Sezoni i preferuar i shumë njerëzve ka filluar. Ditët zgjasin më shumë, temperatura rritet dhe numri i orëve me diell është më i gjatë se në çdo periudhë tjetër të vitit. Ne ekspozohemi ndaj rrezet e forta të diellit, nuk aplikojmë një faktor mbrojtës dhe nuk pimë mjaftueshëm lëngje, gjë që mund të çojë në pasoja të rënda.
Dielli është në të njëjtën kohë shumë i dobishëm, por edhe i dëmshëm për trupin tonë
Shtresa e ozonit është dëmtuar ndjeshëm në 30 vitet e fundit, gjë që ka rritur sasinë e rrezatimit diellor që arrin në sipërfaqen e tokës. Pasoja e një rrezatimi të tillë UV është rritja e numrit të njerëzve që vuajnë nga katarakti, si dhe nga tumoret e lëkurës melanoma dhe jo melanoma. Përveç kësaj, rrezet UV çojnë në përshpejtimin e procesit të plakjes së lëkurës dhe në formimin e parakohshëm të rrudhave. Sot, efektet e dëmshme të rrezatimit diellor në lëkurë janë vërtetuar në mënyrë të pakontestueshme. Rrezatimi UV i shtuar gjatë muajve të verës është fajtori kryesor për pasojat që ndodhin në lëkurë nga ekspozimi i tepërt në diell.
Megjithatë, në sasi të moderuara, ne dhe lëkura jonë kemi nevojë për diellin, domethënë “vitamina e diellit” – vitamina D. Trupi prodhon vitaminë D kur lëkura ekspozohet drejtpërdrejt në diell dhe shumica e njerëzve plotësojnë nevojat e tyre për vitaminë D në këtë mënyrë.
Para se të përmendim mënyrën e mbrojtjes së duhur të lëkurës, është e nevojshme të shpjegojmë se çfarë është lëkura dhe cila është struktura dhe roli i saj.
Lëkura përfaqëson mbulesën e trupit e cila është në kontakt të drejtpërdrejtë me mjedisin e jashtëm. Sipërfaqja e lëkurës së një njeriut të rritur me lartësi mesatare është 1.7 m2, dhe masa është rreth 18% e masës totale të trupit. Lëkura është në kontakt me mjedisin dhe përfaqëson vijën e parë të mbrojtjes kundër faktorëve të jashtëm. Rolet bazë të lëkurës janë:
mbrojtës – mbron trupin nga dëmtimet mekanike, organizmat patogjenë, nga rrezet UV të diellit;
ruajtja e përbërjes konstante të mjedisit të brendshëm të trupit duke parandaluar humbjen e ujit dhe kripës;
merr pjesë në shkëmbimin e lëndëve – shkëmbimin e gazit;
prodhimi i folatit dhe vitaminës D;
merr pjesë në proceset e sekretimit të kryera nga gjëndrat e lëkurës;
marrja e stimujve të jashtëm me anë të organeve të shumta shqisore të vendosura në të.
Lëkura mbulon të gjithë trupin dhe është një nga sistemet më të mëdha të organeve të trupit të njeriut. Trashësia e lëkurës është e ndryshueshme dhe varion nga 0,5 deri në 4 milimetra. Është më e hollë në qepallat dhe më e trashë në pëllëmbë dhe thembra. Lëkura ka tre shtresa: epidermë, dermë dhe hipodermë. Lëkura rreth hapjeve të trupit shndërrohet në një membranë mukoze. Përveç hapjeve të trupit, mukoza mbron organet e frymëmarrjes dhe të tretjes. Ka ngjyrë rozë të kuqërremtë, sepse furnizohet më mirë me gjak sesa lëkurë.
Si ta mbroni lëkurën tuaj nga dielli?
Ekspozimi i moderuar në diell është i mirë për shëndetin tonë, por ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve të diellit mund të shkaktojë dëmtime afatshkurtra dhe afatgjata të lëkurës. Lëkura e të gjithëve nuk reagon në të njëjtën mënyrë ndaj diellit. Mosha si dhe lloji dhe gjendja e lëkurës mund të na bëjnë më të ndjeshëm kur ekspozohemi në diell. Nxehtësia dhe rrezatimi UV janë dy faktorë që nxisin ndjeshmërinë e lëkurës.
Kur lëkura ekspozohet në diell, kapilarët e vegjël që shkaktojnë skuqje zgjerohen dhe bëhen më të dukshme, veçanërisht te njerëzit me lëkurë të hapur dhe të hollë që është më e prirur ndaj skuqjes. Njerëzit me këtë lloj lëkure duhet të mbrojnë lëkurën e tyre me kremra që janë krijuar për të parandaluar përkeqësimin e skuqjes. Përveç djegieve, të cilat sigurisht janë të dhimbshme dhe në vetvete të rrezikshme për lëkurën, për shkak të ekspozimit të tepruar në diell, njollave, skuqjes, alergjive, tharjes, dhe pasojat e gjithë kësaj mund të jenë ndryshime malinje si dhe kanceri i lëkurës.
Lëkura në disa pjesë të trupit është më e ndjeshme ndaj dëmtimit të diellit sesa lëkura në pjesë të tjera. Lëkura e fytyrës dhe lëkura e trupit kanë nevoja të ndryshme kur bëhet fjalë për mbrojtjen nga dielli. Lëkura e fytyrës është më e hollë dhe, duke qenë se kryesisht nuk është e mbuluar, ekspozohet çdo ditë në diell. Ajo ka nevojë për mbrojtje të përditshme nga dielli. Lëkura e trupit është më e trashë dhe përgjithësisht më pak e ekspozuar ndaj ndikimeve mjedisore. Sigurisht që ka disa përjashtime si duart, krahët dhe dekolteja dhe këto zona kërkojnë kujdes të veçantë.
Fytyra, qafa dhe dekolteja janë më të ekspozuara ndaj diellit se pothuajse çdo pjesë tjetër e trupit. Për ta është e nevojshme mbrojtja e përditshme nga dielli, e cila është e formuluar posaçërisht për lëkurën e fytyrës dhe që përputhet me llojin e lëkurës. Fytyrat tona janë një nga pjesët e para të trupit që shfaqin shenja të dukshme të dëmtimit të lëkurës të shkaktuar nga dielli si djegiet, plakja e parakohshme e lëkurës dhe hiperpigmentimi.
Për të mbrojtur lëkurën nga efektet e dëmshme të rrezeve UV, rekomandohet të vishni rroba që mbulojnë pjesën më të madhe të lëkurës, por që ju lejojnë të ndiheni rehat, në ditët e ngrohta të verës.
Kujdesuni për ngjyrat, sepse ngjyrat e errëta thithin më shumë dritë, ndaj lëreni të zezën në dollap dhe vishni ngjyrat pastel. Mëngë të gjata rekomandohen për njerëzit me lëkurë shumë të hapur dhe ata me probleme alergjike. Nëse tashmë duhet të vishni mëngë të gjata gjatë periudhës së nxehtësisë, kujdesuni të jenë të bardha dhe të bëra nga një material sa më i lehtë.
Koha e ekspozimit në diell
Ekspertët shpesh tërheqin vëmendjen për faktin se ekspozimi ndaj rrezeve të diellit gjatë verës është më i rrezikshmi në periudhën nga ora 10 e mëngjesit deri në 16:00, kur ato janë më të forta. Shmangni, nëse mundeni, qëndrimin në diell gjatë asaj periudhe të ditës. Personat që shmangin rrezet e diellit nga ora 10:00 deri në 16:00 janë të mbrojtur nga dëmtimi i lëkurës.
Kremrat me faktor mbrojtës
Pavarësisht nëse jeni duke e ekspozuar veten në diell me qëllim për t’u nxirë apo jo, ju duhet të mbroni lëkurën tuaj në çdo kohë. Ky rregull vlen edhe nëse jeni në hije, pasi rrezatimi UV është i dëmshëm, edhe kur nuk jeni të ekspozuar drejtpërdrejt në diell. Kushtojini vëmendje të veçantë fytyrës, sepse është më e ekspozuara ndaj rrezatimit të dëmshëm.
Vini re, rrezet UV depërtoin përmes ombrellës, kështu që është më mirë të kërkoni hije natyrale dhe mbrojtje nga dielli në formën e një peme.
Hidratimi
Me rritjen e temperaturës, ne fillojmë të djersitemi më shumë, dhe për këtë arsye humbasim lëngjet nga trupi, është e rëndësishme të qëndroni të hidratuar. Merrni një sasi të mjaftueshme uji për të kompensuar atë që keni humbur përmes djersitjes.
Ne kemi nevojë për diellin, si dhe për vitaminën D që ai ofron. Duke ndjekur këshillat, mund të ekspozoni veten dhe të shijoni rrezet e diellit, dhe në të njëjtën kohë të ruani shëndetin e lëkurës. Mbroni veten dhe lëkurën tuaj, mbroni shëndetin tuaj dhe shmangni një problem të mundshëm. /natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”