Shkruan: Dr. Ismail Lutolli
Specialist Pediater
Subspecialist Dietelog -Nutricionist
Kur është koha e duhur të shkoni në pushimet së bashku me foshnjën ?
A mund të udhëtoni me foshnjën ?
A është i rrezikshem plazhi për një të posalindur ?
Cili është minimum i gjërave qe duhet të merrni me vete?
Si te realizoni një udhëtim sa më të bukur?
Me ardhjen në jetë të një fëmije shpesh fillojnë edhe pyetjet e mësipërme. Për prindërit e rinj ,pushimet e para me bebe janë me të vërtetë një situatë frike se mos ndoshta nuk janë në gjendje të përballojnë udhëtimin ,janë një ankth e pasiguri e madhe.Per prindërit e rinj ,hera e parë me pushime me beben nënkupton “zhvendosje” të tërë shtëpisë në vendin e pushimit
Një i posalindur, nje bebe mund të merr pjesë në pushimet familjare. Ne do të përpiqemi t’ju hedhim pak dritë mbi këtë gjë me disa këshilla praktike:
Zgjedhja e vendit të pushimeve pas muajit të 6 – të do të duhej të bëhej në atë mënyrë, që të përshtatej sa më shumë me kushtet klimatike në të cilat është rritur foshnja juaj për 6 muaj, pra të jenë sa më të përafërta me ato në të cilat është ambientuar foshnja juaj.
Para se të udhëtoni për pushime, patjetër realizojeni një vizitë te pediatri i fëmijës tuaj, për të parë gjendjen shëndetësore dhe për të marrë këshillat e nevojshme gjatë pushimit.
Udhëtimi me makinë
Një foshnje mund të udhëtojë me makinë duke shfrytëzuar përiudha të shpeshta pushimi. Nuk preferohet udhëtimi në relacione të gjata , nëse mosha e foshnjes është më e vogël sesa 3 muaj dhe nëse gjatë udhëtimit mund të ketë pritje të gjata në kufi apo të ngjashme. Mund të udhetojë edhe më herët por duke respektuar në mënyrë strikte kushtet e nevojshme për foshnjen:
a. Makina duhet të jete me klimë, në mënyrë që të mbajë të përshtatshëm temperaturën.
b. Udhëtimi të bëhet në orët e mëngjesit ose pasdite, kur temperaturat jashtë nuk janë ekstreme.
c. Gjatë udhëtimit tp ndaleni herë pas here, duke bërë pushimin e nevojshëm.
Udhëtimi me autobus
Nuk preferohet për të posalindurin deri në moshën 6 mujore, sidomos nëse distanca e udhëtimit është disa orë. Mundësia e kontaktit me të tjerët në trasportin publik është e madhe, duke rrezikuar direkt për marrjen e ndonjë infeksioni virusal. Gjithashtu edhe kushtet e nxehtësisë dhe të tjera në autobus, e bëjnë shumë të papërshtatshëm si udhetim.
Udhëtimi me aeroplan
Nuk është mirë të bëhet para moshës 6 muajshe. Mosha më e vogël se 6 muaj nuk është e përshtatshme për shumë arsye:
Deri në 3-4 muaj foshnja juaj nuk mban ende stabil pozicionin e kokës, pra një aspekt fiziologjik normal.
Ndryshimi i presionit te ajrit gjatë fluturimit me aeroplan nuk është i përshtatshëm për foshnjen tuaj dhe mund të shkaktoj problem me veshët
Pritjet e gjata në hyrje dhe dalje në aeroport, janë shumë stresuese për foshnjen.
Kontakti me njerëz të ndryshëm gjatë fluturimit ose në radhët e pritjes për të kaluar kontrollin e pasaportave, për një fëmijë 3 apo 4 muaj është një mundësi shumë e madhe për infeksione të rrugëve respiratore dhe marrje të sëmundjeve virusale.
Ndryshimet klimatike në pritje dhe dalje nga fluturimi, gjithashtu mund të jenë arsye për ftohje të foshnjes tuaj.
Fëmiju juaji ka mbushur 6 muaj dhe ju keni vendosur për pushime ti kaloni së bashku, atëherë merrni me veti edhe këto gjëra:
– Barnat e nevojshme: termometër, sirup (supozitorë ) kundër temperaturës së lartë, substancë rehidruese, një sirup kundër alergjisë, një antiseptik ,kremë kundër alergjisë, fasho sterile, garza, hanzaplast.
– Nuk duhet harruar edhe sapunë neutral apo krem për lëkurën e foshnjes tuaj, kremin kundër diellit përkatës me moshën e foshnjes tuaj. Më herët ka qenë strikte që lyerja e lëkurës së foshnjes, mund të bëhet pas muajit të 6 – të. Tani ka studime që e lejojnë edhe lyerjen e mëhershme në pjesën e duarve dhe këmbëve, por jo tërë trupit. Sidoqoftë një fëmijë nën moshën 6 mujore, nuk do të duhej në asnjë mënyrë të ekspozohej direkt rrezeve të diellit. Duhet te merrni syze dielli dhe një ose dy kapele mbrojtëse nga dielli.
– Fëmija juaj përdorë terapi: Nëse foshnja juaj është duke marrë terapi, do të duhej konsultim me Pediatrin e fëmijës tuaj. Nuk preferohet udhëtimi për pushime derisa fëmija juaj është duke përdorur antibiotikë. Çdo udhëtim në gjendje të tillë, vetëm do e acaronte gjendjen e përgjithshme shëndetësore.
– Temperatura e dhomës: Nëse jeni vendosur në hotel apo apartamente private, kujdesuni që temperatura e dhomës së foshnjes të jetë e afërt me atë që kishte në shtëpi. Pra rreth 20-21 gradë Celsius.
– Nëse jeni duke i kaluar pushimet në plazh:
Për prindërit është mjaftë emocionuese kur të shohin që fëmija I tyre do të prekë për herë të parë me këmbët e vogla rërën ,detin.
Koha kur duhet të qëndroni në plazhë me foshnjën tuaj është në mëngjes rreth orës 8 deri në 9 dhe pasdite pas orës 18. Duhet të shmanget ekspozimi në diell nga ora 10.00 – 17.00, kur edhe përqëndrimi i rrezatimit ultravjollcë është më i larti.
Gjatë këtyre orëve foshnja juaj duhet patjetër të përdorë kapele dhe të keni kujdes të mos e ekspozoni direkt në diell, por të qëndrojë nën qadrën e diellit.
Në dy ditët e para mos e mbani më shumë sesa 30 min në këtë kohë dhe pastaj shkoni duke shtuar nga 20 min në ditë të qëndrimit, nëse gjithçka shkon mirë.
– Rrobat e foshnjës të jenë të pambukut dhe patjetër të përdorë mbathje.
– Nëse keni vendosur të provojë ujin, kjo mund të bëhet për kohë shumë të shkurtër më së shumti 10-15 minuta. Pas pastrimit është mirë ti bëni dush dhe të veshni rrobat e pastra.
– Gjatë kohës që qëndron në plazh, në orët që i kemi theksuar të përdorë kremë neutral përkatëse për moshën e foshnjes.
– Gjatë tërë kohës së qëndrimit në pushime por edhe në plazh, vazhdone procesin e gjidhënjes në mënyrë të rregullt. Nëse foshnja është në qumësht shtesë, gjithashtu vazhdojeni përdorimin e rregullt.Do t’ju duhet të merrni dy ose tre shishe, një furçë shishesh për pastrimin e tyre dhe qumështin pluhur me të cilin fëmija është mësuar. Vendos edhe disa grykore plastike në valixhe(lahen lehtë), si dhe, ose disa peceta,
– Në qoftë se fëmija ka filluar të hajë ushqime të forta, gjëja më e mirë është të planifikoni për të blerë ushqim për fëmijën,sapo të mbërrini. Nëse doni të që ushqimin ta bëni pure për të, thjesht merrni një procesor të vogël ushqimi që gatuan sepse do te ju nevojitet.
– Gjatë qëndrimit në plazh patjetër ofroni edhe lëng të frutave apo ujë, për të parandaluar dehidrimin e mundshëm.
– Nuk preferohet larja në bazen në këtë moshë, pasi mundësitë e infeksionit janë të mëdha. Nëse e praktikoni këtë për disa minuta, atëherë pas daljes nga bazeni pastrojeni mirë dhe veshni rroba të lara.
– Nëse foshnja juaj ka djegie nga dielli, atëherë është koha të kërkoni ndihmën e pediatrit pasi shpeshherë skuqjet mund të jenë edhe shenja e ndonjë infeksioni të mundshëm ose ndonjë reaksioni alergjik.
–Gjumi i foshnjes duhet të jetë në ambient pak a shumë sikurse në shtëpi. Sigurohuni qe të kufizoni me rrjeta kundër insekteve.
– Shfrytëzoni orët e mbremjes për ndonjë shëtitje buzë plazhit, e njejta shëtitje mund të bëhet edhe në orët e mengjesit atëherë kur dielli sapo ka lindur .
– Karroca është mjaft e dobishme gjatë pushimeve kur e nxirrni fëmijën në shëtitje.Mund ta përdorni atë si një karrige ku mund ta ulësh fëmijën kur ai është zgjuar ose për ta ushqyer në qoftë se ka filluar të hajë ushqimet e forta.
Pushimet në vende malore
Vlejnë të njejtat këshilla vetëm se atje duhet kujdes nga temperatura e ulët në orët e mbrëmjes dhe në orët e hershme të mëngjesit.
Të qëndruarit nën hije në vendet malore, është mjaft me dobi për foshnjen tuaj.
Pushimet në fshat
Pushimet në fshat janë menyra më e mirë e të gjithe atyre që jetojnë dhe punojnë në qytete të medha të zhurmshme por që kanë për pjesë te jetës një femijë të vogël.
Gjelbërimi ,qetësia dhe klima është mjaftë e pershtatme për femijet e vegjël por edhe për familjen në përgjithësi.
Nga tërë kjo që përshkruajtëm sidoqoftë vlen të theksojmë se me foshnjen më pak se 6 muaj, nuk preferohet kalimi i pushimeve në plazh për të gjitha arsyet ë përmendura. Pas moshës 6 muajshe mund të kalohen duke zbatuar me rigorizitet këshillat e theksuara. Çdo keqësim i gjendjes së përgjithshme, është sinjal se pushimet duhet ndërprerë dhe duhet rikthyer te mjeku juaj dhe shtëpia juaj.
Udhëtimet me aeroplan deri në këtë moshë janë mjaft të papërshtatshme dhe shpeshherë dijnë të shndërrohen në një tmerr të vërtetë për foshnjen dhe familjarët./natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”