Trajtimi i fizioterapeutik i kifozës te fëmijët

Shkruan: Jeta Kastrati – Fizioteraeute

Kifoza te fëmijët është një formë e deformimit të shtyllës kurrizore, ku pjesa e sipërme e shpinës (ndërmjet kraharorit dhe qafës) ka një kthesë të tepruar, duke krijuar një shpinë të rrumbullakosur ose të mbivendosur.

Kjo mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm si zhvillimi jo i duhur i shtyllës kurrizore, sëmundje të caktuara, apo ndonjë traumë.

Në disa raste, kifoza mund të jetë edhe kongjenitale (që ndodh që në lindje). Trajtimi përfshinë terapi fizikale, mbështetje ortopedike, dhe në raste më të rënda, mund të jetë e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.

Shenjat dhe Simptomat e Kifozës:

Dhimbje dhe ngurtësi në shpinë, veçanërisht në pjesën e sipërme të shpinës.

Kërrusje e shpinës dhe vështirësi në qëndrimin drejt.

Lodhje e shpejtë dhe shqetësime muskulore.

Reduktim i fleksibilitetit dhe mobilitetit.

Në raste të rënda, mund të ndikojë edhe në funksionet e frymëmarrjes dhe të shëndetit kardiak.

Trajtimi Fizioterapeutik për Kifozën:

Fizioterapia është një nga metodat më efektive për trajtimin e kifozës, pasi synon përmirësimin e qëndrimit, forcimin e muskujve mbështetës dhe zbutjen e dhimbjeve.

Trajtimi përfshin disa komponente kyçe:

Ushtrime për forcim të muskujve të shpinës dhe abdomenit: Forcimi i muskujve që mbështesin shtyllën kurrizore, si muskujt e shpinës dhe të barkut, mund të ndihmojë në stabilizimin e shpinës dhe reduktimin e dhimbjeve.

Zgjatja e muskujve:

Ushtrimet e zgjatjes mund të ndihmojnë në relaksimin e muskujve të ngurtësuar dhe të reduktojnë tensionin në shpinë.

Zgjatja e muskujve të gjoksit dhe të shpatullave është veçanërisht e rëndësishme për trajtimin e kifozës.

Trajtimi me posturë: Mësimi për një qëndrim të drejtë është thelbësor.

Fizioterapeuti gjatë seancave të fizioterapisë përdor teknika dhe udhëzime për të ndihmuar pacientët të zhvillojnë një qëndrim më të mirë gjatë ditës.

Përdorimi i teknikave manuale:

Terapitë manuale si masazhi terapeutik dhe manipulimi i lehtë i shtyllës kurrizore mund të ndihmojnë në relaksimin e muskujve të tensionuar dhe përmirësimin e fleksibilitetit të shtyllës.

Ushtrime specifike dhe aktivitet i kontrolluar:

Fizioterapia gjithashtu mund të përfshijë udhëzime për aktivitete të përditshme si ecja, noti ose aktivitete të tjera që mund të përmirësojnë fleksibilitetin dhe forcën.

Trajtimi fizioterapeutik është një qasje efikase për menaxhimin dhe përmirësimin e simptomave të kifozës. Një program i personalizuar ushtrimor dhe trajtim manual mund të ndihmojë në përmirësimin e qëndrimit, zvogëlimin e dhimbjeve dhe rritjen e fleksibilitetit, duke kontribuar në një cilësi më të mirë të jetës për individët që vuajnë nga ky çrregullim. Kujdesi dhe trajtimi i hershëm janë të rëndësishme për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të deformimit./natalmedia.com/

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts