për shumë gra shtatzëna, gjërat nuk ka nevojë të ndryshojnë rrënjësisht.

Nëse shtatzënia është normale dhe gruaja shtatzënë nuk ka tension të lartë të gjakut, diabet të pakontrolluar, funksion të çrregullt hormonal të gjëndrës tiroide, sëmundje të veshkave dhe/ose sëmundje të zemrës, nëse nuk ka dyshime për vendosje të ulët të placentës, mundësia e lindjes së parakohshme (çelja e qafës së mitrës, kontraksionet, gjakderdhja, infeksionet) ose për ndonjë shkak që mund të rrezikojë fetusin, të tilla si ngadalësimi i rritjes së fetusit, larja në një vaskë, det ose lumë nuk është e ndaluar.

POR KUJDES!

Një banjë relaksuese është një ëndërr dhe një luks për shumë gra shtatzëna. Edhe pse në përgjithësi vaskat me ujë nuk rekomandohen, megjithatë me parakushtet e lartpërmendura vaskat mund të bëhen duke respektuar disa elemente:

-Rekomandohet që temperatura e ujit të mos jetë më e lartë se 38ºC, të përdoret vaskë personale e pastruar mirë, pa shtesa të forta aromatizuese të ujit dhe një qëndrim më i shkurtër në vaskë.
-Vaskat me xhakuzi, veçanërisht në hotele apo banja (spa)- shmangni!
-Kurrë mos hyni ose dilni nga vaska vetë për shkak të mundësisë nga rënia e shtypjes së gjakut dhe rënia(rrëzimi), për këtë shkak dhe pini shumë lëngje para se të hyni në vaskë – mundësisht ujë, lëng ose çaj të pa ëmbëlsuar.

Larja në PISHINA

Pishinat në shumicën e llixhave ose hoteleve janë të mirëmbajtura, uji është në rrjedhje të vazhdueshme. Nëse i përdorni, përpiquni të jeni kur ka më pak njerëz në pishinë në të njëjtën kohë, dhe shmangni pishinat shumë të nxehta.

Larja në LUMENJ DHE LIQENE

Edhe nëse e dini që lumenjtë në vendin tonë janë të pastër, mos harroni se edhe në ditët më të nxehta të verës ata janë mjaft të ftohtë, të shpejtë, me rrezik nga vorbullat, prandaj – kujdes shtesë! Liqenet dhe guralecët janë zakonisht zgjedhjet më të papërshtatshme për not. Uji është i një cilësie të dyshimtë, shpesh i ndotur.

Larja në DET

Të notosh në det është opcioni më i pranueshëm nga të gjitha mundësitë, nuk është pengesë dhe nuk mund të shkaktojë probleme gjatë shtatzënisë. Përkundrazi, deti ka një efekt të dobishëm për trupin dhe larja i lejon një gruaje shtatzënë ushtrime adekuate. Sidoqoftë, duhet t’i kushtohet vëmendje temperaturës së detit.

Nuk rekomandohet hyrja e menjëhershme në detin e ftohtë pas rrezitjes në diell ose menjëherë pas vaktit të ushqimit.

Hedhja në ujë

JO, as në kokë, as në këmbë, dhe as në pishina, lumenj, liqene e as ne det. Në çdo rast, notimi në det është shumë më i pranueshëm sesa noti në pishina dhe llixha.

Përdorimi i SAUNAVE

Për shkak të ndryshimeve të mëdha të temperaturës, këshillohet të shmangni banjot turke, saunat e lagshta dhe të thata. Për arsye higjienike rekomandohet të shmangni xhakuzin.

MOS HARRONI!

Disa rregulla vlejnë gjithmonë por, nëse jeni shtatëzënë duhet t’i keni parasysh me patjetër.

-Meqenëse infeksionet e mykut dhe infeksionet e tjera janë më të zakonshme në shtatzëni, është e detyrueshme të ndërrohet kostumi i lagur me kostumin e thatë, si dhe të përdorni supozitorë vaginalë me probiotikë për parandalimin e infeksioneve.

-Mos harroni marrjen adekuate të lëngjeve, tre deri në katër litra në ditë me shumë fruta dhe perime çdo dy deri në katër orë.

-Drejtimi i varkave me motor dhe jahteve nuk rekomandohet në gjysmën e dytë të shtatzënisë. As sërfi në ujë, kurse kërcimi në kokë, për shkak të rregullimit të shtypjes së gjakut të gruas shtatzënë, mund të çojë në humbje të vetëdijes (të fiktit).

Noti duhet të jetë i ekuilibruar dhe i përshtatshëm për gjendjen fizike të nënës së ardhshme. Madje mund të ju shërbejë si përgatitje fizike për procesin e lindjes.

Nëse shtatzënia është normale, frika dhe paragjykimi janë të vetmet arsye pse disa që besojnë se notimi në det është i rrezikshëm për gratë shtatzëna.

Shijoni detin dhe përfitimet e tij si dhe shtatzënësinë tuaj!/natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts