Çrregullimet e artikulimit

Shkruan: Rudina Hysiqi

Logopede

 

 

Çfarë është çrregullimi i artikulimit?

Artikulimi përfshinë procesin fizik të prodhimit të tingujve të të folurit (pra, vendosjen e saktë të buzëve, gjuhës, nofullës dhe rrjedhës së ajrit). Çdo prodhim i pasaktë i tingullit për shkak të një anomalie të një ose më shumë pjesëve të prodhimit të të folurit quhet çrregullim i artikulimit. Kjo njihet si forma më e zakonshme e çrregullimit gjuhësor dhe ka shumë lloje të ndryshme që variojnë nga natyra dhe ashpërsia.

Ndonjëherë një fëmijë mund të kuptohet vetëm nga familja. Madje, mund të ndodh që edhe familja e ngushtë nuk e kupton të folurin e fëmijës së tyre. Së këndejmi, një problem i të folurit mund të dëmtojë jetën e tij shoqërore dhe shkollore.

 

Çfarë e shkakton çrregullimin e artikulimit?

Çrregullimi i artikulimit mund të ndodhë për shkak të :

  • Gjenetikës,
  • Problemeve fiziologjike me gojën ose fytyrën (si çarja e buzës ose qiellza),
  • Çrregullimeve neurologjike / të zhvillimit,
  • Humbjes së dëgjimit,
  • Çrregullimeve ortodontike,
  • Macroglossia ( Gjuha më e gjatë),
  • Microglossia (Gjuha më e shkurtër),
  • Pallatozhiza (si çarja e buzës ose qiellza),
  • Vonesave mendore,
  • Plus shkaqe të tjera.

Djemtë janë më të prekur sesa vajzat. Faktorë të tjerë të rrezikut mund të kenë të bëjnë edhe me faktorët socio-ekonomik. Shkaku më së shpeshti është i panjohur.

Cilat janë simptomat e çrregullimit të artikulimit?

Simptomat mund të ndryshojnë shumë bazuar në natyrën dhe ashpërsinë e dëmtimit të artikulimit. Simptomat e zakonshme përfshijnë:

  • Shqiptimi i gabuar i fjalëve, si: TALOVINA për tavolina, SKOLA për shkolla, FIJA për shtëpia, etj.
  • Vështirësi në të thënit rrokje, si: CA për Ça, TA për ka, etj,
  • Mungesa e një tingulli në fjalë, si: OTA për rrota, ELEFONI për TELEFONI, etj,
  • Zëvendësimi i një tingulli me një tingull tjetër, si: LESHI për veshi, TERRI për kerri, FESI për thesi, FIKA për thika, THLUTURA për flutura, etj,
  • Shtimi i tingujve aty ku nuk i përket, si: DGIELLI për dielli, RGOBOTI për roboti, etj.
  • Keqshqiptimi i tingujve te caktuar, si: kryesisht i gjejmë tek tingujt, C, Ç, DH, GJ, K, LL, R, RR, S, SH, TH, X, Z, ZH.
  • Probleme të tjera të të folurit mund të përfshijnë fjalë të paqarta ose murmuritje gjatë gjithë kohës.

Cilat janë opsionet e trajtimit për çrregullimet e artikulimit?

Seancat e hershme (pas moshës 5), të rregullta të trajtimit një-me-një me një logoped është opsioni me efektiv i fëmijës me këtë problem komunikimi.

 

Cilat janë llojet çrregullimit të artikulimit?

  • Dislalitë organike: vijnë si pasojë e dëmtimeve në nivelin e një ose disa sektorëve të sistemit artikulues.
  • Dislali funksionale: Karakterizohen nga vështirësitë për të prodhuar tinguj specifik por që nuk paraqesin alternime anatomike të organeve të të folurit ose defiçite auditive. Këto çrregullime mund të vijnë nga shkaqe të ndryshme si për shembull, mbajtja për një kohë të gjatë e biberonit e cila mund të cojë në një pozicion jo korrekt të gjuhës.
  • Dislali sensoriale: vijnë si pasojë e një defiçiti sensorial ose nga otitet e përsëritura në vitet e para të jetës.

 

Diagnostikimi dhe trajtimi

Për të diagnostikuar një çrregullim të artikulimit, një fëmijë do të duhet të vizitojë një specialist të tillë si një logoped. Ky i fundit do të flasë me fëmijën dhe do t’i kërkojë të thotë disa fjalë ose fjali. Të folurit e fëmijës do të krahasohet me atë që pritet me moshën e tyre kalendarike. Nëse një fëmijë bën më shumë gabime në të folur sesa pritet, mund të ketë nevojë për terapi logopedike.

Logopedët pas punës me fëmijën për një afat kohor, mund të tregojnë përafërsisht se sa mund të arrijë një fëmijë në zhvillimin e tij/saj gjuhësor.

 

Kur duhet të shqetësoheni?

  • Deri në moshën 3 vjeç, fëmija juaj duhet të kuptohet nga një i huaj nga gjysma e asaj që thotë.
  • Deri në moshën 5 vjeç, fëmija juaj duhet të jetë në gjendje të thotë shumicen e tingujve. Ata ende mund ta kenë të vështirë të thonë l, s, r, v, z, ch, sh dhe th.
  • Deri në moshën 8 vjeç, ata duhet të thonë të gjithë tingujt e vështirë në mënyrë korrekte.

Disa prej tingujve të çrregulluar mund edhe të fitohen spontanisht deri ne moshën 7-8 vjecare por që pas kësaj moshe duhet me patjetër të ndjekin një terapi të mirëfilltë logopedike. Trajtimi i kësaj problematike mund të zgjasë prej disa muaj deri në 1 vit apo disa vite.

Testet që një specialist mund të përdorë për të diagnostikuar një çrregullim të artikulimit përfshijnë:

  • Testi i artikulimit- Poashtu, përdor edhe të folurin spontan për të identifikuar tingujt e keqshqiptuar përmes leximit të ndonjë përralle, vjershës, këngës, përshkrimit të ndonjë ngjarje, etj, varësisht nga mosha e fëmijës.

Poashtu, ju duhet të vizitoni logopedin për të përjashtuar shkaqet e tjera të tilla si apraksia. Apraksia është një çrregullim që vjen nga truri sepse nuk sinjalizon se si të lëvizin buzët, gjuhën dhe nofullën në mënyrë korrekte. Pastaj, kjo e bënë të vështirë të formojnë disa tinguj, rrokje dhe fjalë. Testet e tjera mund të bëhen për të përjashtuar probleme të tjera ose për të gjetur shkakun e problemit të të folurit të një fëmije.

Parandalimi

Për shkak se ajo që shkakton shumicën e çrregullimeve të artikulacionit tek fëmijët është e panjohur, është e vështirë të parandalohet. Përcilleni zhvillimin gjuhësor të fëmijës suaj dhe flisni edhe me mjekun nëse dyshoni që dicka nuk po shkon si duhet.

Një çrregullim i artikulimit mund të diagnostikohet kur një fëmijë ka më shumë probleme në thënien e saktë të fjalëve sesa duhet për moshën e tij. Por, mos prisni që qysh nga mosha 3 apo 4 vjec të flas rrjedhshëm dhe pa gabime, sepse me kohë shumica e tyre do t`i tejkalojnë. Në rast se nuk i tejkalojnë atëherë mund të kenë çrregullim të artikulimit./natalmedia.com/

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts