Pyetje:
Përshëndetje!
Kam vajzën 2 vjeç e 10 muaj por flet vetëm 4-5 fjalë, si: mami, babi, hajde… dmth disa fjalë të thjeshta dhe nuk lidh asnjë fjali, çfarë më rekomandoni të bej?
Përgjigje:
Përshëndetje, një fëmijë i kësaj moshe duhet të thotë të paktën rreth 200 fjalë dhe të thotë fjali me dy- tri fjalë (psh. Ama topin).
Nëse fëmijët nuk i përmbushin këto pika ai mund të ketë një vonesë në të folur apo një vonesë gjuhësore. Një fëmijë 3-vjeçar që mund të kuptojë dhe të komunikojë joverbalisht por nuk mund të thotë shumë fjalë mund të ketë një vonesë në të folur. Ai që mund të thotë disa fjalë por nuk mund t’i vendosë ato në fraza të kuptueshme mund të ketë një vonesë gjuhësore.
Pra është e rëndësishme të dihet se a kupton fëmija dhe të dihen aspektet tjera të zhvillimit të fëmijës (kognitiv, social, interesat, veprimet, etj). Në këtë stad që fëmija juaj është shumë e rëndësishme të bëni një vlerësim nga logopedi që të merrni udhëzimet e duhura pasi që tre vitet e para të fëmijës janë tepër të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të tij.
Ajo çfarë ndodhë gjatë kësaj periudhe do ta ndjekë fëmijën edhe më vonë në jetë, kjo është dhe arsyeja përse është e rëndësishme që të vërehen sa më herët shenjat e zhvillimit të vonuar dhe menjëherë të fillohet me trajtim për arritjen e rezultateve më të mira. Për moshën kronologjike që ka fëmija nuk ka zhvilluar të folurën aq sa duhet. Logopede, Egzona Maloku/natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”