“Nëse ky fëmijë është i destinuar të ketë autizëm, atëherë ai është me fat sepse pikërisht ti je nëna e tij”.

“Kur ka ecur?” më pyet pediatri.

I përgjigjem pyetjes, e cila pasohet nga pyetja tjetër: “Sa fjalë di ai, sa prej tyre kanë kuptim?”, numëroj me pasiguri.

“A e drejton gishtin në objekte?”, i përgjigjem “Jo”.

“A  përgjigjet kur thirret në emër?”, i jap sërish të njëjtën përgjigje.

“A bën me dorë?”, i përgjigjem sërish negativisht.

“A bën kontakt me sy” – “Jo”.

“A reagon kur hyn në dhomë, apo të kërkon kur del?”, i them: “Jo”.

“A ka ndonjë lodër me të cilën është i preokupuar jashtëzakonisht?”, -“Po”.

“A ju çon ai për dore te objekti që dëshiron të ia jepni?” – “Po”.

“A kaloni një kohë jashtëzakonisht të madhe vetëm, i preokupuar me vendosjen e objekteve sipër njëra tjetrës ose t’i shkëpusë ato?” Unë: “Po”.

A zgjedh ushqim të njëllojshëm?”, përgjigjja ime është sërish po…

Pyetjet janë të njëpasnjëshme, të qarta dhe konkrete të cilave mund t’u përgjigjem lehtësisht me Po ose Jo. Unë vetë e kuptoj që çdo gjë që më pyet, jep si përgjigje se djali im dy vjeç e gjysmë ka një numër të madh elementesh të autizmit.

Jam në dyshime, kam mini-kriza të shpeshta paniku dhe më pas e pranoj faktin që nëse djali im është i destinuar të ketë një diagnozë, atëherë le të jetë Autizëm, nuk është vdekjeprurëse.

Më ka “ngritur” më së shumti fjalia që më është thënë : “Nëse ky fëmijë është i destinuar të ketë autizëm, atëherë ai është me fat sepse pikërisht ti je nëna e tij”.

Nisëm një garë marramendëse me kohën. E gjithë familja është e përfshirë, duke përfshirë edhe gjyshërit. Një shpërthim i madh energjie, fuqie, këmbënguljeje, force dhe shprese dhe besimi se gjithçka do të jetë në rregull.

Dhe pastaj kthehem nga puna dhe e telefonoj, por ai nuk i përgjigjet zërit tim. Ai nuk u përgjigjet thirrjeve të mia, edhe pas një dite të tërë ndarjeje nga unë. Një dhimbje topitëse në stomak dhe një ndjenjë e tmerrshme se nuk ka përparim, nuk ka përmirësim, po çalojmë në vend…

Caktoj ekzaminime me të gjithë specialistët që kemi dëgjuar dhe me secilin prej tyre periudha e pritjes për ekzaminim është disa muaj. Mjekët këshillojnë tre trajtime logopedi në javë, dhe thonë se mund të ofrojnë edhe trajtim një here në muaj!!??

Ekzaminime nga një neurolog te një neuropsikiatër, një oligofrenolog, një logoped, një defektolog, një otorinolaringolog…te tjetri e te tjetri…

Dhe çdo ekzaminim ka një pritje dhe nuk dua të dëgjoj vetëm mendimin e një eksperti, ndaj mundohem të caktoj ekzaminime në të gjitha institucionet e mundshme.

Ka edhe informacione nëpërmjet internetit, kërkime në portale të ndryshme, komunitete, forume, kontakte të ndryshme, mbipopullim me këshilla të ndryshme, konfuzion të përgjithshëm dhe pasiguri se cila është gjëja më e zgjuar. Nga bestytnitë deri te fjala e fundit e mjekësisë…

Jam e privuar kronikisht nga gjumi dhe vazhdimisht pyes se ku kam gabuar dhe nëse ka mundësi për korrigjime.

Dhe marrim diagnozën F84 në obs (Autizëm).

Pastaj në Institutin për Shëndet Mendor, dua të dëgjoj mendimin edhe të një eksperti tjetër, por edhe kjo kërkon kohë, përsëri një milion të njëjtat pyetje, vëzhgime dhe vlerësime psikiatrike…

Humbje energjie, e kuptoj, duke ngacmuar një fëmijë që merr një sulm paniku nga manteli i bardhë. Dhe i them vetes që nuk do të kërkoj më diagnozë, i drejtohem vetëm asaj që mund ta ndihmojë fëmijën.

Shkojmë në trajtime urgjente logopedie, gatuajmë së bashku, ecim së bashku, flemë së bashku. Çdo gjë që bëjmë flasim bashkarisht për të.

Imitojmë të gjithë tingujt që na rrethojnë: cicërimën e zogjve, lehjen, zhurmën e makinave, përplasjen e dyerve, fishkëllimën e erës…

Veshim çizme për të ecur në pellgje dhe presim shiun, këndojmë, bëjmë sajë, kërcejmë, vizatojmë, ngjitemi në një pemë, nuhasim lulet, vrapojmë me erën…

E di, nuk do ta harroj kurrë kur u ktheva nga puna dhe ai erdhi tek unë dhe më përqafoi dhe më puthi për herë të parë! Kur arritëm të arrinim atë kontakt, atë intimitet, atë lidhje!

Më kujtohet vështrimi që shkëmbyem unë dhe burri im në atë moment. Mbaj mend atë lumturinë dhe dhimbjen, lehtësimin dhe mosbesimin, në një shikim, të shkëmbyer mbi supin e fëmijës.

E, në ditët në vijim: fjalët dalin njëra pas tjetrës, pastaj përsëriten, pastaj nuk ndalen dhe çdo ditë ka të reja dhe përdoren ato të mësuara tashmë…. Ai qesh, pret me padurim motrat, shpreh ndjenjat e tij, vrapon në një përqafim… Nuk është më ndryshe nga moshatarët e tij.

Mjekët bëjnë gabime dhe ndodhin mrekulli dhe nuk e di se cila nga të dyja ka ndodhur në rastin tonë./natalmedia.com/

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts