Kanceri i gjirit – diagnostikimi i hershëm shpëton jetën

Nga: Dr Samire Ademi Lutoll

Specialiste-Gjinekologe dhe Obstetre

Specialiste në subspecializim për infertilitet

Kanceri i gjirit është quajtur edhe vrasës i heshtur,vrasës i pamëshirshëm pasi merr për çdo vitë me miliona jetë në mbarë Botën.
Kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë prej sëmundjeve kanceroze te gratë. Njëkohësisht është shkaktari më i shpeshtë i vdekjes te gratë e moshës 45-55 vjeç.

 

Një në tetë gra preket nga kanceri i gjirit dhe numri i grave të prekura nga kjo sëmundje është një rritje. Në Shqipëri për vitin 2017 ka patur 550 raste të reja. Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon që numri i të sëmurëve nga kanceri do të rritet nga 14 milionë në vitin 2012 në 24 milionë në vitin 2035, ndërsa numri i të vdekurve do të rritet me 8,2 milion në 13 milionë. Shifra që mjaftë alarmante. Kanceri i gjirit mund të shoqërohet edhe me shenja të hershme por jo shumë femra janë të afta t’i kuptojnë këto sinjale, duke bërë që sëmundja të avancojë pa u ndaluar. Kjo është e dhimbshme kur dihet e vërteta se diagnostikimi në stadin e parë në shumicën e rasteve ka shërim të plotë.

 

 Cilat gra janë të rrezikuara për kancerin e gjirit ? 

 

Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës, sidomos moshat mbi 50 vjeç. Kuptohet kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja. Studimet kanë treguar se rreziku për kancerin e gjirit është rezultat i një kombinimi faktorësh.

Faktorët e rrezikut përfshijnë:

  • Mosha-rreziku rritet me rritjen e moshës; por nga kanceri i gjirit preken dhe moshat e reja .
  • Historitë familjare me kancer gjiri – rreziku i një gruaje për kancer gjiri është më i lartë nëse ka patur nënën, motrën, vajzën (të afërm të shkallës së parë) me kancer gjiri.
  • Ndryshimet apo një defekti gjenetik në disa gjene, deri 10% e kancereve të gjirit janë si rezultat i ketij ndryshimi.
  • Shtatzënitë në moshë të madhe ose moslindjen e fëmijëve.
  • Fillimin e hershëm të menstruacioneve para moshës 12 vjeç apo menopauze e vonshme, pas moshës 55 vjeç janë të ekspozuara ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur rrezikun për kancer gjiri.
  • Përdorimi i mjekimit me hormone (estrogjen + progesteron) për një kohë të gjatë, më shumë se 5 vjet.
  • Densiteti i shtuar i indeve të gjirit
  • Mungesën e theksuar aktivitetit fizik dukuri shumë e shprehur e viteve të fundit
  • Të qenit mbipeshë apo obeze pas menopauzës dukuri mjaft e shprehur viteve te fundit
  • Alkooli dhe pirja e duhanit

 

Dieta dhe ushqimet e pasura me yndyrna shtazore

Nëse një grua ka disa nga faktorët e rrezikut për kancer gjiri, ajo duhet të flasë dhe te jetë në kontakt të ngushtë me mjekun e saj lidhur me mënyrat që mund të ulin rrezikun, si dhe kontrollet që duhen bërë.

 

Cilat janë shenjat e kancerit në gji?  

 

Jo të gjitha shenjat paraqiten ngjashëm tek të gjithë njerëzit. Njerëz të ndryshëm kanë shenja të ndryshme të kancerit të gjirit. Por, disa të tjerë nuk kanë shenja fare dhe mund ta konstatojnë kancerin e gjirit vetëm pas një mamografie rutinë. Megjithatë shenjat orjentuese janë si më poshtë:
• Një masë, gjëndër apo një kokërr në gji ose nën sqetull. Kuptohet kjo duhet konstatuar pastaj a është kancer i gjirit apo mund të jetë edhe një proces inflamator, jo çdo gjëndër në gji është kancer.
• Çdo ndryshim në madhësinë apo formën e gjirit. Deformimi, trashje ose ënjtje e një pjese të gjirit.
• Ndryshime të dukshme lëkurës së gjirit, skuqje, plagë, çarje apo dëmtime të tjera të lëkurës së gjirit apo përreth thithit të gjirit, gropëzim i thithit të gjirit
• Rrjedhje nga gjiri përveç qumështit të gjirit, duke përfshirë edhe gjakun.
• Dhimbje në gji e cila vjen duke shtuar intensitetin
• Disa herë kanceri i gjirit mund të përhapet edhe në gjëndrat limfatike nën krah dhe të shkaktojë fryrje apo ënjtje të tij.

 

Prandaj, gjëndrat limfatike të ënjtura duhen konsideruar një shenjë e mundshme e kancerit të gjirit dhe duhet egzaminuar deri ne diagniostikimin e tyre Ndonjëra nga këto shenja nuk do të thotë se një femer ka kancer gjiri por do të thotë se duhet patjetër të shkoj për egzaminim të afërt të mjekut.

 

Vendosja e diagnozës  

 

Ështe e rëndësishme të theksojmë se kanceri i gjirit mund të mos japë asnjë simptomë të veçantë gjatë zhvillimit në fillim, fazën e parë. Për këtë arsye është shumë e rëndesishme kontrollat rutinë dhe të planifikuara në mënyrë që kanceri i gjirit të kapet në fazen e parë. Në shtetet e zhvilluara kjo çështje është e rregulluar me ligj dhe çdo grua obligohet të realizoj kontrollën dhe mamografinë në kohë të caktuar. Është e rëndësishme të dimë se asnjë test depistues për kancerin nuk është 100% i saktë./natalmedia/

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts