Jam shatëzënë dhe e kam shumë për qejf me pi Coca Cola dhe pije tjera me gaz, a e dëmtoj beben?

Shkruan: Dr Samire Ademi Lutolli

Specialiste-Gjinekologe dhe Obstetre,
Specialiste në subspecializim për infertilitet

 

Duke ditur dhe përmendur shpesh nga mjekët se përdorimi I Coca Colës jashtë shtatëzanisë shkakton një sërë efektesh dhe dëmesh serioze për shëndetin si për nënën ashtu edhe për frytin, përdorimi i Coca Colës gjatë shtatëzanisë dhe gjidhënies urdhërohet rreptësisht të evitohet e sidomos edhe nga fëmijët të cilët janë në  procesin e rritjes dhe të zhvillimit.

Konsumimi i përditshëm i lëngjeve të gazuara me acidet që përmbajnë lëngjet e gazuara prishin ekuilibrin acido-bazë të trupit dhe dihet se ëmbëlsuesit artificialë si aspartami, acesulfama K dhe sukraloza janë shumë toksikë.

Ëmbëlsuesit artificialë shkaktojnë lodhje kronike, dhimbje koke, migrenë, dobësi, agjitacion, nauze, skuqje të lëkurës, nervozizëm, depresion, konfuzion mendor, shqetësime të shikimit, dëmtim të mëlçisë dhe veshkave. Gjithashtu, kafeina, sasia e së cilës në 3 decilitra është e barabartë me një filxhan kafe, shkakton probleme me gjumin dhe përqendrimin.

Konsumimi i përditshëm i lëngjeve të gazuara mund të çojë në sasi të pamjaftueshme të kaliumit, vitaminës A, kalciumit dhe magnezit.

Ndryshimet e vogla në përqendrimin e kaliumit mund të shkaktojnë shqetësime serioze në punën e sistemit kardiovaskular dhe neuromuskular.

Kalciumi dhe Magnezi si dy elementë të rëndësishëm ndihmojnë në ruajtjen e efikasitetit të sistemit imunitar.

Vlera e pH e pijeve joalkoolike, p.sh. Cola & Pepsi është 3.4. Ky aciditet është mjaft i fortë për të shkrirë dhëmbët dhe kockat!

Për fëmijët në zhvillim, prishja e ekuilibrit acido-bazik është jashtëzakonisht e rrezikshme sepse për shkak të dëmtimit të strukturave kockore, mund të shkaktojë deformitet si rezultat i marrjes së lëngjeve të gazuara sepse gjatë periudhës së zhvillimit kur dhe kockat formohen për jetë.

 

 

Këtu nënkuptohet efekti edhe te fryti në barkun e nënës apo fëmijët që ushqehen me gji nga një nënë që konsumon pije të gazuara apo te fëmijët në rritje.

Konsumimi i lëngjeve të gazuara, të pasura me fosfate, mund të rrezikojë këtë proces dhe të çojë në dëmtime të pakthyeshme. Përveç kësaj, rritja e aciditetit mund të çojë në urth, lodhje, ulje të imunitetit, dhimbje kockash dhe kandidiazë (infeksion i shkaktuar nga kërpudhat, më shpesh Candida albicans).

Lëngjet e gazuara ndikojnë kryesisht në obezitetin. Është vërtetuar se nëse pini tre decilitra pije të gazuara në ditë, pesha e trupit tuaj mund të rritet deri në një kilogram në muaj. Duke qenë se janë plot me aditivë dhe sheqer, është logjike që edhe lëngjet e gazuara të ndikojnë në zhvillimin e diabetit. Ato zvogëlojnë aftësinë e trupit për të metabolizuar sheqerin, gjë që çon në diabet, mbipeshë, presion të lartë të gjakut, rritje të nivelit të sheqerit në gjak dhe triglicerideve.

Një studim i kryer me 1550 njerëz doli në përfundimin se ata që pinë lëngje të tilla kanë 41 për qind më shumë rrezik për obezitet dhe kjo rritet për çdo shishe që pinë në ditë. Shija e ëmbël duket se i sinjalizon trupit që të ruajë yndyrën dhe karbohidratet, gjë që e bën një person më të uritur. Shija e ëmbël gjithashtu stimulon sekretimin e insulinës, e cila bllokon aftësinë e trupit për të djegur dhjamin.

Hulumtimi i ri në Universitetin e Luizianës ka lidhur konsumin e rregullt të Coca Cola (me sheqer) dhe diabetin gestacional.

Diabeti gestacional është një nga ndërlikimet më të shpeshta në shtatzëni, i cili pas shtatzënisë mund të çojë në diabetin e përhershëm të tipit 2, dhe gjithashtu paraqet një rrezik të shtuar për fetusin. Gjegjësisht, është vërejtur se fëmijët e nënave me diabet gestacional vuajnë nga intoleranca ndaj glukozës, obeziteti dhe diabeti në moshë më të re si dhe marrja e vitaminave.

Hulumtimi, i cili përfshiu pothuajse 13,500 gra, në një periudhë 10-vjeçare të ndjekjes, tregoi se gratë që konsumonin më shumë se 5 gota Coca Cola në javë, kishin 22% më shumë gjasa të zhvillonin diabetin gestacional sesa gratë që konsumonin Cola vetëm një herë në muaj.

Mekanizmi me të cilin shkencëtarët shpjegojnë rezultatet e marra është në thelb një indeks glicemik shumë i lartë – sasitë e tepërta të sheqernave “të shpejta”, të thjeshta shkaktojnë shfaqjen e rezistencës ndaj insulinës dhe funksionet e shqetësuara të qelizave beta të pankreasit (ato sekretojnë insulinë për shkak të vlerave të larta të sheqerit të lartë në gjak.).

 

 

Gjithashtu pirja e pijeve të gazuara me ngjyrues gjatë shtatzënisë mund të rrisë rrezikun e lindjes së parakohshme, tregon një studim i ri. Dy studime, një danez dhe një italian, konfirmuan efektin e dëmshëm të substancës ngjyruese ushqimore “aspartame”. Një studim danez, i kryer me 59.334 gra shtatzëna, tregoi se përdorimi i tepërt i pijeve të ëmbla të gazuara, të cilat janë me ngjyrues artificial, rrit rrezikun e lindjes së parakohshme të foshnjës me 29 për qind krahasuar me mesataren. Konsumimi i një pije të gazuar në ditë mund të rrisë rrezikun e lindjes së parakohshme me 27%, dhe dy deri në tre me 35%.

Përveç përmbajtjes së lartë të sheqerit, këto pije përmbajnë edhe kafeinë, e cila gjithashtu shoqërohet me një rrezik të shtuar të osteoporozës. Një kanaçe me pije të gazuar me kafeinë është e njëjtë me një filxhan kafe të zezë. Për këtë arsye fëmijët që i pinë kanë probleme me gjumin, por edhe me përqendrimin kur studiojnë, përveç faktit që mund të shkaktojë varësi.

Në vitin 2007, u zbulua se benzoati i natriumit që gjendet në pijet e gazuara shkakton hiperaktivitet dhe ulje të inteligjencës tek fëmijët. Sipas këtyre studimeve, IQ bie deri në 5.5 për qind.

Niveli i lartë i sheqerit në lëngjet e gazuara mund të rrisë nivelin e insulinës në gjak, e cila besohet se promovon zhvillimin e qelizave kancerogjene në pankreas”, tha Prof. Mark Pereira nga Universiteti i Minesotës, i cili udhëhoqi ekipin e studiuesve, raporton Reuters.

Përveç tjerash Qendra Amerikane për Shkencë në Interes Publik njoftoi se Coca-Cola dhe Pepsi, ndër të tjera, përdorin ngjyrë artificiale që përmban dy kimikate që shkaktojnë kancer dhe duhet të ndalohet, raportojnë agjencitë botërore.

Kanceri i pankreasit është një nga format e tij më vdekjeprurëse. Në botë, mbi 230,000 njerëz vdesin nga ajo çdo vit.

Është fakt se lëngjet e gazuara dëmtojnë mëlçinë dhe konsumimi i tyre afatgjatë mund të çojë edhe në cirrozë. Për këtë dëmtim është përgjegjës fruktoza e sheqerit të frutave nga lëngjet e gazuara, e cila më së shumti absorbohet në mëlçi. Konsumimi i lëngjeve të gazuara është shoqëruar me një numër në rritje të rasteve të kancerit të ezofagut gjatë 50 viteve të fundit.

Meqë e dini se çfarë shkaktojnë pijet e gazuara, me siguri do të mendoni dy herë për të konsumuar derisa mbani fëmijën tuaj në bark dhe ndërkohë që jeni duke i dhënë gjithçka më të mirën për formimin dhe zhvillimin e tij për të pasur një jetë të shëndetshme apo nëse e pini derisa jeni duke i dhënë gji apo për t’ia dhënë fëmijës tuaj kur ai dëshiron. Në vend të kësaj, është më mirë të jepni lëngje frutash të freskëta, ujë ose qumësht./natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts