Trajtimi i belbëzimit në kushtet e shtëpisë

Shkruan: Egzona Maloku

Logopede

 

Belbëzimi është një çrregullim i të folurit i karakterizuar nga përsëritja e tingujve, rrokjeve ose fjalëve, zgjatja e tingujve dhe ndërprerjet në të folur të njohura si bllokime. Një individ që belbëzon e di saktësisht se çfarë do të dëshironte të thoshte por ka vështirësi të prodhojë një rrjedhë normale të të folurit. Simptomat e belbëzimit mund të ndryshojnë ndjeshëm gjatë gjithë ditës së një personi. Në përgjithësi të folurit para një grupi ose të folurit në telefon mund ta bëjë më të rëndë belbëzimin e një personi ndërsa këndimi, leximi mund të reduktojë përkohësisht belbëzimin.

Simptomat

Shenjat dhe simptomat e belbëzimit mund të përfshijnë:

  • Vështirësi për të filluar një fjalë, frazë ose fjali
  • Zgjatja e një fjale ose tingujsh brenda një fjale
  • Përsëritja e një tingulli, rrokjeje ose fjale
  • Heshtje e shkurtër për rrokje, fjalë të caktuara ose pauza brenda një fjale
  • Shtimi i fjalëve shtesë si “ëë, um” nëse parashikohet vështirësi për të kaluar te fjala tjetër
  • Tensioni i tepërt, shtrëngimi ose lëvizja e fytyrës ose e sipërme e trupit për të prodhuar një fjalë
  • Ankthi për të folur
  • Aftësi e kufizuar për të komunikuar në mënyrë efektive

Vështirësitë e të folurit të belbëzimit mund të shoqërohen nga simptomat sekondare:

  • Sytë pulsojnë shpejt
  • Dridhje të buzëve ose nofullës
  • Tikat e fytyrës
  • Shtrëngimi i kokës
  • Shtrëngimi i grushteve

 

Belbëzimi zhvillimor

Belbëzimi zhvillimor ndodh tek fëmijët e vegjël ndërsa ata janë ende duke mësuar aftësitë e të folurit dhe gjuhës. Është forma më e zakonshme e belbëzimit. Disa shkencëtarë dhe klinicistë besojnë se belbëzimi zhvillimor ndodh kur aftësitë e të folurit dhe të gjuhës së fëmijëve nuk janë në gjendje të përmbushin kërkesat verbale të fëmijës.

 

Belbëzimi i shkaktuar nga shkaqe të tjera

Rrjedhshmëria e të folurit mund të ndërpritet për shkaqe të tjera përveç belbëzimit zhvillimor. Një goditje në tru, dëmtim traumatik i trurit ose çrregullime të tjera të trurit mund të shkaktojnë të folur që është i ngadaltë ose ka pauza ose tinguj të përsëritur (belbëzim neurogjenik).

Rrjedhshmëria e të folurit gjithashtu mund të ndërpritet në kontekstin e shqetësimit emocional. Folësit që nuk belbëzojnë mund të përjetojnë disfluencë kur janë nervozë ose ndihen nën presion. Këto situata gjithashtu mund të bëjnë që folësit që belbëzojnë të jenë më pak të rrjedhshëm.

Vështirësitë në të folur që shfaqen pas një traume emocionale (belbëzim psikogjenik) janë të rralla dhe nuk janë të njëjta me belbëzimin zhvillimor.

 

Kush është në rrezik të lartë të belbëzimit?

Belbëzimi është mjaft i zakonshëm. Sipas ekspertëve shumë fëmijë përjetojnë belbëzimin kur mësojnë një gjuhë të re ose kur zgjerojnë fjalorin e tyre me një ritëm të shpejtë. Fëmijët e tejkalojnë belbëzimin vetë në shumë raste por kjo mund të bëhet një kusht i përjetshëm për disa. Faktorët e rrezikut të lartë përfshijnë :

-Një histori familjare e belbëzimit

-Incidenca e belbëzimit për më shumë se 12 muaj

-Fëmija është mashkull . Vajzat shërohen më shpejt, një vajzë që belbëzon për më shumë se 12 muaj është në një rrezik më të lartë të belbëzimit të vazhdueshëm.

-Një fëmijë që fillon të belbëzoj më vonë (fillon pas moshës 3,5 vjeç) ka më shumë gjasa për belbëzimin e vazhdueshëm.

 

Terapia për fëmijët

Për fëmijët e vegjël trajtimi i hershëm mund të parandalojë që belbëzimi zhvillimor të kthehet në një problem gjatë gjithë jetës. Disa strategji mund t’i ndihmojnë fëmijët të mësojnë të përmirësojnë rrjedhshmërinë e të folurit ndërkohë që zhvillojnë qëndrime pozitive ndaj komunikimit.

Belbëzimi zakonisht fillon nga mosha 2 deri në 6 vjeç. Shumë fëmijë kalojnë nëpër periudha normale mosfunksionimi që zgjasin më pak se 6 muaj. Belbëzimi që zgjat më shumë se kjo mund të ketë nevojë për trajtim. Trajtimi shpesh përfshin mësimin e prindërve për mënyrat për të mbështetur prodhimin e të folurit të rrjedhshëm të fëmijës së tyre.

 

Prindërit mund të inkurajohen që:

  • Të sigurojnë një mjedis të relaksuar në shtëpi që lejon shumë mundësi për fëmijën të flasë. Kjo përfshin caktimin e kohës për të folur me njëri-tjetrin, veçanërisht kur fëmija është i emocionuar dhe ka shumë për të thënë.
  • Dëgjoni me vëmendje kur fëmija flet dhe përqendrohuni në përmbajtjen e mesazhit, në vend që t’i përgjigjeni mënyrës se si thuhet ose ta ndërpresni fëmijën.
  • Flisni në një mënyrë pak të ngadaltë dhe të relaksuar. Kjo mund të ndihmojë në uljen e presionit të kohës që fëmija mund të përjetojë.
  • Dëgjoni me vëmendje kur fëmija flet dhe prisni që ai ose ajo të thotë fjalën e synuar. Mos u mundoni të plotësoni fjalitë e fëmijës. Gjithashtu, ndihmoni fëmijën të mësojë se një person mund të komunikojë me sukses edhe kur ndodh belbëzimi.
  • Flisni me rrokje

Konsultohuni me një logoped nëse belbëzimi:

  • Zgjat më shumë se gjashtë muaj
  • Ndodh me probleme të tjera të të folurit ose gjuhës
  • Bëhet më i shpeshtë ose vazhdon me rritjen e fëmijës
  • Ndodh me shtrëngim të muskujve ose vështirësi të dukshme për të folur
  • Ndikon në aftësinë për të komunikuar në mënyrë efektive në shkollë, në punë ose në ndërveprimet sociale
  • Shkakton ankth ose probleme emocionale, si frika ose shmangia e situatave ku kërkohet të folurit
  • Fillon si i rritur

 

Disa strategji për të rriturit

1.Bëni shprehi që të flisni gjithmonë ngadalë dhe me maturi pa marrë parasysh a belbëzoni apo jo

2.Kur të filloni të flisni, bëni atë në mënyrë të lehtë, të butë, pa sforcim dhe të zgjatni tingujt e parë të fjalëve për të cilat keni frikë

3.Mos u mundoni të fshehni faktin se ju belbëzoni

4.Identifikoni dhe mënjanoni simptomat sekondare

5.Përpiquni të ndaloni shprehitë e shmangies apo zëvendësimit të fjalëve me të cilat keni vështirësi

6.Mbani kontakt me sy me bashkëbiseduesin

7.Analizoni dhe identifikoni se çfarë bëjnë në mënyrë të parregulltë muskujt e aparatit të të folurit gjatë belbëzimit

8.Bëni përmirësime pas bllokimit, gjatë bllokimit dhe para bllokimit

9.Gjithmonë vazhdoni përpara derisa flisni

10.Tentoni të flisni me një zë të sigurt pa tingëlluar artificial

11.Kushtoni kujdes rrjedhshmërisë së të folurit që keni

12.Tentoni të flisni sa më shumë që mundeni/natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts