Pyetje:
Përshëndetje!
Kam djalin 2 vjeç e 2 muaj por nuk e thotë asnjë fjalë. Për gjërat që do e merr dorën time dhe më dërgon aty ose tregon me gjeste për atë që do. Çka me rekomandoni?
Përgjigje:
Përshëndetje, në moshën 2 vjeçare fëmijët veq se duhet t’i kenë disa fjalë në fjalorin e tyre dhe të fillojnë të lidhin fjalët. Është e rëndësishme të dihet për aspektin kognitiv të fëmijës, a kupton dhe a i merr komandat, poashtu duhet të vlerësohet dhe niveli i dëgjimit të fëmijës pasi që nuk kam të dhëna të mjaftushme rreth fëmijës.
Në qoftë se fëmija juaj kupton, njeh gjërat atëherë mund të kemi të bëjmë me një vonesë të të folurit, ndërsa nëse nuk kupton atëherë bëhet fjalë për vonesë gjuhësore, duhet të vlerësohen dhe aspektet e tjera të zhvillimit që të arrijmë në një konkluzion. Është e rëndësishme që të fillohet stimulimi i të folurit sa më shumë, disa këshilla që mund t’i ndjekni në shtëpi janë këto: në kërkesa të stimuloni fëmijën të verbalizoj, të përshkruani verbalisht qdo veprim që bëni së bashku, të imitoni zërat e kafshëve duke filluar nga ato më të lehtat, t’i lexoni përralla, të këndoni, të largohet sa më shumë nga teknologjia dhe të luaj me lodra, poashtu preferohet vijimi i kopshtit.
Është e preferueshme të bëni një konsult tek logopedi që të vlerësoj fëmijën që të merrni udhëzimet e duhura dhe në qoftë se identifikohet ndonjë problem preferohet ndërhyrja e hershme logopedike për efekt më të lartë.
Egzona Maloku, Logopede/natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”