Fëmija nuk po e zhvillon gjuhën siç duhet – Çfarë mund të bëjë

Pyetje:

Përshëndetje!

Djali i ka 2 vjet e 5 muaj, por ende nuk ka filluar të flasë siç duhet. Herë pas here thotë “mama” ose “baba,” por shumë rrallë. Ndonjëherë nuk kthen kokën kur e thërras, por nëse i them “(Emri i fëmijës), shiko çfarë kam,” ai kthen kokën menjëherë. Gjithashtu, kur është në kopsht dhe e thërras, ai vrapon drejt meje menjëherë. Ai i kupton komandat si “ulu,” ” çu,” “hajde,” “ama dorën,” dhe luan mirë me lodra, por nuk po flet. Më duket ndonjëherë sikur është i hutuar ose shumë dembel, pasi nuk dëshiron të lodhë veten.

E kemi bërë EEG tek neuropediatri dhe rezultatet ishin normale. Po ashtu, ia kemi shpjeguar situatën edhe mjekut të tij këtu në Gjermani, dhe ai sugjeroi t’i japim kohë. Dua të theksoj se djali është shumë i qetë dhe i dashur me njerëzit.

Po mundohem ta stimuloj të flasë duke mos ia dhënë atë që kërkon derisa të thotë një fjalë, por ndonjëherë më duket sikur po i bëj presion sepse po ia fillon të qajë ose të bëhet nervoz.

Nuk jam e sigurt si të veproj më mirë në këtë situatë. Gjithashtu, dua të shtoj se do të vij për një vizitë pas dy javësh, por desha të të pyes paraprakisht për ndonjë këshillë.Fëmija qendron në telefon diku rreth 3 orë në ditë.

Përgjigje:

Fëmijët zhvillohen me ritme të ndryshme dhe ka raste kur vonesa në të folur është pjesë e zhvillimit individual të fëmijës.

Në bazë të përshkrimit tuaj, duket se djali juaj ka disa aftësi komunikuese dhe kupton mirë komandat, gjë që është një shenjë pozitive. Megjithatë, përqendrimi në zhvillimin gjuhësor është i rëndësishëm për të siguruar që ai po arrin etapën e duhur për moshën e tij.

Stimulimi duhet të jetë në formë loje, por asnjëherë të mos i bëhet presion fëmijës.

Jepni kohën e duhur, duke modeluar ju vetë mënyrën e të folurit për fëmijën.

Për shembull: “Kush është kjo? Është molla.”

Pastaj, i bëni përsëri pyetjen fëmijës dhe i jepni kohë të nevojshme për të reaguar apo për të përsëritur. Nëse kjo bëhet në mënyrë të rregullt, fëmija do të ketë më shumë mundësi të përpiqet të thotë një tingull apo një fjalë. Për mua është shumë e rëndësishme të bëhet një vlerësim i detajuar për djalin, për të parë se ku qëndron në aspektin e të kuptuarit, aspektin e njohjes, aspektin social dhe atë gjuhësor.

Gjithashtu, është e rëndësishme të shoh nga afër mënyrën se si punohet me fëmijën dhe më pas t’ju këshilloj për atë që është e nevojshme të bëhet apo të shmanget gjatë procesit.

Theksoj përsëri se është një shenjë shumë pozitive që fëmija ka një nivel të mirë të të kuptuarit të komandave.

Është krijuar një sistem në shumë vende të huaja ku prindërve u këshillohet të presin dhe të mos shqetësohen menjëherë për vonesat e fëmijës. Megjithatë, studimet tregojnë se sa më herët të fillohet ndërhyrja për stimulimin e fëmijës, aq më efektive janë rezultatet në zhvillimin e tij.

Ju sugjeroj të largoni ekspozimin në ekrane digjitale. Sipas hulumtimeve, fëmijët deri në moshën 3 vjeç nuk duhet të ekspozohen fare ndaj pajisjeve teknologjike. Pas kësaj moshe, 30 minuta gjatë gjithë ditës.

Pukjana Geci Psikologe Klinike./natalmedia.com/

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts