Pyetje:
Përshëndetje:
Kam vajzën 6 vjeç dhe djalin 5. Kam një shqetësim çdo ditë rrin tu u grind me njëri-tjetrin. Spo di çfarë te bëj si tipa janë agresiv çka ti blejmë njërit duhet patjeter të ketë edhe tjetri. Më duket që ne nuk jemi prindër të mirë dhe nuk kemi arritur t’i disiplinojmë si duhet. Nuk kuptojnë kur unë i flas apo i bërtas, atëherë detyrohem t’ja jap edhe ndonjë shpullë. Nuk e di nëse veproj mirë, por e shikoj të domosdoshme në disa raste” “A duhet të jemi më të ashpër kur ata sillen keq?”
Përgjigje:
Përshëndetje
Përballimi me konflikte mes vëllezërve dhe motrave është një shqetësim i zakonshëm në familje. Ekzistojnë tre shkaqe kryesore të agresivitetit tek fëmijët. Këto janë frustrimi, kërkesa për vëmendje dhe ruajtja e territorit.
- Bisedoni me fëmijët tuaj për ndjenjat dhe sjelljen e tyre. I dëgjoni ata dhe ndihmoni ata të shprehin arsyet e sjelljeve të tilla.
- Ndihmojini fëmijët të shprehin zemërimin në një mënyrë jo agresive.
- Tregoni se çfarë duhet të ndodhë në raste konflikti dhe cila është mënyra e duhur për të zgjidhur ato.
- Shpjegoni cilat janë pasojat e sjelljes se tyre. ( p.sh në rast qe e lendon vëllau-motrën ai do të qajë dhe kjo gjë nuk do të bëjë të ndihet mirë atë e as mua).
- Nxitni fëmijët të mësojnë se si të ndajnë gjërat me njëri-tjetrin. Kjo mund të përfshijë përdorimin e një orari për lojë ose për të përcaktuar se kush do të luajë me cilën lojë në një kohë të caktuar. •Vendosni rregulla të qarta për sjelljen e pranuar dhe të papranuar mes fëmijëve.
- Nxitni momente të përbashkëta dhe lojëra të cilat nxisin bashkëpunimin mes fëmijëve. P.sh, lojëra ku ata duhet të punojnë së bashku për të arritur një qëllim të përbashkët.
- Gjithashtu, jeni të kujdesshëm që të mos favorizoni njërin nga ta, pasi kjo mund të përkeqësojë konfliktet.
- E as mos bëni krahasime më fëmijët e tjerë sepse kjo do e ulë vetëbesimin e fëmijës. Si prind duhet t’u ofrojmë fëmijëve atë model, që do të dëshironim që ata të ishin në të ardhmen e tyre. Nëse duam t’u mësojmë të mos jenë të dhunshëm, me sjelljen tonë kundrejt tyre ne mund t’i mësojmë se si duhet të sillen pa përdorur dhunë.
Sjellja agresive lë më shumë pasoja dhe nuk ofron një zgjidhje afatgjatë. Askush nuk mund të thotë me bindje të plotë se është një prind i përkryer, pasi të gjithëve i ndodh që të bëjnë gabime. E rëndësishme është që t’i duam fëmijët dhe të punojmë për të qenë prindër sa më të mirë.
Pukjana Geci Psikologe dhe terapiste./natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”